Mobiliteti, pararendës për punësimin në sektorin e arsimit Shqipëri-Kosovë - Business Magazine Albania

Mobiliteti, pararendës për punësimin në sektorin e arsimit Shqipëri-Kosovë


Në këtë shkrim, me termin “mobilitet” kuptojmë lëvizjen e stafeve akademike, mësuesve dhe të studentëve për veprimtari mësimore dhe ose kërkimore, nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Shkrimi ofron fakte dhe argumente, përse mobiliteti konceptohet si pararendës i vyer për kontribute dhe punësim në sektorin e arsimit të mësuesve dhe pedagogëve në të dy vendet tona.

Lexo: Arsimi fleksibël, mundësi efektive për t’iu përgjigjur tregut të punës

  1. Çfarë na tregon e djeshmja?

Në terma të përgjithshme, bashkëpunimi në sektorin e arsimit, ndërmjet dy vendeve tona, ka qenë i kohëpaskohshëm dhe i ndikuar nga faktorët politikë. Të dhënat arkivore tregojnë se lëvizja e mësuesve shqiptarë, për të ofruar shërbimet e tyre si mësues në Kosovë, ka filluar në vitet e Luftës II Botërore. Në periudhë, 1941 – 1944, në qytete e Kosovës, u hapën 173 shkolla fillore në gjuhën shqipe, si dhe disa të mesme: Gjimnazet në Prishtinë dhe Prizren, Instituti Tregtar Agrar në Pejë dhe Shkolla Normale-Tregtare në Gjakovë, si dhe disa gjimnaze të ulët, me gjithsej 267 paralele. Në këto shkolla, mësimi u ofrua nga 264 mësues nga Shqipëria dhe u frekuentuan nga 13.665 nxënës. Pas luftës, këta mësues mund të konsiderohen si themeluesit e arsimit shqip në Kosovë.

Pas një ndërprerje për shkaqe të njohura tashmë, bashkëpunimi në arsim rinis në vitin 1968, me shkëmbime të stafeve akademik dhe kërkimore të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës. Ky bashkëpunim vazhdoi deri në vitin 1981, kur në Kosovë shpërthyen protestat studentore. Një dekadë ndërprerje e plotë e komunikimit dhe bashkëpunimit pasoi, deri në qershorin e vitit 1999. Që prej këtij viti, bashkëpunimi mes institucioneve arsimore të Kosovës dhe të Shqipërisë është zhvilluar, pa formalizëm të tepruar, por edhe pa pritshmëri të larta.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përpjekjet për ta përmirësuar dhe institucionalizuar këtë bashkëpunim, kanë qenë të herëpashershme. Nga viti 2008, janë nënshkruar katër marrëveshje dhe një protokoll bashkëpunimi ndërshtetëror në fushën e arsimit parauniversitar dhe të lartë. Këto marrëveshje të nënshkruar në nivel qeveritar janë formalizuar edhe përmes disa marrëveshjeve të nënshkruara në nivelin e IAL-ve, të cilat, në përgjithësi, promovojnë shkëmbimin e përvojave dhe të informacionit për programet e studimit, shkëmbimin e personelit akademik, administrativ dhe të studentëve, organizimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit mbi rezultatet e kërkimit shkencor. Nuk mbeti jashtë vëmendjes edhe promovimi dhe shkëmbimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore, bashkëpunimi në shkëmbimin e librave, revistave dhe materialeve të tjera edukative, organizimi dhe pjesëmarrja në takime dhe seminare shkencore dhe profesionale, konferenca, simpoziume si dhe forma të tjera të bashkëpunimit.

Këto marrëveshje, me qëllim bashkëpunimin e ndërsjellë, mes të tjerave, vënë theks të veçantë në shkëmbimin dhe mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve. Në këtë kontekst, shohin disa veprimtari kushtuar bashkëpunimit në arsimin e lartë, mes dy vendeve tona. Për ilustrim, disa syresh që tregojnë përpjekjet për të konkretizuar mobilitetin dhe shkëmbimin e përvojave.

