Muzeu lëvizës i traditës në Shqipëri - Business Magazine Albania

Muzeu lëvizës i traditës në Shqipëri

Muzeu lëvizës i traditës në Shqipëri

Kultura, tradita, zakonet janë ato që ruajnë identitetin e një populli. Për ta ruajtur këtë identitet duhet shumë punë dhe kujdes, të cilën më mirë se kushdo e ka bërë artizania Edlira Sulaj. Ajo riprodhon dhe krijon veshje popullore shqiptare dhe i ka ekspozuar brenda dhe jashtë vendit. Ajo vijon ende edhe sot me të njëjtin përkushtim që ka pasur në nisjet e saj. Së fundi, Edlira ka krijuar edhe një “Muze lëvizës”, i cili qëndron në pedonalen e qytetit të Tiranës dhe fton të gjithë turistët ta vizitojnë për të njohur më tepër traditën e vendit tonë. Edlira ndan detaje nga jeta e saj profesionale dhe personale, duke u shprehur se “Besimi e ka bërë atë të arrijë majat e suksesit “.

Edlira ku zë fill takimi yt me këtë profesion?

Unë jam vajza e një rrobaqepëseje dhe tradita kishte lindur tashmë brenda familjes sonë. Përmes pasionit arritëm që të kemi një traditë të përcjellë ndër breza. Nuk e di kur kam nisur të merrem me punët e dorës pasi kam një jetë me këtë. Jemi rritur me përgjegjësinë e të qenurit vajza të punës edhe unë edhe motrat e mia. Por, koha kaloi dhe rezultoi që kjo të ishte diçka pozitive. Sot shoh që  fëmijëria ime ka lënë tek unë gjurmë, të cilat kanë rritur një grua me ëndrra për të punuar dhe për t’u zhvilluar.

Nëse do të duhej të flisje për veten si do ta nisje rrëfimin e jetës?

Do ta nisja kështu: ” E nisa jetën ndryshe nga shumica ime “. Nëse në kohën kur mbarova arsimin 8-vjeçar, asnjë nxënës nuk e vazhdonte shkollën, unë e bëra. Nuk vijova dot arsimin e lartë për arsye politike familjare, por të paktën mora arsimin e mesëm. Shkollë më vete për mua ka qenë jeta. Të gjitha sfidat e mëmësisë më treguan që vetë jeta është shkollë dhe si e tillë duhet të dish ta pranosh e të punosh për të. Tani që kthej kokën pas them: ” Unë i kam bërë të gjitha këto”?!

A ke pasur gjithmonë qëllimin për të bërë biznes me veshjet popullore?

Jo nuk e kam pasu. Madje, mënyra se si e kam nisur më ka bërë të kuptoj që ka qënë thjesht ngacmim prej pasionit. Mua më vinte keq që të shihja veshjet tradicionale të dëmtuara dhe përpiqesha në shumë forma që t’i rregulloja aq sa mundesha. Pastaj, gjithçka mori formë dhe u kthye në biznes kur njerëzit krijuan tek unë besimin dhe filluan të sillnin veshje popullore që t’i punoja. Kam ndier gjithmonë keqardhje për traditëm dhe lënien e saj në harresë. Ndaj, e shoh veten sikur i kam hedhur një pikë uji për ta ringjallur traditën.

 A mendon se të rinjtë janë po aq entuziastë për ta mbrojtur traditën?

 Unë mund të ndaj eksperiencën time. Kam trajnuar shumë vajza, të cilat kanë mësuar se si të trajtojnë një veshje popullore. Çdo veshje ka nevojë për trajtim, sepse është një histori nga pas. Mund të kemi pasur probleme të ndryshme, por gjithmonë kalimtare. Gjithmonë kemi gjetur gjuhën e përbashkët, të mbrojmë traditën. Ata janë udhëtarë të rrugëtimit tonë në këtë biznes.

 Tradita. Al, çfarë e dallon nga bizneset e tjera në këtë sektor?

Ne na dallon mënyra se si e trajtojmë klientin, por edhe veshjen. Përpiqem gjithmonë që të zbuloj se nga më vijnë veshjet, pra origjina e tyre dhe rrënjët e tyre. Edhe qyteti edhe fshati lexohet nga veshjet, të paktën dikur kështu ka qënë. Me riprodhimin e veshjeve mund të mos jem gruaja më e pasur më Shqipëri, por shpirtërisht jam shumë e plotë. Rikthimi në gjendjen fillestare i veshjeve tradicionale është obligimi ynë. Gjithashtu, obligim është që ta ruajmë me përcjelljen e trajnimeve tek të rinjte. Krahas vlerave historike që këto veshje kanë në një të ardhme, ato kanë edhe vlerë financiare.

A është ky biznes që ka të ardhura?

Ky nuk është lloji i biznesit që mund të cilësohet si me të ardhura të larta, por është lloji i biznesit që nëse ke durim mund t’ia dalësh që të kesh një biznes që siguron të ardhurat e duhura për të jetuar. Në fakt, unë kam punuar edhe 16-orë dhe ka qenë një punë shume e lodhshme për mua. Por, nëse dua t’u them diçka të rinjve do të ishte: të sakrifikojnë për të ardhmen e historisë dhe trashëgimisë së vendit.

Ju së fundi keni krijuar edhe një “Muze Lëvizës, si lindi kjo ide?

Kjo ide lindi nga dëshira për t’i pasur sa më afër turistët. Ndoshta nuk kishim pranë nesh çdo qytet, por mund të ndërtonim një muze lëvizës, i cili shkon në çdo qytet. Impakti që ka lënë ky muze lëvizës është tepër i madh. E them me shumë bindje që i ka tejkaluar pritshmëritë që kisha për mënyrën si si mund të pritej nga publiku. Ne po ju fregojmë të gjithëve se si është tradita jonë. Turistët, vijnë aty bëjnë fotografi, këndojnë dhe ndihen shumë mirë. Kam qëndruar dhe deri në dy të natës në atë muze lëvizës sepse kemi dëshirën e mirë t’u tregojmë të huajve sa tradita të bukura kemi. Edhe njerëzit që më njohin më thonë se, ky muze është gjëja më e bukur që ata kanë parë.

Kush ka qënë njeriu që të ka mbështetur më tepër në rrugëtimin tënd?

Njeriu që më ka mbështetur dhe që unë kam gjetur, njohur dhe vlerësuar edhe më teper veten time ka qënë dhe do vijojë të jetë bashkëshorti im. Ka qënë njeriu që ka vendosur të gjitha balancat në jetën time. Unë pavarësisht të gjithave, ndihem fajtore që u kam “vjedhur” kohë atyre për t’iu dedikuar këtij biznesi, por fatmirësisht kam qenë e rrethuar nga njerëz, të cilët e kanë kuptuar pasionin tim. Familja ime dhe bashkëshorti im më besuan në çdo hap. Në sajë të këtij besimi unë jam sot një grua e realizuar.

 Edlira a keni një mesazh për të rinjtë?

 E mira vjen duke punuar, ajo nuk përplaset tek ti, por vjen vetëm duke punuar.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0