Skenari, regjia dhe i gjithë realizimi i filmit me metrazh të shkurtër “Ana Tjetër” është kryer nga vetë maturantët e shkollës Don Bosko si produkt i Young Skills Production, një kompani e re filmike e ideuar, krijuar dhe menaxhuar nga vetë të rinjtë adoleshentë.
Përmbajtja dhe mesazhi i filmit trajton temën e gjakmarrjes si një problem të ditëve të sotme, një fenomen që nuk i zhduk rrënjët e tij, duke shkaktuar ende plagë sociale në shoqëri, por veçanërisht tek brezi i ri. Duke konsideruar anën tjetër të këtij fenomeni, duke mos u mjaftuar me trajtimin e viktimës, por duke analizuar dhe përjetuar botën shpirtërore të gjakësit, filmi ka për qëllim që të ndërgjegjësojë brezin e ri me vlerat e bukura jetës, me tolerancën dhe me besimin se te forca e të rinjve qëndron zgjidhja e shumë problemeve dhe plagëve të trashëguara nga e kaluara.
Roli kryesor i filmit, Albani, u soll me mjaft profesionalizëm nga maturanti Endrionis Kolaj, ndërkohë që pjesëmarrja e veçantë e aktores dhe regjisores së njohur Suela Bako, e cila pranoi pa hezitim te ishte pjese e kastit, i dha filmit një vlerë të shtuar artistike. Në përshëndetje e saj drejtuar të rinjve organizues, Suela theksoi: “Të isha me ju për aq pak më mbushi jetën për gati një javë. Juve ju ka mbushur jetën për më shumë sigurisht…Guxoni, luftoni, mbusheni jetën tuaj me gjëra që vlejnë e që ju bëjnë krenarë! Unë e di që ky vend ka shpresë, dhe shpresa jeni ju, bashkëmoshatarët tuaj! Ata që do të luftojnë për ëndrrën, Ata janë fitimtarët! Kjo është “Ana tjetër”, e të ardhmes që duam…”
Lexoni: Maturantët e shkollës Don Bosko realizojnë filmin “Ana tjetër”
Në premierën e filmit përveç të rinjve, morrën pjesë përfaqësues të artit, kulturës, medias e të tjerë.
Të pranishmit u përshëndetën nga Sara Hoxha – presidente e YSP dhe regjizore e filmit e cila foli për emocionet e një pune sa të lodhshme, por edhe shumë të bukur, e cila do t’i shoqërojë të rinjtë gjatë gjithë jetës së tyre dhe falenderoi të gjithë ata që dhanë ndihmesën e tyre në realizimin e këtij filmi dhe biznesi nga të rinjtë.
Orilda Kalami – mësuese e lëndës Shoqëritë e Nxënësve – Bëhu Sipërmarrës – theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve si një domosdoshmëri për një të ardhme më të sigurtë: “Don Bosko ka thënë “Mjafton të jeni të rinj që unë t’ju dua”. Të dashur miq e kolegë prania juaj këtu tregon që ju i doni dhe mbështesni të rinjtë. Tregon që ne mësuesit nuk jemi të vetëm në procesin e edukimit. Të gjithë së bashku, artistë, njerëz të medias e biznesit mund t’i drejtojmë drejt së mirës dhe së drejtës. Junior Achievement është mënyra më e mirë për të dalë jashtë mureve të shkollës, për të provuar suksesin, për të krijuar, për të marrë njohuri përmes praktikës. Për nxënësit ky i sotmi është një ndër momentet e sukseseve të tjera që i presin, për ne është një moment gëzimi e inkurajimi ndaj tyre”.
Mentorja e Junior Achievement, Edlira Mali tregoi se gjatë eksperiecës së saj 7-vjeçare si mentore e biznesit të nxënësve pranë shkollës Don Bosko ka parë të rinjtë të rriten profesionalisht brenda një viti duke vënë në pah vlerat e këtij këtij proçesi të bukur dhe shumë të rëndësishëm për formimin e profilit të këtyre të rinjve drejt të ardhmes dhe profesioneve që ata do të zgjedhin.
“Mendo dhe Shijoje si te jesh spektator” është strategjia me të cilën kanë ecur të rinjtë e Young Skills Production për realizimin e filmit që do të shfaqet në kinematë e Tiranës, në ambjentet e shkollave të mesme, universiteteve kudo ku janë të rinjtë duke synuar ndërgjegjësimin e tyre..
Young Skills Production është kompania më e re filmike e drejtuar dhe menazhuar nga vetë adoleshentët e shkollës Don Bosko, të cilët janë bërë bashkë në kuadër të lëndës mësimore “Shoqëritë e Nxënësve – Bëhu Sipërmarrës” pjesë e kurrikulës së klasës së 12-të si një nismë dhe projekt i Organizatës Ndërkombëtare Junior Achievement.
Organizimi i kësaj lënde me zgjedhje konsiston në krijimin dhe menaxhimin e një biznesi nga vetë maturantët, të cilët nëpërmjet kësaj lënde plotësisht praktike, mësojnë hapat e parë në fushën e sipërmarrjes.
Për më tepër foto klikoni këtu
Për të parë trailer e filmit klikoni videon më poshtë:
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.