Kurorëzohet edicioni i 6-të i Albanian ICT Awards, shpallen fituesit e shtatë kategorive

Kurorëzohet edicioni i 6-të i Albanian ICT Awards, shpallen fituesit e shtatë kategorive


Pas një maratone katër mujore, edicioni i 6-të i Albanian ICT Awards u finalizua në mbrëmjen Gala të së Premtes, ku u bë shpallja e fituesve të garës me praninë e mbarë komunitetit të TIK-ut.

Në këtë aktivitet nderuan me pjesëmarrjen e tyre Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, z. Besim Beqaj, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Shqipërisë, zj. Sonila Qato, Kryetari i Prishtinës z. Shpend Ahmeti, pjesëmarrës dhe të ftuar special nga bota e TIK-ut, biznesit, akademisë, administratës publike, shoqërisë civile dhe medias.

ICT Awards është një konkurs kombëtar që ka për qëllim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të shquar, udhëheqësve të suksesshëm të biznesit, novatoreve e te rinjve entuziastë të teknologjisë dhe informacionit.

Mbrëmjen Gala e hapi bashkëthemeluesi i garës z. Kushtrim Shala i cili plot emocion dha lajmin e bukur se në Shtator ICTSmedia do të hapë një qendër edukative dhe inovacioni quajtur ICTS Lab. Ai gjithashtu ftoi komunitetin ti bashkohen kësaj nisme.

Është mundësi e rrallë të shikosh një mbështetje kaq të madhe dhe gjallë të komunitetit të TIK-ut,” tha z. Shala.

Kjo garë e përvitshme hapi siparin më 2 Shkurt për ti paraprirë një maratone disa mujore plot takime me komunitetit t TIK-ut, në kërkim të yjeve, talenteve dhe modeleve të suksesshme të biznesit shqiptar.

Juria ka mbetur e befasuar nga niveli i lartë jo vetëm teknik por edhe nga niveli i inovacionit që aplikohet në jetët e përditshme demonstruar nga projektet. Për shkak të numrit të madh të aplikimeve, faza e dytë e vlerësimit u nda në dy ditë, dhe përveçse në Tiranë juria pati kënaqësinë ti vlerësonte projektet edhe në Prishtinë,” tha Kryetarja e jurisë Anila Hoxha Tollkuçi në fjalën e saj të rastit.

Ajo vijoi duke thënë se këtë vit juria ka vlerësuar të paktën 2,000 faqe projektesh.

24 finalistë nga 100 aplikime të mbërritura përmes faqes zyrtare të ICT Awards këtë vit pritën verdiktin e jurisë së Albanian ICT Awards.

Të gjitha këto ide, e gjitha kjo garë, po na tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë që rinia jonë, nxënësit, studentët, komuniteti po ecin më shpejt se institucionet dhe qeveritë nuk kanë rrugë tjetër veçse ti mbështesin këto nisma në mënyrë institucionale” ishin fjalët e Ministrit Beqaj.

Jam mrekulluar kur kam mësuar se ndërmarrjet tona po punojnë për tregjet Amerikane dhe Evropiane dhe mbetet e rëndësishme që përkrahja të mos jetë vetëm pjesëmarrje në aktivitete, por edhe me mbështetje financiare dhe në ndërtimin e bazës ligjore që u hap rrugë këtyre ideve të reja,” tha Ai.

Beqaj bëri një ftesë publike për organizimin e edicionit të 7-të të ICT Awards në Prishtinë me mbështetjen e Ministrisë që drejton, Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ai premtoi se nga 1 Janari 2019, do të hapet Parku për Inovacion Gjermano-Kosovar.

Në kategorinë ICT Mobiliteti i Vitit garuan Dardan Mehmeti, me Platformën edukative “Parashkollori”, Arjanit Pajaziti, me platformën Trafiku Urban ne Prishtinë dhe Julian Demeti me Gati.al.

Çmimi shkoi Julian Demetin dhe platformën Gati.al.

Në kategorinë ICT Inovacioni i Vitit u vunë përballë Visar Shehu me projektin MARA Recruiting Software, Arber Lleshi me makinën elektrike BONEVET dhe Uljan Sharka me iGenius/Crystal.

Ky trofe u rrëmbye nga Uljan Sharka me iGenius/Crystal.

Këtë vit kategoria ICT Diploma e Vitit solli bashkë Besnik Dragushën me algoritmin për analizimin e deklarimit te pasurive, Blerona Cakolli me analizën për monitorimin e ambientit të serrës dhe Hakan Shehun me “Knowledge Graph” në gjuhën Shqipe.

Diploma e Vitit iu dha Hakan Shehut.

