Gazeta gjermane Bild e quajti kryeministren finlandeze Sanna Marin si politikanen më “cool” në botë javën e kaluar, duke e quajtur udhëheqësen 36-vjeçare “modeste, moderne dhe me vetëbesim”. Kjo pasi, vendi i saj ndodhet nën kërcënimin rus, por ajo, krahas detyrës, merr pjesë në festivale muzikore, me shoqet e saj.
Por, ky reputacion e ka futur në diskutime të zjarrta, pasi disa video u zbuluan, ku Marin shfaqet duke festuar në një event privat.
Në një seri videosh të postuara në Instagram, Marin dhe pjesëmarrësit e tjerë shfaqen duke kërcyer së bashku, ndërsa në sfond dëgjohet muzika pop finlandeze.
Ndërsa videot qarkulluan në internet këtë javë, disa kritikë e quajtën sjelljen e saj fëminore. Të tjerë e akuzuan atë se nuk po qëndron e fokusuar në krizën e kostos së jetesës në Finlandë.
Por, shumë të tjerë ndaluan dhe pyetën: Çfarë është gjithë kjo bujë? Analistët thonë se mosha dhe gjinia e Marin – dhe kryqëzimi mes të dyjave – e bëjnë atë një objektiv të veçantë për kritika në një botë të udhëhequr kryesisht nga burra të moshuar.
Lexo edhe: Gratë lidere, shembuj të udhëheqjes së vërtetë në krizë
“Unë kam një jetë familjare, kam një jetë pune dhe kam kohë të lirë për të kaluar me miqtë e mi. Pothuajse njësoj si shumë njerëz në moshën time”, tha Marin të enjten.
Ajo tha se videot ishin private dhe të filmuara në një hapësirë private. “Më vjen keq që këto u bënë të njohura për publikun,” – u shpreh ajo.
Nuk ishte hera e parë që Marin, një anëtare e Partisë Social Demokrate të Finlandës, “kapet” duke festuar. Në dhjetor, ajo kërkoi falje për një tjetër incident, në të cilin qëndroi jashtë në një klub nate të Helsinkit deri në orën 4 të mëngjesit pa celularin e saj. Ndërsa ishte jashtë, iu dërgua në telefonin e Marin për ta vënë në dijeni se ishte e ekspozuar ndaj koronavirusit, për shkak të kontaktit me një person të afërt.
Kryeministrja e Finlandës kërkon falje pasi festoi gjithë natën, pavarësisht ekspozimit ndaj koronavirusit
Rivalët e saj politikë i bënë thirrje t’u nënshtrohej ekzaminimeve vullnetare të drogës. “Njerëzit gjithashtu lejohen ta presin këtë nga kryeministri i tyre,” tha Mikko Karna, një anëtar i Parlamentit nga partia Qendra.
Marin u përgjigj, duke i thënë mediumit lokal Yle se ishte e gatshme të bënte një test droge. “Unë nuk kam përdorur drogë vetë, apo asgjë tjetër përveç alkoolit. Unë kam kërcyer, kënduar dhe festuar dhe kam bërë gjëra krejtësisht të ligjshme,” shtoi ajo.
Një editorial në gazetën Helsingin Sanomat të Finlandës argumentoi se festa e saj ishte një rrezik sigurie.
“Kryeministri mundet, në një situatë të ndjeshme, të vendosë armët e luftës së informacionit në duart e atyre që do të donin të dëmtonin Finlandën,” tha editoriali. “Mund të ketë më shumë rrjedhje. Nëse jo tani, atëherë në festën tjetër.”
Marin ishte udhëheqësja kombëtare më e re në botë, kur u zgjodh në vitin 2019 në moshën 34-vjeçare. Fitorja e saj e vendosi atë në një grup të vogël, por të fuqishëm presidentësh dhe kryeministrash që u zgjodhën në të 30-tat, duke përfshirë Jacinda Ardern të Zelandës së Re dhe Nayib Bukele të El Salvadorit.
Pozicioni i Marin në zyrën ekzekutive “prish atë që njerëzit historikisht kanë qenë të kënaqur për sa i përket moshës dhe gjinisë (burrat e moshuar), tha në një email Sara Angevine, një shkencëtare politike në Kolegjin Whittier.
Bettina Spencer, një profesore në Kolegjin e Shën Marisë, Notre Dame, Indi, tha se gratë e reja udhëheqëse kritikohen më ashpër se homologët e tyre më të vjetër meshkuj.
“Udhëheqësit e rinj nuk merren seriozisht bazuar në stereotipet për moshën. Gratë udhëheqëse nuk merren seriozisht bazuar në stereotipet për gjininë. Gratë e reja udhëheqëse veçanërisht nuk merren seriozisht për shkak të kryqëzimit të moshës dhe gjinisë së tyre,” tha Spencer.
Por jo të gjithë ishin kritikë ndaj Marin dhe në vend të kësaj ata thanë se kryeministrja provon tezën se ” kur punon shumë, mund të bësh edhe shumë qejf më pas”.
Dikush tjetër në Twitter pyeti: “a është Sanna Marin e vetmja shefe ekzekutive në tokë që ka miq?”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.