Anëtarësimi në BE ka qenë dhe do të jetë në vijim kryefjala dhe sfida më e madhe për vendin tonë.
Mimi Kodheli, kandidate për deputete e Partisë Socialiste, e cila ka qenë aktive në proceset integruese të vendit, thotë në një intervistë për “Monitor” se çdo pikë e programit është hartuar duke pasur si pikë referimi integrimin dhe anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ajo shton se në të ardhmen, planet për nxitjen e vendit do të fokusohen në ekonominë blu dhe inovacionin, ku startup-et, nxitja e sipërmarrjes sidomos tek të rinjtë, stimujt direkt për çdo shqiptar që jeton në emigracion për t’u kthyer dhe për të investuar në Shqipëri.
Jemi në ditën e zgjedhjeve elektorale dhe programi juaj tashmë është i qartë. Nuk ka ndryshime të theksuara nga programi i mëparshëm i juaji me argumentin se do të vazhdoni punët që keni nisur. Vijimi i cilave impenjime është prioritet mes prioriteteve të së majtës?
Kemi ende punë për të bërë për zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Fokusi ynë është pikërisht në rimëkëmbjen ekonomike, duke marrë parasysh dy goditjet që vendi ynë mori nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia, e cila vazhdon të jetë e pranishme edhe sot.
Janë dy goditje të cilat rënduan shumë financat e vendit, por Shqipëria nuk u gjunjëzua.
Fokusi ynë do të vazhdojë të jetë te rritja e punësimit, nxitja dhe ndihma ndaj bizneseve sidomos të vogla, ku ky vit shënon vitin fiskal në të cilin bizneset e vogla me xhiro prej 14 Milion lek/vit kanë një taksë 0 lek mbi tatimin fitim dhe TVSH 0% për të gjithë bizneset me xhiro deri në 10 Milion Lek/vit, duke përfituar kështu në mënyrë direkte rreth 94.000 biznese apo thënë ndryshe, 77% e numrit të total bizneseve në Republikën e Shqipërisë.
Fokus tjetër është dhe zhvillimi i bujqësisë, ku përveç skemave direkte me fondet kombëtare dhe IPARD të Bashkimit Europian, sot fermerët do të kenë dhe kostot e përdorimit të naftës në bujqësi me zero taksa dhe zero akcizë, duke ndikuar në mënyrë direkte në reduktimin e kostove të prodhimit në bujqësi.
Po bëhet një përpjekje kolosale me mbulimin me vaksina anti-Covid-19 të popullatës së riskuar, me qëllim që të krijojmë kushte pune më të favorshme për sezonin e turizmit dhe drejt një hapje totale të ekonomisë, me qëllim që sektori i turizmit, si më i prekuri gjatë pandemisë, por jo vetëm të rigjejë frymëmarrje këtë vit.
Lexo: Andriola Kambo: Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon një mundësi bashkëpunimi
Nëpërmjet investimeve publike në energji, infrastrukturë, bujqësi dhe shëndetësi dhe pjesë të rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti nxisim rritjen ekonomike dhe mbajmë punësimin në normat e targetuara.
Ndërkohë është i domosdoshëm thellimi i reformave të nisura si në: reformën në drejtësi, lufta ndaj krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit dhe shërbimet publike përmes dixhitalizimit të tyre si pjesë integrale dhe e detyrimeve që kemi marrë përsipër me Bashkimin Europian për proceset integruese të Shqipërisë.
Shqipëria 2030 nuk mund të mos jetë e fokusuar në ekonominë blu dhe inovacionin, ku startup-et, nxitja e sipërmarrjes sidomos tek të rinjtë, stimujt direkt për çdo shqiptar që jeton në emigracion për t’u kthyer dhe për të investuar në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë në fokusin e të majtës shqiptare.
Integrimi në BE është kryefjalë dhe njëkohësisht sfida më e madhe e vendit tonë. Sa e ndihmon programi juaj ekonomik këtë integrim. Konkretisht, si është parashikuar të jetë në shërbim të tij?
Anëtarësimi në BE ka qenë dhe do të jetë në vijim kryefjala dhe sfida më e madhe për vendin tonë.
Reformat e ndërmarra, si në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, krijimi i të gjitha Institucioneve të drejtësisë, duke përfshirë edhe SPAK dhe BKH, reforma në administratën publike, lufta ndaj informalitetit ekonomik, mënyra e taksimit, ligjet e miratuara në Kuvend, duke përafruar legjislacionin shqiptar me Acquis të B-së dhe angazhimi për të avancuar përpara këto reforma e të tjera madhore, janë kryefjala e politikave tona.