Në mars 2010, konkretizohet marrëveshja Kosovë – Shqipëri për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës e cila pasohet nga marrëveshja në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, e nënshkruar më mars 2015. Këto marrëveshje ndërministrore, në intervalin e 10 viteve të fundit, plotësohen me 34 marrëveshje të nënshkruara ndërmjet IAL-ve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një rrafsh më konkret, vlen të përmendim disa fakte të tjera. Në maj të viti 2018, me kërkesë të dy ministrave të Arsimit, drejtues të Albanologjisë, të Institutit të Historisë dhe rektorët e universiteteve publike, në qytetin e Prizrenit, diskutuan për t’i propozuar qeverive respektive një program që integronte 3 fusha: lëvizshmërinë e profesorëve për projekte konkrete shkencore dhe studimore, rritjen e kuotave të studentëve për degë të rralla studimi dhe funksionimin e kampuseve verore.

Në maj të vitit 2019, ministria e arsimit Besa Shahini, duke komentuar “Programin e Shkëmbimit të Nxënësve mes Shqipërisë e Kosovës”, realizuar për herë të atë vit, deklaroi se “120 nxënës nga të dy vendet realizuan bashkërisht, përgjatë 2 javëve, proçeset mësimore dhe zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore”. Njëherazi, ajo premtoi se synimet janë që “të dyfishojmë si kohën e programit, ashtu edhe numrin e nxënësve pjesëmarrës”.

Në një sfond më të gjerë, sipas statistikave ekzistuese, në vitin akademik 2018-2019, 245 studentë nga Shqipëria ndoqën studimet në nivelet bachelor dhe master në universitetet publike dhe kolegjet private në Kosovë. Ndërsa, 25 profesorë/asistentë nga Shqipëria ligjërojnë në universitetet publike në Kosovë.

 

  1. Mobiliteti si parakusht për punësim:

Rrethanat historike kanë ndikuar që sistemet arsimore në Shqipëri dhe në Kosovë të zhvillohen ndaras njëri-tjetrit. Kjo ka bërë që sistemet, veç afërsive, të kenë tradita pedagogjike me dallime, nevoja dhe mundësi të ndryshme. Janë këto arsyet që e bëjnë të nevojshme lëvizjen e institucionalizuar të stafeve akademike, të mësuesve dhe të studentëve tanë. Kësaj lëvizjeje i ka paraprirë lëvizja e lirë e qytetarëve të dy vendeve tona në vite. Sipas hulumtimit të zhvilluar nga dy fondacionet e shoqërive të hapura (OSFA dhe KFOS), “pjesa më e madhe e të anketuarve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë kanë deklaruar se nuk do kishin asnjë problem, që të kenë marrëdhënie shoqërore me dikë nga Kosova-Shqipëria, të jetojnë në një fshat, qytet, lagje me dikë nga Kosova-Shqipëria, apo të punojë në të njëjtin vend pune”. [https://www.osfa.al/sites/default/files/permbledhjet_e_gjetjeve_alb.pdf]. Nisur këndej, kemi arsye të besojmë që do të jetë e largët dita që pedagogë-mësues të secilit vend të zgjedhin për të punuar andej e këndej kufirit

Ndërkaq, punësimi në sektorët e arsimit të secilit shtet, veçmas mobilitetit si “portë hyrëse”, kërkon edhe rregullime ligjore dhe profesionale. Dhe duket që ka lëvizje në këtë aspekt. Në nëntor të vitit 2016, Kosova ka miratuar ligjin për profesionet e rregulluara, duke ndjekur modelin e legjislacionit të Shqipërisë në përcaktimin e kushteve dhe të kritereve, për ushtrimin e profesionit të rregulluar, që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik. Në këtë drejtim, për të konkretizuar bashkëpunimin ndërmjet strukturave përkatëse në nivel ministrie për ofrimin e asistencës teknike për Kosovën në fushën e profesioneve të rregulluara. Shqipëria ka ngritur një grup pune për zhvillimin e kësaj përvoje ligjore në të dyja vendet. Ndërkohë, pritet të zyrtarizohet grupi i punës në Kosovë.

