Lexo15min, platforma shqiptare që përmbledh librat më të rëndësishëm në vetëm 15 minuta! - Business Magazine Albania

Lexo15min, platforma shqiptare që përmbledh librat më të rëndësishëm në vetëm 15 minuta!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Eni Muça– Koha është bërë një nga burimet më të kufizuara për shumë njerëz që duan të lexojnë dhe të zhvillohen. Librat qëndrojnë shpesh në listat e leximit për muaj të tërë, ndërsa përditshmëria mbushet me angazhime, shpërqendrime dhe ritme të shpejta. Pikërisht nga ky realitet lindi Lexo15min, një platformë shqiptare që synon t’i bëjë idetë kryesore të librave më të rëndësishëm të aksesueshme brenda një kohe shumë më të shkurtër.

Pas kësaj iniciative qëndron Florim Saliu, i cili vjen nga fusha e teknologjisë dhe prej kohësh është i interesuar për mënyrën se si inovacioni mund të thjeshtojë jetën e përditshme të njerëzve.

Sipas tij, ideja për Lexo15min lindi nga një reflektim shumë personal mbi mënyrën se si njerëzit konsumojnë dijen sot. “Ideja për Lexo15min lindi nga një nevojë thellësisht personale. Dëshira për t’u zhvilluar dhe për të lexuar është e madhe, por koha fizike në përditshmërinë tonë është gjithnjë e më e kufizuar,” shpjegon ai. Në këtë kontekst, platforma synon të adresojë atë që ai e quan një fenomen gjithnjë e më të përhapur: varfërinë e kohës. Në një epokë të mbushur me shpërqendrime dhe ritme të shpejta jetese, Lexo15min synon të kthejë momentet e vogla të ditës – si trafiku, një pushim i shkurtër apo një ecje – në një mundësi për rritje personale.

Koncepti mbi të cilin është ndërtuar platforma është i drejtpërdrejtë: librat më të njohur në fusha si zhvillimi personal, biznesi, psikologjia apo lidershipi përmblidhen në një format të shkurtër që mund të lexohet ose dëgjohet brenda rreth 15 minutash. “Formati 15-minutësh nuk është rastësor. Është koha mesatare e një udhëtimi të shkurtër urban ose e një pushimi kafeje. Është një kohë optimale për të mbajtur përqendrimin maksimal,” thotë Saliu. Megjithatë, ai thekson se përmbledhja nuk është një proces i thjeshtë shkurtimi i përmbajtjes së librave. Qasja është më analitike dhe kërkon kujdes në mënyrën se si ruhet thelbi i veprës. “Ne nuk bëjmë thjesht shkurtim faqesh. Fokusohemi te teza kryesore e autorit, argumentet bazë dhe këshillat praktike që ai ofron. Ideja është që lexuesi të marrë vlerën thelbësore të librit pa u ndjerë i mbingarkuar,” shpjegon ai.

Një nga elementët që e bën platformën më fleksibël është integrimi i formatit audio. Për çdo përmbledhje ekziston edhe një version i dëgjuar, i cili u jep përdoruesve mundësinë ta konsumojnë përmbajtjen edhe kur nuk kanë mundësi të lexojnë. “Ne kemi integruar që tani formatin audio për çdo libër, në mënyrë që njerëzit t’i dëgjojnë idetë më të mira edhe kur nuk mund t’i mbajnë sytë në ekran,” shpjegon Saliu. Kjo ka ndryshuar edhe mënyrën se si përdoruesit e përdorin aplikacionin në përditshmëri. Shumë prej tyre e dëgjojnë përmbajtjen gjatë udhëtimit për në punë, në makinë apo gjatë aktivitetit fizik, duke e kthyer kohën që zakonisht do të kalonte pa produktivitet në një moment për të mësuar diçka të re.

