NASA dhe Google po krijojnë mjekun virtual për astronautët - Business Magazine Albania

NASA dhe Google po krijojnë mjekun virtual për astronautët

Ndërsa misionet e fluturimit hapësinor njerëzor zgjasin më shumë dhe shtrihen më larg Tokës, ruajtja e shëndetit të ekuipazheve bëhet gjithnjë e më sfiduese.

Astronautët në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor kanë mundësi të lidhen në kohë reale me qendrën në Hjuston, marrin rregullisht furnizime me barna dhe kthehen shpejt në shtëpi pas gjashtë muajsh. Por kjo rutinë pritet të ndryshojë, pasi NASA dhe partnerët e saj komercialë, përfshirë SpaceX-in e Elon Musk po përgatiten për misione afatgjata drejt Hënës dhe Marsit.

Përballë kësaj perspektive, NASA po punon që kujdesi mjekësor në orbitë të bëhet gjithnjë e më “i pavarur nga Toka”. Një nga eksperimentet e para në këtë drejtim është krijimi i një asistenti mjekësor me inteligjencë artificiale, në bashkëpunim me Google. Ky mjet, i quajtur Crew Medical Officer Digital Assistant (CMO-DA), është projektuar për t’i ndihmuar astronautët të diagnostikojnë dhe trajtojnë simptomat kur mjeku nuk është i pranishëm ose kur komunikimi me Tokën ndërpritet.

Asistenti është një mjet multimodal që përdor zë, tekst dhe imazhe dhe funksionon në mjedisin Vertex AI të Google Cloud.

Lexo edhe: Siguria në epokën wireless, Kamala Harris ndez debat mbi sigurinë e kufjeve pa tela

Sipas David Cruley, inxhinier në njësinë e sektorit publik të Google, projekti po zhvillohet në bazë të një marrëveshjeje abonimi me çmim fiks, që përfshin shërbimet cloud, infrastrukturën për zhvillimin e aplikacionit dhe trajnimin e modeleve. NASA zotëron kodin burimor të aplikacionit dhe ka kontribuar në përshtatjen e modeleve, ndërsa platforma Google Vertex AI ofron akses në modele nga Google dhe ofrues të tjerë.

Deri më tani, CMO-DA është testuar në tre skenarë mjekësorë: dëmtim kyçi, dhimbje në anën e barkut dhe dhimbje veshi. Tre mjekë, mes tyre një astronaut vlerësuan performancën e asistentit në diagnostikim, marrjen e historisë mjekësore, arsyetimin klinik dhe planin e trajtimit.

Rezultatet treguan një shkallë të lartë saktësie: për dhimbjen në anën e barkut, plani i trajtimit u vlerësua si 74% i saktë; për dhimbjen e veshit 80%; dhe për dëmtimin e kyçit 88%.

Plani i zhvillimit është gradual. Sipas shkencëtarëve të NASA-s, hapi i radhës është shtimi i burimeve të reja të të dhënave – si pajisjet mjekësore – dhe trajnimi i modelit që të bëhet “i vetëdijshëm për situatën”, pra i ndjeshëm ndaj kushteve specifike të mjekësisë hapësinore, si graviteti i ulët.

Cruley nuk dha detaje nëse Google synon të kërkojë miratim rregullator për përdorimin e këtij asistenti edhe në klinikat tokësore, por kjo mund të jetë një hap logjik nëse modeli tregohet i suksesshëm në orbitë.

Ky mjet jo vetëm që mund të përmirësojë shëndetin e astronautëve në hapësirë, por “mësimet e nxjerra prej tij mund të jenë të vlefshme edhe për fusha të tjera të kujdesit shëndetësor”, tha ai.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0