Llogarisni pak kohë të lirë për të lënë mendjen që të shëtisë - Business Magazine Albania

Llogarisni pak kohë të lirë për të lënë mendjen që të shëtisë

Nëse ndiheni të mbingarkuar, nuk jeni vetëm. Edhe përpara pandemisë, 60 për qind e personave në moshë madhore në Shtetet e Bashkuara raportuan se ndonjëherë ndiheshin shumë të zënë për të shijuar jetën, sipas një raporti nga Qendra Kërkimore Pew, ndërsa 52 për qind thanë se në mënyrë të vazhdueshme përpiqeshin të bënin të paktën dy gjëra në të njëjtën kohë.

Disa ekspertë thonë se antidoti i kësaj gjendjeje është falas dhe i mundshëm për këdo që dëshiron ta provojë atë: llogarisni pak kohë të lirë për të lënë mendjen që të shëtisë.

Kjo praktikë është portretizuar kohët e fundit si “të mos bësh asgjë”, pjesërisht falë librit të Olga Mecking të vitit 2020, “Niksen: Arti holandez për të mos bërë asgjë” (Niksen: Embracing the Dutch Art of Doing Nothing).

Por, nëse ideja që të mos bëni asgjë, ndërsa keni një axhendë shumë të ngarkuar, ju tingëllon stresuese, nuk duhet të keni frikë.

Sipas Erik Dane, profesor i asociuar i sjelljes organizative në Fakultetin e Biznesit Olin në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis, të mos bësh asgjë nuk do të thotë domosdoshmërisht që thjesht të shohësh nga dritarja (megjithëse në fakt, edhe kjo mund të ishte një mënyrë për të mos bërë asgjë).

“Nga pikëpamja biologjike dhe psikologjike, ne pothuajse kurrë nuk jemi duke mos bërë asgjë,” tha Dane. Ai dhe ekspertë të tjerë besojnë se thjesht ngadalësimi i mjaftueshëm i ritmit tonë për t’i dhënë mendjes një mundësi për të “shëtitur” dhe për të reflektuar, do të ishte e gjithë “asgjëja” që na nevojitet për t’u ndier më pak të shqetësuar.

“Shëtitja e mendjes” u referohet mendimeve që shfaqen spontanisht dhe që nuk lidhen me detyrën që po bëjmë apo me rrethanat ku ndodhemi, tha Dane. “Për shembull, papritur fillojnë t’ju shfaqen kujtime, ose filloni duke e menduar veten në situata të ndryshm,e ku mund të ndodheshit në të ardhmen.” Megjithatë, duke pasur parasysh jetën tonë të ngarkuar, shpesh na duhet të krijojmë kushtet e favorshme për të çliruar mendjet tona.

Mënyra se si bëhet kjo mund të ndryshojë nga personi në person, madje edhe nga dita në ditë. Elisabeth Netherton, një psikiatre dhe drejtuese mjekësore rajonale në Mindpath Health me qendër në Hjuston, tha se hapat kryesorë për ta arritur këtë janë shmangia e reagimit ndaj shpërqëndrimeve apo e fokusimit në një detyrë specifike.

“I gjithë qëllimi është që të kaloni në një hapësirë ​​më reflektuese,” tha ajo. “Nuk lidhet edhe aq shumë me atë që po bëni në të vërtetë, por lidhet me hapësirën ku ndodheni brenda kokës tuaj.”

Një nga aspektet më tërheqëse të shëtitjes së mendjes është thjeshtësia e saj, diçka që shumë prej nesh po e kërkojmë në një kohë kur kufizimet e koronavirusit po reduktohen dhe jeta po rifillon me një ritëm më normal.

Nëse praktikat e kujdesit për veten që i përshtateshin stilit tuaj të jetesës gjatë periudhave të mëparshme të pandemisë nuk kanë më kuptim, pasi kalendari juaj po mbushet plot, atëherë llogaritja e një kohe të caktuar për ta lënë mendjen që të shëtisë dhe të reflektojë do të ishte një mënyrë e shkëlqyer për të “rifreskuar veten tuaj”, tha Netherton.

Përfitimet që vijnë nëse e lini mendjen tuaj të shëtisë

Sipas Moshe Bar, profesor i neuroshkencës në Universitetin Bar-Ilan në Tel Aviv, shëtitja e mendjes është thelbësore për krijimtarinë dhe zgjidhjen e problemeve.

“Kjo është mënyra se si lindin idetë e mëdha” – tha ai. Kur reflektojmë mbi kujtimet tona, kur imagjinojmë se çfarë mund të kishte ndodhur ose si mund të ndodhë një situatë e caktuar në të ardhmen, truri ynë e ruan këtë informacion në të njëjtën mënyrë siҫ ruan një përvojë të vërtetë në jetën reale. Dhe, ashtu si përvojat tona ndikojnë te vendimet dhe idetë që vijnë në të ardhmen, po ashtu ndikojnë edhe këto simulime, tha Bar.

Duke qenë se shëtitja e mendjes nxit krijimtarinë, ajo gjithashtu mund të ketë një efekt pozitiv edhe në humorin tuaj. Sa më krijues të jeni, aq më shumë gëzim mund të përjetoni, dhe anasjelltas, tha Bar. Si humori juaj, ashtu edhe niveli i krijimtarisë mund të përmirësojnë dhe të përmirësohen nga horizonti i mendimeve tuaja dhe nga të qenit i hapur ndaj përvojave të reja. Bar i quajti këta faktorë “një grup që lëviz së bashku”.
Lexo më tepër: Si të shmangni të qenit konfuz në punë

Ndryshe nga ajo që mund të mendoni, shëtitja e mendjes mund të na ndihmojë gjithashtu që të bëjmë më shumë punë. Megjithëse ne nuk do të prisnim kurrë që trupat tanë të vrapojnë gjatë gjithë ditës, ne në njëfarë mënyre presim që truri ynë të funksionojë 24/7.

Vlera e lartë që shoqëria i jep produktivitetit do të thotë që ne shpesh vazhdojmë të punojmë, edhe kur e vërejmë se jemi duke u ngadalësuar ose duke bërë gabime. Por, duke i parandaluar situata të tilla, pushimet e shkurtra mund të na bëjnë më produktivë.

Ndërkohë, nëse mendja jonë nuk do të shpërqendrohej kurrë nga detyra aktuale, atëherë nuk do të kujtoheshim për detyrat e tjera që duhet të kryejmë. Studimet kanë vërtetuar se ekziston një lidhje midis shëtitjes së mendjes dhe përmbushjes së qëllimeve tona.  Washington Post

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0