Procesi i krijimit të një përmbledhjeje kërkon disa faza dhe një punë të kujdesshme editoriale. Fillimisht bëhet leximi i plotë i veprës origjinale, më pas identifikohen idetë kryesore dhe përgatitet teksti i përmbledhjes në një shqipe të qartë dhe të rrjedhshme. Pas redaktimit, përmbledhja regjistrohet në format audio për t’u integruar në aplikacion. “Për të arritur këtë standard të dyfishtë – tekst dhe audio – përgatitja e një titulli kërkon disa orë punë të dedikuar. Është një proces që kërkon kohën e vet për të mos bërë kompromis me cilësinë,” thotë ai. Në disa etapa të këtij procesi përdoret edhe inteligjenca artificiale, veçanërisht në teknologjitë text-to-speech, të cilat ndihmojnë në prodhimin dhe optimizimin e përmbajtjes audio.

Sipas themeluesit, përdoruesi tipik i Lexo15min është një individ ambicioz që kërkon të zhvillohet vazhdimisht, por që shpesh përballet me mungesë kohe. Në këtë kategori përfshihen sipërmarrës, profesionistë të rinj, studentë apo prindër me një axhendë të ngarkuar. Reagimet e para nga komuniteti kanë qenë pozitive dhe inkurajuese për ekipin që po zhvillon platformën. “Shumë përdorues na shkruajnë se e fillojnë ditën duke dëgjuar një libër gjatë rrugës për në punë ose gjatë një seance në palestër. Të dëgjosh që Lexo15min është bërë pjesë e rutinës së tyre pozitive është shpërblimi më i madh për punën tonë,” shprehet Saliu. Megjithatë, ndërtimi i një platforme të tillë në një treg relativisht të vogël si ai shqiptar nuk është pa sfida. Përveç zhvillimit teknik të aplikacionit dhe krijimit të një përvoje të qëndrueshme përdorimi, një nga sfidat kryesore mbetet edhe edukimi i tregut për të vlerësuar platformat edukative. Sipas Saliut, në një treg të vogël është e rëndësishme të krijohet një komunitet përdoruesish besnikë që e shohin abonimin jo si një kosto, por si një investim në dijen dhe kohën e tyre.

Lexo edhe:Kuturu, startup-i shqiptar që synon të ndryshojë përvojën e nomadëve digjitalë!

Modeli i biznesit i Lexo15min është ndërtuar mbi një sistem abonimi të thjeshtë dhe transparent që u jep përdoruesve akses në përmbledhjet me tekst dhe audio. Platforma ofron gjithashtu një periudhë prove falas për disa ditë, duke u dhënë përdoruesve mundësinë ta eksplorojnë përmbajtjen dhe cilësinë e saj përpara se të vendosin të abonohen. Në planet e zhvillimit përfshihet edhe eksplorimi i tregut B2B, ku kompanitë mund ta ofrojnë aplikacionin si një mjet trajnimi dhe motivimi për punonjësit e tyre.

Sa i përket të ardhmes së platformës, ambicia është të ndërtohet një arkiv gjithnjë e më i pasur përmbledhjesh në gjuhën shqipe. “Hapi ynë i radhës është të thellojmë arkivin për t’u bërë biblioteka më e madhe digjitale e përmbledhjeve me tekst dhe zë në gjuhën shqipe,” thotë Saliu. Në këtë drejtim, platforma planifikon të përfshijë jo vetëm bestsellerët ndërkombëtarë, por edhe autorë shqiptarë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e përmbajtjes në gjuhën shqipe.

Në të njëjtën kohë, Lexo15min nuk synon të kufizohet vetëm brenda kufijve të Shqipërisë. Platforma është konceptuar që në fillim për të arritur të gjithë komunitetin shqipfolës, përfshirë diasporën. “Ne nuk kufizohemi vetëm brenda kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Lexo15min synon të gjithë diasporën dhe komunitetin shqipfolës kudo në botë,” thekson ai, duke shtuar se platforma mund të jetë një mënyrë për të mbajtur gjallë lidhjen me gjuhën shqipe përmes zhvillimit personal dhe leximit.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0