Më shumë produkte ‘Made in Albania’ në panairet ndërkombëtare - Business Magazine Albania

Më shumë produkte ‘Made in Albania’ në panairet ndërkombëtare


Pjesëmarrja dhe prezantimi sa më i mirë i biznesit shqiptarë në expo apo panaire të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ishin në fokus të një takimi që Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi organizoi në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), ku të ftuar ishin përfaqësuesit e Bashkimit Kombëtar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe kryetarët e 12 Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së qarqeve.

Në fillim të fjalës së saj ministrja Ekonomi u shpreh se, “ky takim do shërbejë për të propozuar së bashku panairet kombëtare dhe ndërkombëtare ku duhet të marrin pjesë bizneset tona. Është e rëndësishme që së bashku të vendosim një listë panairesh ku mund të promovojmë produktin “Made in Albania””.

Për zgjerimin jo vetëm të biznesit, por edhe të ekonomisë shqiptare, tha ministrja Ekonomi, duhet që produkteve shqiptare t’i japim zë në ato tregje ku janë shfaqur kërkesa të reja dhe në ato tregje ku produktet janë të konsoliduara dhe vetëm mbi bazën e kësaj njohjeje duhet të organizojmë panairet e vitit të ardhshëm.

“Prodhimet e qumështit dhe nënproduktet e tij, janë ato produkte të cilat kanë nevojë për hapësirë, po ashtu edhe bimët medicinale, produktet e tekstilit dhe lëkurës, ICT-ja. Kemi tregjet e Azisë së Veriut, tregjet e Lindjes së largët, të cilët kanë shprehur interes të vazhdueshëm për prodhimet shqiptare pasi ata kanë një ekonomi të hapur dhe duan shumëllojshmëri në treg. A jemi ne gati të marrim pjesë dhe si mund t’a promovojmë këtë pjesëmarrje?”, ngriti më tej pyetjen ministrja Ekonomi.

AIDA tashmë ka propozuar 11 panaire ndërkombëtare për vitin 2017. Zoti Gent Beqiri, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) të pranishmëve u prezantoi panairet ku mund të marrin pjesë si ato në Holandë 10-15 Janar 2017, Riva del Garda – Itali 14-17 Janar 2017, Moscone Ctr, San Francisco 22-24 Janar 2017, Biofaq – Gjermani 15-18 shkurt , Foodex Japan në Tokio, Japoni 7- 10 Mars 2017, EXPO Wine Bordeaux 2017 – Francë 18-21 Qershor, NINGBO – Kinë Korrik 2017,The Micam 2017 – Macfrut  2017,  Vakantiebeurs (panairi i pushimeve) 2017 dhe Fancy Food 2017 në SHBA, Ines Muçostefa, Kryetare e Bashkimit Kombëtar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë shprehu mendimin se  “ka ardhur momenti që t’a shikojmë në mënyrë strategjike çertifikimin e produkteve “Made in Albania”, siç e ka gjithë bota.

Pra t’i shquajmë kush janë dhe të nisim nga çertifikimet. Detyra e Dhomave të Tregtisë patjetër që duhet të jetë me pjesën e strukturimit dhe me dhënien e ndonjë çertifikimi si produkt “Made in Albania”. Kjo do të na japë dinjitet në tregun jashtë. Këtu duhet të kemi një shkëmbim të fortë informacioni mbi këto produkte”.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e quajti këtë takim si të parin e kësaj fryme të re bashkëpunimi me të gjithë kryetarët e Dhomave të Tregtisë dhe MZHETTS në një status tjetër. Shoqata e Prodhuesve, tha z. Jaka, duhet të identifikojë interesat që ka për të prezantuar produktet e veta.

“Pjesa e Afrikës kërkon të gjitha produktet që kanë të bëjnë me fruta – perimet, bulmetrat, qumështin dhe  produkte të pa eksploruara. Ndërkohë janë Egjipti, Iraku, Irani dhe Libia, që kërkojnë vazhdimisht produkte shqiptare. Në Europë, ne nuk mund të shkojmë me produkte që nuk kanë ende një standard europian.

Duhet të çertifikojmë eksportuesit dhe të shohim mundësitë që mbulon AIDA, gjithashtu të shohim se ku jemi ne kompetitiv në produktet që kemi. Në ato vende ku ne jemi kompetitiv, Dhomat e Tregtisë sipas anëtarësisë që kanë duhet të hartojnë buxhetin për panairet” u shpreh Nikolin Jaka.

Arben Shkodra zv. Kryetar i Bashkimit Kombëtar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë deklaroi se “duhet të hartohet një strategji e disa ministrive për eksportet njëkohësisht sinkronizim i të gjithë aktorëve”. Shkodra propozoi ngritjen e një komiteti për eksportet dhe panairet njëkohësisht edhe pasjen e një agjensie të dedikuar të eksporteve, përfshi promovimin e produkteve shqiptare.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë Shkodër z. Anton Leka, hodhi idenë, e cila u mbështet edhe nga kryetarët e dhomave të qarqeve të tjera për ngritjen e katër ose pesë qendrave për panaire në të gjithë Shqipërinë, të cilat krahas reklamimit të produkteve vendase, nëpërmjet tyre do të tërheqin vëmendjen edhe për aktivitete turistike dhe të industrisë HORECA.

Në fund të takimit ministrja Milva Ekonomi shprehu gatishmërinë e saj për të hartuar një plan veprimi mes MZHETTS dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, duke ngritur një grup pune të përbashkët me një kalendar të rregullt takimesh dhe realizimesh të produkteve informuese dhe trajnuese.

 

burimi: Aida.gov.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0