Organizata Botërore e Shëndetësisë dha autorizimin për përdorimin emergjent të vaksinës së koronavirusit të kompanisë AstraZeneca, një hap që mund t’i lejojë partnerët e agjencisë së OKB-së të dërgojnë miliona doza në vendet e ndryshme të botës, si pjesë e mekanizmit Covax.
Në një deklaratë të hënën, OBSH tha se po autorizonte vaksinat e AstraZenecas të prodhuara nga Instituti Serum i Indisë dhe nga kompania AstraZeneca-SKBio e Koresë së Jugut. Leja e OBSH-së për përdorimin e vaksinës AstraZeneca është e dyta që jep kjo agjenci pas miratimit prej saj të vaksinës Pfizer-BioNTech në dhjetor. Njoftimi i së hënës pritet të shoqërohet me fillimin e shpërndarjes së qindra miliona dozave në vendet e regjistruara në nismën COVAX të mbështetur nga OKB-ja, e cila synon vaksinimin e njerëzve më të ekzpozuar në botë.
“Vendet që nuk kanë qasje te vaksina, do të jenë më në fund në gjendje të fillojnë të vaksinojnë punonjësit e tyre shëndetësorë dhe popullatat në rrezik,” tha Dr Mariangela Simão, Ndihmës-Drejtoreshë e Përgjithshme e OBSH-së për Barnat dhe Produktet Shëndetësore.
Pandemia e koronavirusit ka infektuar rreth 109 milion njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar vdekjen e të paktën 2.4 milion prej tyre. Por shumë nga vendet e botës ende nuk kanë filluar programet e vaksinimit dhe madje vendet e pasura po përballen me mungesa të dozave, ndërsa kompanitë farmaceutike përpiqen të rritin prodhimin.
Vaksina AstraZeneca është autorizuar tashmë në më shumë se 50 vende, përfshirë Britaninë, Indinë, Argjentinën dhe Meksikën. Ajo është më e lirë dhe më e lehtë për tu trajtuar sesa vaksina Pfizer-BioNTech, e cila ka nevojë për t’u ruajtur në temperatura të ulta, kushte që nuk sigurohen dot në masë në shumë vende në zhvillim. Të dyja vaksinat kërkojnë dy doza për person, disa javë larg njëra-tjetrës.
Javën e kaluar, ekspertët e vaksinave të OBSH-së rekomanduan përdorimin e AstraZenecas për njerëzit mbi moshën 18 vjeç, përfshirë këtu edhe vendet që kanë zbuluar variante të tjera të COVID-19.
Por kjo ishte në kundërshtim me rekomandimin e Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, të cilat thanë se vendet që kishin identifikuar një variant të diktuar për herë të parë në Afrikën e Jugut duhet të ishin “të kujdesshme” në përdorimin e vaksinës AstraZeneca, duke sugjeruar që t’u jepej përparësi vaksinave të tjera.
Vaksina AstraZeneca përbën pjesën më të madhe të rezervave aktuale të nismës COVAX dhe kohët e fundit u ngritën shqetësime, pasi nga një studim i hershëm doli se ajo mund të mos parandalonte simptomat e lehta dhe të moderuara të shkaktuar nga varianti i Afrikës së Jugut. Javën e kaluar, Afrika e Jugut e ngadalësoi përdorimin e AstraZenecas, duke zgjedhur në vend të kësaj një vaksinë të palicencuar nga kompania Johnson & Johnson për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
OBSH dhe partnerët e saj, duke përfshirë aleancën e vaksinave GAVI, nuk kanë thënë se cilat vende do të marrin dozat e para nga COVAX. Por një plan fillestar tregoi se një numër vendesh të pasura që kanë nënshkruar marrëveshje të shumta private për vaksinat, përfshirë Kanadanë, Korenë e Jugut dhe Zelandën e Re, gjithashtu janë planifikuar të marrin doza të hershme nga COVAX.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.