Gjithmonë flitet për program politik dhe nuk flitet asnjëherë për objektiv. Në fakt, programi politik është totalisht i orientuar drejt procesit të integrimit dhe drejt Shqipërisë 2030, e cila synon jo vetëm reforma pa kthim, por edhe një zhvillim të qëndrueshëm dhe në linjë me Axhendën 2030 të OKB.
Çdo pikë e programit është hartuar duke pasur si pikë referimi integrimin dhe anëtarësimin e RSH në Bashkimin Europian.
Ne kemi në dorë të vazhdojmë dhe realizojmë detyrat e shtëpisë, ato detyra që ua kemi premtuar qytetarëve shqiptarë, pastaj i takon BE-së të marrin vendimin. Sot që flasim, Shqipëria ka realizuar pikë për pikë të gjitha detyrimet e vendosura dhe të dakordësuara me BE-në në lidhje me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare, dhe këtë nuk e them unë, por e konfirmuar nga Komisioni i B-së.
Cilat janë detyrat kryesore për integrimin, në të cilat do të duhet të fokusohet qeverisja e ardhshme?
Detyrat në procesin e integrimit europian janë të qarta. Ato bazohen kryesisht në plotësimin e kritereve të Kopenhagës të cilat janë: Rendi dhe demokratizimi, kriteret ekonomike dhe përafrimi i legjislacionit.
Elementi ndërlidhës midis kritereve të Kopenhagës dhe Shqipërisë është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila është e shtjelluar në Planin Kombëtar për Integrimin Europian, i cili përditësohet çdo vit: kjo do të thotë që ato detyrime të arritura hiqen nga PKIE dhe mbahen ato masa që vijojnë për zbatim.
Gjithsesi ka edhe tregues për ecurinë e procesit dhe këto janë kryesisht tre të tilla.
I pari është Raporti i Komisionit Europian (por jo vetëm janë vendimet e Këshillit Europian dhe rezolutat e Parlamentit Europian). Kohët e fundit ka pasur një seri detyrash që duhet të plotësohen për sa i përket kriterit të parë të Kopenhagës (janë ato që quhen kushtet e Bundestagut që janë marrë të mirëqena dhe nga Këshilli Europian dhe janë baza për fillimin e procesit të negociatave.
Tregues të tjerë janë raportet e brendshme që prodhojnë institucionet shqiptare, si dhe grupet e interesit apo edhe shoqëria civile.
Lexo: Sejko: BSH optimiste. Nuk ka nevojë për stimuj të tjerë financiarë
Të gjitha këto dokumente përbëjnë punën e institucioneve shqiptare për ecurinë në procesin e integrimit. Po presim fillimin e punimeve të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, pasi pikat e dakordësuara, si më poshtë, janë tashmë të plotësuara nga ana jonë:
Miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe të dakordësuara me të gjitha palët politike në vend
Vazhdimi i Reformës në Drejtësi, duke garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë
Finalizimi i ngritjes së strukturave kundër krimit të organizuar dhe antikorrupsionit SPAK dhe BKH
Trajtimi i fenomenit të azilkërkuesve dhe sigurimi i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë, duke punuar ngushtë me FRONTEX
Amendimi i Ligjit të Medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias
Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare
Realizimi i reformës në fushën e së drejtës së pronës, përfshirë dhe përparimin në procesin e regjistrimit të pronave
Ndërsa për sa i përket kriterit të dytë, atij ekonomik, edhe ky kriter ka treguesit e vet. Detyrat për Shqipërinë janë të përcaktuara dhe të bashkërenduara me kërkesat që ka bërë MoneyVal për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet dhe bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-së dhe nëpërmjet Plan Veprimit në përgjigje të rekomandimeve të FATF (Financial Action Task Force).
Duhet theksuar se edhe këto detyrime janë të barasvlefshëm me kriterin e parë dhe do të thosha, edhe të ndërvarura. Pra një vend pa një ekonomi të qëndrueshme nuk mund të ketë institucione të qëndrueshme, dhe anasjelltas.
Ndërsa për sa i përket kriterit të tretë të Kopenhagës duhet thënë se puna vijon normalisht dhe legjislacioni shqiptar është pothuajse i gjithi i përafruar me Acquis, sipas afateve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, megjithatë duhet marrë parasysh që legjislacioni në natyrën e tij është dinamik dhe nuk mund të konsiderohet asnjëherë i përfunduar. Ajo që është e rëndësishme në këtë proces, por edhe në dy kriteret e mësipërme, nga pala shqiptare duhet të tregohet progres i vazhdueshëm dhe konsistent.
