Një raport ndërkombëtar që duhet vlerësuar seriozisht… - Business Magazine Albania

Një raport ndërkombëtar që duhet vlerësuar seriozisht…


Nga Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Sapo është publikuar raporti i Bankës Botërore i njohur si “Doing Biznes/Të bërit Biznes” që përfshin 190 vende/ekonomi të botës, ndërmjet tyre edhe Shqipëria. Ky raport publikohet rregullisht prej vitit 2003, fillimisht me 5 grupe treguesish, ndërsa raporti i porsabotuar është më analitik dhe përfshin 11 grupe të tilla, si dhe analizon në mënyrë krahasuese kuadrin rregullator të biznesit/sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME). Treguesit e përdorur në Raportin e 2020 janë: Fillimi i një biznesi; Ballafaqimi me lejet e ndërtimit; Sigurimi i energjisë elektrike; Regjistrimi i pasurisë; Marrja e kredisë; Mbrojtja e investitorëve të pakicave; Pagesa e taksave; Tregtimi përtej kufijve; Zbatimi i kontratave; Zgjidhja e falimentimit dhe Punësimi i punëtorëve.

Nëpërmjet matjes së kostos financiare dhe të kohës së shpenzuar bëhet e mundur sigurimi i një informacioni krahasues profesional mjaft të dobishëm, të cilin vendet e ndryshme e përdorin për të rishikuar politikat që ndjekin si dhe për të vlerësuar performancën e institucioneve që ofrojnë shërbimet e tyre ndaj komunitetit të biznesit. Pra, ky raport siguron tregues sasiorë për rregullat ligjore të nevojshme për fillimin e një biznesi, për marrjen e lejeve të ndërtimit, sigurimin e energjisë elektrike, regjistrimin e pronës, marrjen e kredive bankare, mbrojtjen e investitorëve me origjinë pakicat, pagimin e taksave, tregtimin jashtë vendit, zbatimin e detyrimeve kontraktuale dhe zgjidhjen e çështjes së falimentimit.

Nëpërmjet këtyre treguesve, që lidhen me gjithë ciklin e jetës së biznesit, por edhe të treguesve të tjerë si ato për fuqinë punëtore, etj., nëpërmjet këtij dokumenti bëhet e mundur që të rishikohen, plotësohen dhe përmirësohen rregullat në fuqi për një kuadër ligjor më efikas; ofrohen standarde të matshme për reformat e ndërmarra nga qeveria; dhe vetë raporti shërben edhe si një burim për botën akademike, gazetarët, studiues të sektorit privat dhe të tjerë të interesuar për klimën e biznesit në vend.

Duke qenë se kam ndjekur në vijimësi publikimin e ketij raporti dhe indekse të tjera të ngjashme në vite, gjej rastin të theksoj se mangësia kryesore e këtij raporti qëndron në faktin se mbështetet kryesisht në aspektin dokumentar (supply side) d.m.th. në atë çfarë ofron qeveria, si dhe në opinionet herë-herë edhe subjektive të ekspertëve. Kështu, në rastin e vendit tonë, dekadën e fundit, qeveritë kanë qenë përgjithësisht të ndjeshme ndaj kritikave të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe kanë tentuar t’i përkthejnë këto kritika në veprimtarinë e përditshme qeverisëse. Për fat të keq, ky nuk është rasti aktual, kur qeveria vazhdon me një qëndrim tejet arrogant ndaj çfarëdo kritike ekonomike të brendshme dhe të jashme, gjë që nuk mund të mos çojë në shterrimin e investimeve serioze me origjinë vendet e Bashkimit Europian, në përkeqësimin e klimës së biznesit, në vështirësimin e punësimit brenda tij, si dhe në braktisjen e vendit nga qytetarët shqiptarë për shkak edhe të humbjes së shpresës për një të ardhme më të mirë brenda tij.

Lexo: Përkeqësohet klima e të bërit biznes në Shqipëri

Është rasti të kujtoj kritikat e përsëritura ndaj përdorimit abuziv dhe korruptiv të partneritetit publik-privat, të kontratave koncesionare që kanë sjellë deformime serioze në shëndetësi, në infrastrukturën rrugore, në nxjerrjen dhe shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, në sektorin minerar, por edhe rritjen e riskut makro-ekonomik sa i takon borxhit publik, etj. Duke gjykuar nga aspekti i partnerëve lokalë të projektit, apo ekspertëve të përfshirë në përgatitjen e raportit në fjalë, çmoj se pavarësisht konsideratës individuale për disa syresh, jam dyshues për pavarësinë profesionale të shumë prej tyre. Kjo më çon në konkluzionin se gjendja reale e klimës së biznesit për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendin tonë është edhe më problematike se sa paraqitet në raportin në fjalë.

Me keqardhje në “Doing Business 2020” vihet re përkeqësimi i klimës së biznesit në vendin tonë. Kështu, në raportin e këtij viti, Shqipëria renditet në vendin e 82-të, duke humbur 19 pozicione në krahasim me një vit më parë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0