Ylli në Ngritje mirëpriti tre finalistë, Tea Reçica me aplikacionin Trashëgimia Kulturore e Prishtinës dhe aplikacionin Find My Clothes, Mario Alla me Projekti Mark.O dhe Vesa Basha me projektin The city of Logic.

Tea Reçica dhe aplikacionet e saj Trashëgimia Kulturore e Prishtinës dhe Find My Clothes bindën jurinë për Yllin në Ngritje. Përveçse dorëzoi trofeun për Tean, ministri Beqaj e ftoi për të tërhequr një tjetër çmim mundësuar nga institucioni që ai drejton.

Gruaja në ICT pati tre finalistë, Hana Qerimi me “Shkolla Digjitale” dhe “Starlabs”, Adela Kallanxhi me Altropost.com dhe Ornela Bardhi me PHD Project.

Në mungesë së saj, trofeu Gruaja në ICT u dorëzua tek bashkëshorti i Hana Qerimit.

Shërbimi Publik i Vitit në Shqipëri vuri përballë platformën e-Receta, aplikacionin M-Tax dhe Projektin Eterna të Postës Shqiptare. z. Shpend Ahmeti dorëzoi çmimin për platformën e-Receta të Fondit të Sigurimit te Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

Në Kosovë Ministria e Punëve te Brendshme ne bashkëpunim me Veridos GmbH vihet përballë Komunës së Prishtinës. Juria kishte vlerësuar projektin e lejedrejtimit virtual të Ministrisë dhe Veridos.

Blent Kurtulani & Veton Bejtullahu, Kastriot Fetahaj dhe Fitim Latifaj dhe Edi Bushati kërkojnë rrëmbimin e çmimit Cyber Security.

Cyber Security, qershia mbi tortë siç u shpreh njëri prej finalistëve shkoi për Kastriot Fetahaj dhe Fitim Latifaj.

Kështu Albanian ICT Awards mbyll suksesshëm një tjetër maratonë për identifikimin e shqiptarëve dhe modeleve të suksesshme.

Të gjithë ata që janë ngjitur në skenën e Albanian ICT Awards ndër vite janë model për të gjithë të rinjtë në Shqipëri sepse ky brez shqiptar nuk ka asnjë dallim nga asnjë brez të rinjsh në çdo cep të botës, dhe kjo falë teknologjisë.

Ngjarja ICT Awards e cila konsiderohet tashmë si një ndër më të rëndësishmet në Shqipëri e Kosovë në fushën e ICT-së, ka arritur që të gjejë mbështetje të gjerë të mediave më të mëdha në vend, aktorëve më seriozë të fushës së biznesit, komunitetit e qeverisë, nderuar nga Kryeministri i Shqipërisë me Çmimin Bleta e Artë.

Sponsorët tradicionalë Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision vijojnë mbështetjen e tyre të pakushtëzuar ndaj ICT Awards.

Raiffeisen Bank njoftoi në Mbrëmjen Gala hapjen e akseleratorit të parë të startupeve në Shqipëri, Elevator Lab Albania, i vetmi program mbështetjeje për startupet në Evropën Lindore dhe atë Qendrore. Aplikimet në Elevator Lab do të jenë të hapura deri më 23 Maj.

Një rrjet i gjerë partnerësh dhe mbështetësish janë përkrah kësaj nisme prej disa vitesh.

Rreth ICT Awards VI

Ky eveniment, unik për nga karakteri dhe dedikimi, ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar , udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, novatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së, puna e së cilëve përgjatë 2017-tës ka përmirësuar apo ndihmuar pozicionin e TIK-ut Shqiptar në rajon ose botë, si dhe ka kontribuuar drejt zgjerimit të sektorit biznesor të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia si një shtëpi botuese dhe lider në median e ndërlidhur me Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë (ICTS), kësaj radhe prezanton edicionin e 6-të vjetor kombëtar të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards VI” (ose “TIK Shpërblimet Shqiptare 6”).

Lista e fituesve

  • ICT Innovacioni i Vitit: Uljan Sharka me iGenius / Crystal
  • ICT Mobiliteti i Vitit: Julian Demeti me Gati.al
  • ICT Diploma e Vitit: Hakan Shehu me ‘Knowledge Graph’ ne gjuhën Shqipe
  • ICT Ylli në Ngritje i Vitit: Tea Reçica me aplikacionin Trashëgimia Kulturore e Prishtinës dhe aplikacionin Find My Clothes
  • Gruaja në ICT: Hana Qerimi me “Shkolla Digjitale” dhe “Starlabs
  • ICT Shërbimi Publik i Vitit: Ministria e Brendshme dhe Veridos; Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) – Platforma e-Receta
  • Siguria Kibernetike: Kastriot Fetahaj dhe Fitim Latifaj

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0