Në momentin e zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe derisa të jemi anëtarë me të drejta të plota në BE, legjislacioni shqiptar, sipas dhe kapitujve që do të hapen një pas një me BE do të pësojë një përafrim me Acquis në linjë të plotë me vendet anëtare të BE, proces i cili do të marrë kohën e vet.
Sa rol kanë zhvillimet ekonomike drejt integrimit? Politikat ekonomike, përkrah cilave politika të tjera të rëndësishme duhet të ecin, në mënyrë që të krijojmë kushtet për një treg të hapur dhe të gatshëm për t’u njehsuar me BE-në?
Siç u tha edhe më sipër, proceset e anëtarësimit janë të ndërvarura dhe nuk mund të konsiderohen të ndara, prandaj edhe BE flet për procesin e anëtarësimit të degëzuar kryesisht në tre drejtime, që janë kriteret e Kopenhagës, të cilat janë të artikuluar në legjislacionin e brendshëm të BE.
Për sa u përket zhvillimeve ekonomike është e rëndësishme të theksohet që në parametrat ekonomikë dhe fiskalë e buxhetorë të një vendi duhet të konvergojnë me parametrat ekonomikë, fiskalë dhe buxhetorë të Bashkimit Europian paralelisht. Zhvillimi ekonomik është dhe baza e një demokracie të shëndoshë dhe kriter kryesor për anëtarësimin europian.
Aktualisht është pak e vështirë të flitet për kriterin ekonomik për arsye të situatave të jashtëzakonshme që kanë goditur vendin tonë.
Së pari, tërmeti i 26 nëntorit, i cili ka krijuar jo pak tronditje në buxhetin e shtetit për rialokimin e fondeve në ndihmë të dëmtuarve dhe tashmë për procesin e rindërtimit. Por nuk u mjaftua me kaq: edhe pandemia ishte një shtesë e tejskashme për rrezikshmërinë e një ekonomie ende të brishtë si ajo e vendit tonë.
E megjithatë, falë edhe ndihmës ndërkombëtare (kryesisht të BE-së) dhe menaxhimit të përshtatshëm të financave shqiptare, ia dolëm të mbanim nën kontroll buxhetin e shtetit dhe të përballonim të dyja këto sfida.
Ndërsa për sa i përket pandemisë duhet theksuar se ishte totalisht një e papritur, jo vetëm për ne por edhe për vendet e zhvilluara. Ndërkohë ne po vijojmë, synojmë drejt një hapje totale, vendet e mëdha si Franca e Gjermania janë ende në mbyllje totale, edhe pse këtu duhet theksuar që ndikojnë një sërë faktorësh si: menaxhimi i situatës, numri i popullatës, klima, etj.
Pasojat e këtyre dy elementeve të paparashikueshme kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në ekonominë e vendit, prandaj është i domosdoshëm fokusimi në rikuperimin e parametrave ekonomikë, duke targetuar rritjen ekonomike, rritjen e punësimit dhe uljen në një moment të dytë të borxhit publik.
Pandemia ka dhënë efektet e saj në ekonomi. Ku është reflektuar pandemia (përballja ndaj pandemisë) në programin tuaj ekonomik?
Besoj që pak a shumë u trajtua dhe më lart, reflektimin direkt të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nga tërmeti (që duhet t’i shohim të ndërlidhura së bashku) janë reflektuar në buxhetin e shtetit për këtë vit, ku pjesa më e madhe e buxhetit shkon në shpenzimet buxhetore përmes investimeve në infrastrukturë, energji, bujqësi dhe shëndetësi e arsim.
Nuk mund të mendojmë të kemi një ekonomi në rritje pa garantuar shërbimin cilësor në shëndetësi dhe pa alokuar çdo shumë të nevojshme që ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë për përballimin e krizës së pandemisë, në blerjen e vaksinave dhe mjeteve e aparateve të tjera të domosdoshme dhe paralelisht me këto, edhe përfundimet e investimeve të mëdha të realizuara në shëndetësi, investimet në spitale dhe qendrat shëndetësore.
Kemi rritur rezervat e shtetit për të pasur fonde në dispozicion për pagesa apo paketa financiare, në rast mbyllje ekonomie dhe në ndihmë direkte ndaj bizneseve. Kemi ulur taksat dhe TVSH për bizneset dhe bujqësinë, rritëm pagën minimale për më shumë dinjitet në punë. Filluam këtë vit fiskal me paga të rritura në 40% për mjekët dhe infermierët si dhe 15% për mësuesit, kundrejt si një kontributi direkt për ato që ishin në frontin e parë të luftës me pandeminë, por dhe për të mbajtur trurin në Shqipëri.
