Skema e subvencionimeve në bujqësi këtë vit u miratua në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave.
Në daljen për mediat, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tha se, “këtë vit, me një buxhet të shtuar në 3,313 miliardë lekë do t’i vijmë në ndihmë blegtorëve, bletarëve, fermerëve të serave, atyre që ndërtojnë ferma organike, por edhe ndërtimit të tregjeve të reja bujqësore dhe të kafshëve të gjalla dhe deri tek përçimi i teknikave të reja të kultivimit përmes skemës kombëtare të trajnimit në bujqësi”.
Fokus kryesor, sipas saj, do të marrë blegtoria, si sektori prioritar i kësaj skeme.
“Mbështesim ferma me jo më pak se 10 lopë të matrikulluara me deri 10 mijë lekë/krerë dhe jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt, si dhe fermat me jo më pak se 100 dele ose dhi me deri 1200 lekë për krerë, por jo më shumë se 360 mijë lekë për subjekt”, tha ministrja.
Për të tretin vit radhazi mbështetet edhe skema e naftës falas për fermerët.
Krifca tha se, “rreth 1,4 miliardë lekë do të përdoren për të lehtësuar fermerët nga kosto që i peshon më shumë në aktivitetin e tyre atë të karburantit”.
Me një pagesë direkte prej deri 400 mijë lekë për ha, subvencionohen kultivuesit e perimeve, rrushit për tavolinë dhe luleshtrydhet në sera, duke lehtësuar kostot e inputeve bujqësore për këto aktivitete. Mbështetja me subvencione do të vijojë edhe për bletarinë si një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale”.
Lexo: Rritet rreziku i burnout në punë, cilët janë sektorët më të stresuar?
“Mbështesim çdo zgjua me 1000 lekë për ferma me jo më pak se 50 zgjoje dhe deri në 150 mijë lekë për subjekt”, tha Krifca. Pjesë e mbështetjes do të jenë edhe fermat organike dhe ato që certifikohen me standardin Global GAP.
Në sektorin e peshkimit, mbështetja parashikon blerjen e motorëve të rinj, dhe agregateve të tjera, si dhe riparimin e anijeve deri në 50% të vlerës së blerjes, por jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.