La Kaliforninë për Shqipërinë/ 55-vjeçarja: Në Tiranë gjeta paqen dhe lumturinë - Business Magazine Albania

La Kaliforninë për Shqipërinë/ 55-vjeçarja: Në Tiranë gjeta paqen dhe lumturinë

Cheryl Orlov, 55 vjeçe, e adhuronte jetën e saj në Kaliforni, por ndiente një etje të pashuar për të zbuluar kultura, ushqime dhe njerëz të rinj. Në vitin 2023, ajo u zhvendos në Shqipëri, pasi e kishte zbuluar vendin përmes një podkasti udhëtimesh. Sot, ajo ndien se jeton më e qetë, paguan më pak për banesën dhe thotë se nuk ka qenë kurrë më e lumtur.

Nga plazhet e Kalifornisë tek rrugicat e Tiranës
Për 23 vite, Cheryl jetoi pranë Redondo Beach, vetëm dy milje larg bregdetit. Për 32 vite drejtoi një kompani mobiliesh që e kishte ngritur vetë dhe punoi fort për të ndërtuar një stil jetese komod.
E kishte një jetë të plotësuar në Los Anxhelos; miq të shumtë, aktivitete të shumta sportive, sidomos ato të qëndrueshmërisë fizike. I pëlqente të udhëtonte dhe të njihte kultura të ndryshme dhe shpesh thoshte se qyteti ishte një vend i shkëlqyer për të jetuar, veçanërisht për ata që nuk mund të udhëtonin shpesh jashtë vendit.

Por, pavarësisht lumturisë, ndjente një mall të fortë për botën e gjerë. Deri në një moment, mjaftohej me një ose dy udhëtime ndërkombëtare në vit, por pas një udhëtimi bamirësie në vitin 2016 në Ugandë, Marok dhe Afrikën e Jugut, gjithçka ndryshoi. Brenda saj, lindi një bindje e fortë: duhej të jetonte jashtë Amerikës. Mbetej vetëm të vendoste ku dhe si.

Nga një podkast drejt një vendimi jetësor
Pengesa kryesore ishin pronat e saj dhe biznesi me kohë të plotë. Gradualisht, nisi të shiste pasuritë, të zvogëlonte hapësirën e jetesës dhe të shpërbënte biznesin, gjithçka në funksion të ëndrrës për të lënë SHBA-të. Në prill 2022, duke dëgjuar një podkast për jetën e të huajve jashtë vendit, dëgjoi një bloger që rekomandonte Shqipërinë. Përkundër faktit që kishte vizituar të shtatë kontinentet dhe afro 50 vende, Shqipëria nuk kishte qenë asnjëherë në listën e saj. Kjo ndezi kureshtjen. Nisi të kërkonte informacione, të ndiqte video në YouTube dhe të intervistonte udhëtarë të vetëm për përvojat e tyre në vend. Në shtator 2022, ajo dhe i fejuari ndërmorën një udhëtim eksplorues në Shqipëri. Me një shofer të marrë me qira, udhëtuan nga një qytet në tjetrin, deri sa mbërritën në Tiranë. Fillimisht nuk e kishte menduar kryeqytetin si vendbanim të përhershëm, por sapo e pa nga afër, e ndjeu se kishte gjetur vendin e saj.

Lexo edhe: Arsimi në rrezik, numri i nxënësve bie me 10 % pas pandemisë

Një kulturë e pasur dhe një mikpritje e pakrahasueshme
Shqipëria e magjepsi me kulturën dhe historinë e saj, e ndikuar fort nga trashëgimia osmane dhe me një tranzicion të ri nga e kaluara komuniste e viteve ’90. Topografia i kujtonte Kaliforninë – një vend i vogël, por me Alpet Shqiptare dhe brigjet e Adriatikut e Jonit. Mbi të gjitha, e mahniti mikpritja e shqiptarëve. “Të bëjnë të ndihesh si në shtëpi, pjesë e familjes,” thotë ajo.

Vendosja në Tiranë
Pas kthimit në SHBA, nisi menjëherë përgatitjet për zhvendosje. Shiti pothuaj gjithçka dhe vazhdoi të shpërbënte biznesin. Si shtetase amerikane, nuk kishte nevojë për vizë për të qëndruar një vit në Shqipëri, me mundësinë për të rinisur afatin pas një qëndrimi 90-ditor jashtë.
Apartamentin e gjeti përmes një grupi në Facebook, nga një pronar që kishte jetuar gjashtë vite në Amerikë. Për Cheryl-in, siguria dhe një komunitet ku flitej anglisht ishin thelbësore.
Në shtator 2023, u vendos në një vilë me pesë apartamente në një lagje të qetë të Tiranës. Apartamenti me dy dhoma gjumi e një banjo i kushton 400 euro në muaj. Shpenzimet e tjera janë gjithashtu të ulëta: 20–30 euro në javë për ushqime në treg, 15–20 euro për darka jashtë, 50 cent për autobus dhe rreth 5 euro për taksi.

Jeta më e lirë, por më e pasur shpirtërisht
Mësimi i gjuhës shqipe është i vështirë, por sfida më e madhe ka qenë cikli i shpeshtë i largimeve dhe ardhjeve të emigrantëve. “Shumë rrinë një ose dy vjet e më pas ikin,” thotë ajo, duke pranuar se kjo e bën të vështirë krijimin e lidhjeve afatgjata.
Megjithatë, lumturia që ndien tani nuk krahasohet me të shkuarën. Në Shqipëri, ndien më pak stres dhe ka më shumë mundësi për të udhëtuar, falë lidhjeve të mira ajrore me Evropën, Afrikën dhe Azinë. Aktualisht ndodhet në Malajzi.
Në fillim të këtij viti, mbylli përfundimisht biznesin. Falë kursimeve dhe pensionit të krijuar që në moshën 30-vjeçare, nuk shqetësohet për punësimin. Nuk ka ndërmend të kthehet përgjithmonë në SHBA, megjithëse shkon herë pas here për të parë miqtë dhe familjen.
“ Nuk është kurrë vonë për të nisur të udhëtosh ose për të jetuar në një vend të ri,” thotë ajo. “Nuk do të ndryshoja asgjë nga rruga që zgjodha.”

Business Insider

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0