Qeveria shqiptare pranoi që, pjesën më të madhe të barrës fiskale, t’ia kalonte vetes duke ulur disa taksa dhe të mos rëndonte xhepat e shqiptarëve, përkundrazi buxheti 2021 lë më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve, dhe investimet buxhetore së bashku me rritjen e pagave ta mbante si kosto të veten, duke rritur borxhin publik me interesa totale shumë më pak nga sa kemi paguar dhe një rritje borxhi të targetuar dhe afatshkurtër.
Kundërshtarët tuaj politikë janë prezantuar me një program ambicioz, që parashikon ulje taksash dhe programe mbështetjesh siç është bonusi për fëmijët? Ky është një program që ju nuk e mbështesni, në veçanti taksën e sheshtë? Cili është argumenti juaj kundërshtues?
Nuk e quaj dot program ambicioz atë të opozitës, pasi më shumë më ngjason me një falimentim të buxhetit të shtetit, ku nga njëra anë kemi premtime për rritje pagash, rritje të pensioneve, rritje pagesa papunësie, rritje pagesash për target grupe të ndryshme, që do të ishte bukur sikur të ishin financat, dhe nga ana tjetër ulje taksash, ulje borxhi publik dhe implementim të taksës së sheshtë, e cila përveçse do të lehtësonte procesin administrativ të kontrollit nga autoritetet fiskale, do të sillte vetëm të ardhura më pak në buxhetin e shtetit, taksim më pak për bizneset e mëdha apo të ashtuquajturit nga opozita të “oligarkëve pranë pushtetit” dhe pagesa më shumë taksash për bizneset e vogla dhe individët me rroga të ulëta. Sesi do e financojë opozita me taksa më pak, me të ardhura të reduktuara gjithë premtimet për rritjen e pagave dhe pagesave në tërësi as vetë ata nuk dinë ende ta shpjegojnë, pasi nuk kanë një plan përveçse premtimeve elektorale.
Për sa i përket argumentit në lidhje me taksën progresive vs. taksës së sheshtë besoj e kemi argumentuar mjaftueshëm, megjithatë edhe si ekonomiste më lejoni t’jua shpjegoj dhe njëherë qartazi si e shoh unë dhe e majta shqiptare një çështje të tillë.
Në përgjithësi, një sistem i duhur i tatimit mbi të ardhurat mund të luajë rolin e një mjeti efektiv në luftimin e pabarazisë së shpërndarjes së të ardhurave, e cila shpesh konsiderohet të ketë efekte negative në qëndrueshmërinë ekonomike. Për më tepër, edhe Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm e OKB, ka vendosur një qëllim të rëndësishëm për uljen e pabarazive dhe sigurimi i një pune të denjë për të gjithë, pozicionimi i tyre në qendër të politikave të hartuara për një qëndrueshmëri, rritje dhe zhvillim, duke përfshirë zvogëlimin e pabarazive, nuk është vetëm një qëllim, por një “nxitës për zhvillim te qëndrueshëm”.
Argumenti kryesor yni është se, duke rritur punësimin dhe duke zvogëluar pabarazitë, më shumë njerëz do të kenë një fuqi blerëse më të madhe.
Ndër llojet e sistemeve të taksimit, tatimi progresiv dihet se është më i popullarizuari dhe targeton në masë uljen e pabarazisë në të ardhura, me synimin që ai që merr më shumë, të paguajë më shumë, dhe ai që merr më pak të paguajë më pak, ose dhe fare nëse të ardhurat e tij janë pranë minimumit jetik.
Ne mbështesim sistemin progresiv të taksave me argumentin se pagat/të ardhurat më të larta u mundësojnë njerëzve të pasur të paguajnë taksa më të larta dhe se ky është sistemi më i drejtë sepse zvogëlon barrën tatimore të të varfërve. Meqenëse të varfrit kanë të ardhurat më të vogla të disponueshme dhe shpenzojnë një pjesë më të lartë të parave të tyre për nevoja themelore të mbijetesës, siç është strehimi, ky sistem u lejon atyre të mbajnë më shumë nga paratë e tyre.
Tatimpaguesit e pasur janë më të aftë të sigurojnë nevojat e tyre fizike dhe për këtë arsye ngarkohen më shumë. Një taksë e sheshtë do të injoronte ndryshimet midis taksapaguesve të pasur dhe të varfër.
Taksa e sheshtë ka vetëm një normë tatimore. Të gjithë mbajnë të njëjtën përgjegjësi relative dhe askush nuk është i ngarkuar në mënyrë të ndryshme, por ky sistem rrezikon t’u marrë shumë para qytetarëve më të varfër dhe ne nuk e duam një gjë të tillë. Shqipëria ka ende shumë për të bërë drejt një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, ndaj dhe sistemi progresiv i taksave është më i drejti aktualisht.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.