Nafta thyen rekordet e 30 viteve të tranzicionit - Business Magazine Albania

Nafta thyen rekordet e 30 viteve të tranzicionit

Importet e mallrave të akcizës shënuan rritje të ndjeshme në 6-mujorin e parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të pandemisë 2020, si dhe krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Rritjen më të madhe e shënoi importi i karburanteve, që gjatë këtij viti theu rekordet historike. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave pohuan se gjatë periudhës janar – qershor 2021 u importuan 285 mijë tonë naftë, me rritje 21% në raport me vitin 2020 dhe 23% më shumë se edhe në vitin normal 2019.

Burimet nga tregu i lidhën importet e larta të naftës me mosfunksionimin e ARMO-s, por ndërkohë ky vit ka shënuar rekorde edhe në krahasim me vitet e mëparshme, kur ARMO nuk punonte dhe në vend po realizoheshin punimet në projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe HEC-eve në lumin Devoll. Sipas analizës së Ministrisë së Financave, importet e larta të karburanteve ishin kontribuuesi kryesor në rritjen e të ardhurave buxhetore në këtë periudhë.

Të ardhurat doganore në janar-qershor 2021 u realizuan në vlerën 84.7 miliardë lekë, 16.5 miliardë lekë ose 24.3% më shumë se 6-mujori 2020, si dhe 4.5 miliardë lekë ose 5.6% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 6-mujorin e vitit 2021.

Sipas Analizës së 60 grupmallrave, 50% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 5 produkte dhe përkatësisht, karburant importi 23.7%, cigaret 12.5%, metalet bazë dhe artikujt prej tyre 6.1%, automjetet e përdorura me 4.4%, plastika dhe artikujt 2.7%.

Ministria e Financave referoi se, ndikimin më të madh në rritje krahasuar me 6-mujorin e vitit 2020 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i karburanteve, automjetet e përdorura, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, cigaret, veshje dhe tekstile dhe materialet e ndërtimit, me efekt +9.6 miliardë lekë si rezultat i rritjes së sasisë së importuar dhe ndryshimit të çmimit.

Importi i cigareve shënoi rritje më të lehtë me vetëm 2% në raport me 6-mujorin e parë 2020, me një sasi të zhdoganuar prej 1,286 tonësh. Importet e cigareve kanë shënuar luhatje nga viti në vit gjatë dekadës të ndikuara nga akciza, kontrabanda dhe shtrëngimi i masave për pirjen e tij.

Importet e kafesë u rritën me 4% në 6-mujorin e parë, duke shënuar mbi 4100 tonë në sasi. Ato ishin gjithashtu më të larta se viti normal 2019 ku u importuan rreth 4 mijë tonë. Importet e birrës shënuan 18,930 hektolitra me një rritje 18% nga viti i pandemisë dhe 10% në raport me vitin normal 2019.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0