Lajme nga industria e hulumtimeve të tregut - Business Magazine Albania

Lajme nga industria e hulumtimeve të tregut

hulumtime

Shkruar nga Silvana Xheka

Në datë 12 Mars 2021, përfunduan votimet për këshillin dhe presidencën e ESOMAR (the European Society for Opinion and Marketing Research) komuniteti ndërkombëtar i hulumtimeve marketing dhe zërit të konsumatorëve. ESOMAR është organizata që vendos “kushtetutën” e këtij sektori, që prej vitit 1947.


Me votë, u përfaqësuan edhe hulumtuesit shqiptarë, pjesë e këtij komuniteti, që mbledh bashkë 550+ kompani nga 130 shtete ku përfaqësohen mbi 40.000 profesionistë.
Duke qenë një vend i vogël, me komunitet lokal të limituar në numër (por jo në profesionalizëm besoj), Shqipëria, nuk është përfaqësuar me kandidaturë deri më sot. Shumëllojshmëria e prurjeve dhe demokratizimi i proçesit gjithsesi, nuk e përjashton këtë mundësi në të ardhmen.

I shqyrtova me vëmendje vizionet dhe prezantimet e kandidatëve, në mënyrë që vota ime të shpjerë ujë në mullirin që i shkon përshtat qasjes sime dhe interesit të tregut lokal. Kolonat bazë, ku u mbështetën fushatat e kandidatëve, tregojnë prirjet e përgjithshme të tregut të hulumtimeve, ndërkombëtarisht. E pashë me interes t’i përmbledh shkurtimisht dhe t’i servir për komunitetin lokal të biznesit dhe kolegët e hulumtimeve të tregut, pasi shumë prej tyre frymojnë edhe në konteks lokal.

1. Profesionistët e rinj – Investim në zhvillimin e fillestarëve (startups) dhe studentëve për të rritur dhe zgjeruar rrjetin me profesionistë që u përgjigjen kërkesave të tregut, gjithmonë në zhvillim.

2. Metodat digjitale – Adresimi i sfidave të industrisë rreth sigurisë dhe cilësisë së kampioneve në internet. Platformat vetë-shërbyese dhe automatizimi paraqesin sfida rreth cilësisë dhe etikës që duhet adresuar, zgjidhur dhe standartizuar mes anëtarëve të industrisë.

3. Bashkërendim i disiplinave – Disiplina e kërkimit të tregut, të dhënat sociale, shkenca e të dhënave, analitika dhe statistikat punojnë ngandonjëherë larg njëra tjetrës dhe në konfuzion. Pozicioni i ESOMAR si një moderator i bashkëbisedimit mes aktorëve të ndryshëm, do të rrisë cilësinë e industrisë dhe zgjerimin e saj.

4. Kultura e përqëndrimit tek klienti – Promovimi i rëndësisë së hulumtimeve marketing dhe kulturës së fokusuar tek klienti, veçanërisht nëpërmjet përfaqësusve të industrisë, të pozicionuar brenda kompanive.

5. Dialogu dypalësh- Ndërtimi i një dialogu të shëndetshëm, gjithmonë të hapur, mes blerësve të hulumtimeve dhe industrisë së hulumtimeve.

6. Tregu i punësimit – Liberalizim i njoftimeve të punësimit dhe ndërmjetësim efiçent mes kompanive anëtare me pozicione të hapura dhe profesionistëve të fushës që ofrojnë talentin e tyre.

7. Gjithëpërfshirja – Përqafimi i gjithëpërfshirjes, jo vetëm sepse është gjëja e duhur për të bërë, por sepse shfrytëzimi i mendimeve, ideve, prejardhjeve dhe perceptimeve të ndryshme është thelbi i kërkimit të tregut. Dhënia zë e minoritetete, është një kusht i domosdoshëm për zhvillim, jo si një detyrim por si një superfuqi e industrisë.

8. Ndërlidhja e tregjeve – Zhvillimi i një ure më të mirë komunikimi mes tregjeve të ndryshme, veçanërisht tregjeve perëndimore dhe atyre aziatike.

9. Prekja njerëzore – Zhvillimi i ESOMAR si një platformë frymëzuese, për të ndarë përmbajtje, jo vetëm fitimprurëse, por edhe me fokus tek eksperiencat njerëzore dhe rrugëtimet personale të profesionistëve të hulumtimeve të tregut.

10. Etika dhe udhëzimet – Vendosmëri për të ruajtur dhe promovuar rregullat e etikës së hulumtimeve të tregut që udhëzojnë dhe mbrojnë hulumtuesit të bëjnë gjënë e duhur, edhe kur ligjërisht mund të jetë e lejuar.

11. Cilësia – Gjenerimi i të dhënave me cilësi, ngritja e pyetjeve të mira dhe sjellja e të vertetës, fuqizon hulumtuesit në bordet e kompanive dhe në treg. ESOMAR do të ruajë rolin e saj rregullator, në vendosjen e standarteve të cilësisë për industrinë.

12. Mirëqënia mendore – Vendosja në rend të parë e mirëqënies mendore në vendin e punës, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani. Ndërsa ekipet kthehen në zyra me modele pune të përziera dhe fleksibilitet duhet kapur mundësia për të hartuar modele të reja të punës, me epiqendër mirëqënien e njerëzve që janë pasuria më të vyer.

13. Ndarja e dijes – Zhvillim i mëtejshëm i ESOMAR, si vendtakim për ndarjen e praktikave më të mira të fushës dhe metodologjive të reja.

Prej 16 vitesh, Znj. Silvana Xheka studjon sjelljet, mendimet dhe qendrimet e konsumatorëve shqiptar me agjenci studimore lokale dhe globale. Aktualisht, punon si hulumtuese tregu nën markën “Insight Sage” dhe si pedagoge e jashtme në Universitetin Bedër në lëndën “Studime Marketing”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0