Macron kërkon masa të ashpra ndaj rrjeteve sociale përpara zgjedhjeve në Europë - Business Magazine Albania

Macron kërkon masa të ashpra ndaj rrjeteve sociale përpara zgjedhjeve në Europë

Presidenti francez Emmanuel Macron po ushtron presion mbi Ursula von der Leyen për të forcuar zbatimin e rregullave digjitale të Bashkimit Europian, në një përpjekje për të frenuar ndërhyrjet e huaja në zgjedhje. Në një letër të datës 16 mars, Macron kërkon masa më të forta ndaj platformave sociale, ndërsa France përballet me tentativa të vazhdueshme për të ndikuar në fushatën e zgjedhjeve vendore.

Sipas autoriteteve franceze të sigurisë, janë identifikuar disa raste ndërhyrjeje të huaja, përfshirë nga Rusia gjatë fushatës aktuale zgjedhore.

Në këtë kontekst gjeopolitik, Macron thekson se është jetike që BE dhe shtetet anëtare të garantojnë integritetin e diskursit publik dhe proceseve zgjedhore.

“Në një kohë kur qëndrimet armiqësore ndaj modelit europian po shtohen, duhet të sigurojmë zgjedhje të drejta dhe mbrojtje optimale nga manipulimi i informacionit,” shkruan ai.

Viti 2026 do të jetë vendimtar për Europën, me 11 vende që shkojnë në zgjedhje, ndërsa në 2027 priten procese kyçe në Francë, Itali dhe Poloni.

Lexo edhe: Ngushtica e Hormuzit, pika kritike e energjisë dhe ushqimit për Europën

Thirrje për veprim të menjëhershëm ndaj platformave

Macron kërkon përditësimin e udhëzimeve të vendosura për zgjedhjet europiane të vitit 2024 dhe zbatim më rigoroz të Digital Services Act (DSA). Në fokus janë platformat kryesore si: Meta (Facebook, Instagram) dhe TikTok.

Ai thekson se nuk kërkohet rishikim i ligjit, por zbatim i plotë i tij, veçanërisht për identifikimin dhe minimizimin e rreziqeve që mund të ndikojnë proceset zgjedhore.

Algoritmet, AI dhe llogaritë false në qendër të debatit

Letra e Macron vë theksin në disa masa konkrete:

Kufizimin e përhapjes virale të përmbajtjeve nga algoritmet
Etiketimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale
Heqjen e llogarive false
Transparencë më të madhe për reklamat politike

Sipas rregullave të DSA-së, platformat mund të përballen me gjoba deri në 6% të të ardhurave globale nëse nuk respektojnë detyrimet.

Hetime dhe precedentë në Europë

Vitet e fundit, BE ka hapur hetime ndaj platformave për ndërhyrje të mundshme në zgjedhje, përfshirë raste kundër Meta dhe TikTok. Një nga rastet më të ndjeshme ishte në Rumani, ku zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 u anuluan pas dyshimeve për manipulim përmes llogarive të koordinuara dhe amplifikimit algoritmik. Macron kërkon që Brukseli dhe kryeqytetet europiane të krijojnë një mekanizëm të përbashkët dhe të shpejtë reagimi ndaj ndërhyrjeve të huaja.

Sipas tij, vetëm përmes një koordinimi të fortë dhe veprimi të menjëhershëm mund të mbrohet demokracia europiane në një epokë ku teknologjia dhe informacioni janë bërë armë gjeopolitike.

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0