Mario Ademaj, mjeku i ri shqiptaro-amerikan ofron vizita dhe ilaçe falas për vendin e tij - Business Magazine Albania

Mario Ademaj, mjeku i ri shqiptaro-amerikan ofron vizita dhe ilaçe falas për vendin e tij


Mario Ademaj nuk është një yll roku, edhe pse i pëlqen të këndojë, herë pas here, siç bëri këtë verë, kur përjetoi emocionet e dhëndrit. Në jetë bën mjekun. Pasioni i tij është bamirësia.

Mario dhe bashkëshortja e tij kanë ardhur nga Kalifornia e largët, ku jetojnë, për të celebruar dashurinë në vendin e origjinës, në Shqipëri, te rrënjët e tyre.

Pas dasmës, tradita e do që çifti të shkojë në muaj mjalti, por ka prioritete. Para muajit të mjaltit, Mario do të kryejë ritualin e përvitshëm – përgjatë një dite duhet t’u ofrojë banorëve të një qyteti vizita dhe medikamente falas.

Mbarova shkollën e mjekësisë në Amerikë dhe mendova se duhet të bëja diçka për vendin tim.” – thotë Mario.

Dy vite më parë, së bashku me disa mjekë vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria u ofroi shërbim banorëve të Pogradecit.

“Aty brenda një dite erdhën 2000 pacientë, të cilët nuk kishin parë doktor me sy, gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për arsye financiare.”

Këtë herë zgjodhi Shkodrën dhe arriti të frymëzojë edhe vullnetarë të rinj.

“Për shoqatën dëgjova në rrjetet sociale. Mua më pëlqen puna vullnetare. Ishte një risi edhe për qytetin  e Shkodrës, pasi nuk bëhen shpesh gjëra të tilla. Kjo është një eksperiencë shumë e mirë për mua,” thotë një mjek vullnetar që i është bashkuar nismës së Marios.

Kësaj nisme iu përgjigj edhe një dentiste, e cila ka ofruar mjedisin e klinikës së saj për vizitat e mjekëve.

“Isha shumë e gatshme dhe ishte kënaqësi për mua që ta ofroja këtë ambient. Vullnetarizmi në Shkodër nuk është i  përhapur. Mario është ndër rastet e pakta.”

Mario është larguar në moshë të hershme nga Shqipëria. Nuk e kishte ëndërruar kurrë që një ditë do të studionte mjekësi në Amerikë. Zgjedhjen e bëri i nisur nga sëmundja e rëndë e të atit, nga nevoja që ai kishte, jo vetëm për ndihmë mjekësore, por mbi të gjitha njerëzore. Babain, fatkeqësisht nuk arriti ta mbante në jetë, por u zotua që do të bënte gjithçka për të tjerët.

Për të, mjekësia është mbi të gjitha humanizëm dhe që në vitet e shkollës formëzoi idenë e një klinike ambulatore falas në shërbim të bashkëatdhetarëve.

Sot, kjo ide është konkretizuar në një organizatë që quhet “Skuadra mjekësore ndërkombëtare për Shqipërinë”, e cila ndihmohet nga familje të ndryshme shqiptare.

“Për fondet kemi një komunitet shqiptaro-amerikan të jashtëzakonshëm në SHBA. Në shtete të ndryshme që nga Miçigani, Viskonsin, Kalifornia, Çikago. Familjet që na mbështesin në Amerikë nuk janë familje të pasura, nuk kanë para, por e vlerësojnë shumë situatën e rëndë shëndetësore në Shqipëri. Fondet që na japin shkojnë për medikamente. Minimumi që meritojnë njerëzit këtu është shëndeti,” thotë Mario.

Plani i Marios është që një ditë, klinika e tij falas, të shtrihet në të gjitha trevat, ku ka shqiptarë.

burimi: Reporter.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Nëse nuk ndërton ëndrrën tënde, dikush tjetër do të të punësojë për të ndërtuar të tijën.”
— Tony Gaskins
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0