Nga ana tjetër, përmes një studimi të realizuar vitin e shkuar nga dy organizata joqeveritare në Shqipëri dhe Kosovë, u propozohet vendimmarrësve që të nxisin universitetet të përparojnë standardet për formimin fillestar dhe zhvillim profesional të mësuesve-drejtuesve të shkollave, të cilët të shfrytëzohen si bazë për hartimin e programeve mësimore për formimin fillestar të mësuesve në të dy vendet etj.

 

  1. Modaliteti kërkon mbështetje:

Për nga vlera, mobiliteti i studentëve dhe stafeve akademike është mundësi e shkëlqyeshme bashkëpunimi që zhvillon jo vetëm produktin e edukimit, por forcon lidhjen mes kombit dhe koordinimin e burimeve intelektuale. Ai do të ndikonte në bartjen e shpejtë dhe të nevojshme të përvojave të mira për ngritjen e cilësisë së planeve dhe të programeve të studimit, proçesit mësimor dhe kërkimit shkencor. Megjithatë, IAL-të në të dy vendet tona nuk kanë buxhete të paraprake për realizimin e mobiliteteve. Si rezultat, lëvizja dhe shkëmbimi i studentëve, stafit akademik dhe hulumtueseve shkencorë ndërmjet dy vendeve, mund të ishte më efikas. Të dhënat dhe monitorimi mungojnë. As IAL-të, as ministritë, në të dy vendet, nuk kanë të dhëna të sakta për mobilitetin e studentëve, të stafit akademik dhe hulumtuesve reciprokë. Lëvizjet midis njësive akademike të dy vendeve, realizohen kryesisht bazuar në njohje personale, jo institucionale. Kryesisht, angazhimi i profesorëve me kohë të pjesshme nga Shqipëria në Kosovë shihet në fushën e bujqësisë dhe shumica e aktiviteteve dhe shkëmbimeve kanë në fokus proçesin mësimor, jo dhe kërkimin shkencor.

Në këtë drejtim, krijimi i skemave shtetërore të mbështetura financiarisht që mundësojnë mobilitetin e stafit akademik-studentëve dhe programet e përbashkëta të studimit në arsimin e lartë përbëjnë mundësi për bashkëpunim në mes nesh. Propozohet që dy vendet të synojnë të krijojnë programe të mbështetjes financiare. Ndihmë që të mundësojnë lëvizjen për periudha të shkurtra të studentëve dhe stafeve akademike e ndihmës akademike. Që ata, jo vetëm të përfitojnë nga një sistem arsimor i ndryshëm i tyri, por të përfitojnë edhe nga mundësia për t’u zhvilluar në bashkëpunim.

Lexo: Pse arsimi po mbivlerësohet në ditët e sotme?

Më tej. Këto bashkëpunime do të shërbenin si investim afatgjatë në modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe do mbështetnin zbatimin e Proçesit të Bolonjës e proçesin e sigurimit të cilësisë. Po ashtu, zbatimi i skemave të mobiliteteve do të ndihmonin në krijimin e zonës kombëtare të arsimit të lartë, që i shërben zhvillimit të mësimit cilësor, konsolidimit të përmbushjes personale, kohezionit social, qytetarisë aktive, promovimit të kreativitetit, konkurrencës dhe punësimit, duke ndihmuar studentët të përshtaten me kërkesat e tregut të punës. Lëvizja mund të përmirësojë njohuritë në lidhje me situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore të dy vendeve. Ajo i shërben promovimit të IAL-ve zhvillimit të ekipeve të profesionistësh të klasës kombëtare të ardhshme, të kualifikuar, me përvojë dhe mendje të hapur.

Nga: Anila PAPARISTO

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0