Nënshkruhet marrëveshja për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në tregun e punës dhe kapitalit

Nënshkruhet marrëveshja për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në tregun e punës dhe kapitalit


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj nënshkroi në Vjenë, marrëveshjen me Bankën Botërore për programin e barazisë gjinore dhe aksesin e grave në ekonomi. Kjo marrëveshje ofron një shumë prej 9,1 Milion Eur në funksion të angazhimit të  politikave për zhvillim për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në tregun e punës dhe kapitalit.

Programi në tërësinë e tij është rezultat i bashkëpunimit të Qeverisë Shqiptare me Bankën Botërore dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshje synojmë intensifikimin e politikëbërjes dhe instrumentave për të mundësuar aksesin e gruas në tregun e punës dhe në tregjet financiare, si një forcë shumë e rëndësishme për të zhvilluar ekonominë, për të zhvilluar sipërmarrjen dhe për të rritur Produktin e Brendshëm Bruto për frymë”, u shpreh Ministrja Denaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes me BB.

Banka Botërore vlerëson se Shqipëria humb çdo vit 20 për qind të PBB-së së saj për frymë për shkak të shkallës së ulët të pjesëmarrjes së femrave në forcat e punës, mbipërfaqësimit të grave në sektorë të keqpaguar dhe hendekun e pagave mesatare për gratë dhe burrat në pozicione të ngjashme.

Ministrja Denaj theksoi se kjo pabarazi në tregun e punës është rezultat i zhvillimeve shumëvjeçare dhe trashëgohet edhe në vende të tjera, e jo vetëm në vende si Shqipëria. Megjithatë, sipas znj. Denaj, është shumë e rëndësishme që politika të trajtojë si prioritet barazinë gjinore, e sidomos barazinë gjinore në tregun e punës, në mënyrë për të mundësuar të ardhura të barabarta pavarësisht përkatësisë gjinore.

Lexo: Shqipëria synon të përmirësojë mundësitë e femrave në sipërmarrje

“Me mbështetjen e Bankës Botërore, Shqipëria ka ecur përpara në shumë reforma dhe besojmë se kjo do të jetë një reformë e suksesshme. E kemi nisur mbarë dhe besojmë që kemi akoma shumë për të bërë, por politikëbërja në këtë drejtim është kyç për një sukses të gjithë reformës në vijim”, tha Ministrja.

Në bazë të marrëveshjes, objektivat për zhvillim të programit synojnë mbështetjen e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të përmirësuar kuadrin e politikave për akses të barabartë gjinor në mundësitë ekonomike duke u përqendruar te: rritja e aksesit të grave në pasuri; vendosja e rregullave të barabarta të lojës për rritjen e mundësive për gratë në tregun e punës; dhe forcimi i rregullave institutionale për një politikëbërje të informuar gjinore. Kjo marrëveshje do të mobilizojë 50 milion euro financim nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe një grant teknik nga AFD për të mbështetur zbatimin e programit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0