Midis një shkolle fillore dhe një biblioteke publike në lagjen Greenpoint të Brooklyn-it ndodhet një lloj i ri hapësire coworking “luksoze”. E quajtur Chat Haus, kjo hapësirë ka shumë elementë që do t’i gjenit në një zyrë tradicionale bashkëpunimi: njerëz që shkruajnë me vrull në tastiera, dikush që zhvillon një telefonatë, një tjetër që ndalon për një moment për të pirë kafenë.
Megjithatë, ka një ndryshim thelbësor: Chat Haus është një hapësirë bashkëpunimi për chatbot-ët e inteligjencës artificiale, dhe gjithçka përfshirë “njerëzit” është ndërtuar nga kartoni. Në fakt, Chat Haus është një instalacion artistik nga artisti i Brooklyn-it, Nim Ben-Reuven. Ai strehon disa robotë kartoni që “punojnë” në kompjuterët e tyre, duke lëvizur falë motorëve të vegjël elektrikë. Një tabelë ofron hapësira pune për “vetëm” 1,999 dollarë në muaj, ndërsa një tjetër e përshkruan vendin si “Një hapësirë bashkëpunimi luksoze për chatbot-ët”. Ben-Reuven u shpreh për TechCrunch se e ndërtoi këtë instalacion si një mënyrë për të përballuar me humor ndryshimet që AI po sjell në industrinë ku punon — dizajni grafik dhe videografia. Ai shtoi se tashmë po refuzohet për projekte freelance, pasi shumë kompani po zgjedhin mjetet e AI-së në vend të punës njerëzore.
“Ishte një shprehje frustrimi përmes humorit, në mënyrë që të mos bëhesha shumë i hidhur për transformimin e shpejtë të industrisë dhe faktin që nuk dua të jem pjesë e këtij ndryshimi,” tha Ben-Reuven. “Mendova: do të luftoj me diçka qesharake që më bën të qesh vetë.” Ai shpjegoi gjithashtu se dëshironte të ruante një ton të lehtë në këtë instalacion, për të mos e ngarkuar me negativitet. Sipas tij, arti shumë negativ kërkon vazhdimisht të justifikojë veten, ndërsa një ton më i butë i lejon vizitorët të çdo moshe dhe opinioni mbi AI-në ta përjetojnë më natyrshëm.
Lexo edhe:“Mafia e OpenAI” – 15 startup-et më të suksesshme themeluar nga ish-punonjës!
Gjatë një bisede me Ben-Reuven në Pan Pan Vino Vino, një kafene përballë ekspozitës, shumë kalimtarë ndaleshin për të parë Chat Haus. Tre gra të reja bënë fotografi, ndërsa një grup nxënësish filloristë pyetën me kureshtje shoqëruesit e tyre për instalacionin. Ben-Reuven thekson se, pavarësisht ndikimit të AI-së në industrinë e tij, kjo sfidë mbetet shumë më e lehtë për t’u përballuar krahasuar me tragjeditë dhe traumat që ndodhin në botë sot. “Në krahasim me luftërat dhe tmerret e tjera që ndodhin në botë, ndikimi i AI-së në fushën kreative më duket një gjë relativisht e lehtë për t’u kapërcyer,” tha ai.
Ben-Reuven gjithmonë ka përdorur kartonin në artin e tij. Në shkollën e lartë realizoi një replikë të një terminali aeroporti me përmasa reale, plotësisht prej kartoni. Në periudhat midis projekteve freelance, ai ka ndërtuar robotë kartoni — që i quan “bebet prej kartoni”. Përdorimi i tyre në Chat Haus ishte një zgjedhje natyrale — dhe siç thotë me humor, një mënyrë për t’i larguar nga apartamenti. Materiali i kartonit ka gjithashtu një domethënie më të thellë për artistin, si një metaforë për qëndrueshmërinë e diskutueshme të krijimeve të AI-së. “Përkohshmëria dhe brishtësia e këtyre krijimeve prej kartoni pasqyron mënyrën si AI po ndikon në industritë kreative,” tha ai. “Njerëzit mund të krijojnë imazhe në Midjourney që duken fantastike në Instagram dhe entuziazmojnë fëmijët, por me pak analizë më të thellë, janë të kota. Ashtu si këto robotë kartoni — me një ngarkesë të vogël, shemben menjëherë.” Megjithatë, ai e kupton tërheqjen që kanë konsumatorët ndaj artit të krijuar nga AI, duke e krahasuar me ushqimin e shpejtë: një kënaqësi e shpejtë, por e përkohshme.
Aktualisht, Chat Haus është një ekspozitë e përkohshme, pasi ndërtesa ku ndodhet është në pritje të miratimit të lejeve për rinovim. Ben-Reuven shpreson ta mbajë instalacionin deri në mesin e majit dhe, nëse ka mundësi, ta zhvendosë në një galeri më të madhe. Ai dëshiron ta zgjerojë ekspozitën — megjithëse shqetësohet për vendin që do t’i nevojitet për materialet e reja. “Më dukej shumë qesharake të përshkruaja këtë ide të robotëve të vegjël, njëkohësisht të ëmbël dhe të çuditshëm, që punojnë pa pushim në një magazinë, duke përtypur prompt-et tona të ChatGPT-së dhe duke konsumuar aq shumë energji sa një shtet i tërë si Zvicra,” tha Ben-Reuven. Chat Haus ndodhet aktualisht në vitrinën e ndërtesës në adresën 121 Norman Avenue, në lagjen Greenpoint të Brooklyn-it, Nju Jork.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.