Nëse i besoni rrjeteve sociale, recesioni nuk është çështje ekonomistësh, është një ndjesi. Dhe kjo ndjesi po vjen në formën e Lady Gaga-s në top lista, kthimit të musikalit “Mamma Mia!” në Broadway dhe rikthimit të atleteve Converse me qafë të gjatë. Po, sipas internetit, edhe këto janë “indikatorë të recesionit”.
Për përdoruesit e TikTok-ut dhe X (ish-Twitter), gjithçka që rikujton krizën financiare të vitit 2008 ose sinjalizon nevojën për kursim apo mbijetesë financiare mund të quhet një paralajmërim i heshtur. Jo zyrtarisht, sigurisht, por plot humor dhe sarkazëm. Ndërsa ekonomia përballet me pasiguri, luftëra tregtare dhe rënie të besimit të konsumatorëve, rrjetet sociale kanë shpikur një mënyrë krejtësisht të re për të përballuar frikën, të qeshurën.
Humori si armë psikologjike në kohë krizash
Megjithëse SHBA nuk është teknikisht në recesion për momentin, shqetësimet janë reale. Dhe në vend që të përballen me to në mënyrë të drejtpërdrejtë, shumë njerëz zgjedhin të qeshin, një mekanizëm i vjetër përballjeje që thjesht ka evoluar me kohën.
“Në momentet më serioze, mbështetemi më shumë te humori për të përballuar,” shpjegon Dustin Kidd, profesor i sociologjisë në Temple University. Ai thekson se televizionet dhe më pas rrjetet sociale janë bërë terrene ku publiku gjen lehtësim përmes shakave që shpesh përçojnë të vërteta të hidhura.
Shembujt janë të shumtë, nga monologët e Jay Leno gjatë krizës së vitit 2008, tek episodet e “The Office” që ironizonin falimentimin, e deri te debatet legjendare mes komedianëve si Jon Stewart dhe analistëve financiarë si Jim Cramer. Sot, kjo gjuhë ironike është demokratizuar dhe përhapet me shpejtësi virale në çdo pajisje që hapim.
Lexo gjithashtu: A mund të zëvendësohen miqtë nga AI? Zuckerberg thotë po
Nga memet te ndjenja e kolapsit kolektiv
Të quash rikthimin e këpucëve Converse një “indikator recesioni” është padyshim një meme. Por në prapaskenë qëndron një ndjesi e përbashkët: njerëzit janë të shqetësuar për të ardhmen ekonomike, të mbingarkuar nga inflacioni, mungesa e qasjes në banesa, zhvillimet teknologjike si AI që kërcënojnë vendet e punës dhe pasiguria e përgjithshme.
Kjo frikë kolektive manifestohet në mënyrë kreative. Siç thotë analistja financiare dhe autorja Kyla Scanlon, “memet janë si sinjale tymi, një formë për të pyetur: ‘A jeni edhe ju në këtë ankth?’, dhe kur përgjigjja është ‘po’, të paktën ndihesh më pak vetëm.”
Ironia që kthehet në realitet
Por a mund të kenë këto shaka ndikim real në ekonomi? Sipas Kidd, po. Kur ndjesia e pasigurisë ekonomike përhapet në masë, ajo mund të çojë në frenimin e shpenzimeve, rënie të konsumit dhe rrjedhimisht, recesionin që njerëzit po i frikësohen. Një lloj profecie vetëpërmbushëse, e gjeneruar nga një kulturë që, duke qeshur me krizën, mund të kontribuojë në të.
Ndërkohë, një brez i tërë që përjetoi kolapsin e 2008-ës tani po jep këshilla praktike, nga kopshtaria për mbijetesë ekonomike te recetat me buxhet të ulët, një përzierje mes sarkazmës dhe përgatitjes reale.
Kur shakaja bëhet mburojë dhe thirrje për ndihmë
Këto “indikatorë recesioni” që qarkullojnë në TikTok dhe Instagram nuk janë thjesht për të bërë njerëzit të qeshin. Ato janë një mënyrë për të kanalizuar pasigurinë e përbashkët, për të ndarë frikën dhe për të kërkuar ndihmë, në një gjuhë që e kuptojnë të gjithë, humorin.
Sepse, në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ndoshta të qeshurit është e vetmja gjë që na ka mbetur.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.