Kreditimi dhe blerjet e valutës nga BSH, oferta e Lekut po rritet me ritmet më të larta historike - Business Magazine Albania

Kreditimi dhe blerjet e valutës nga BSH, oferta e Lekut po rritet me ritmet më të larta historike

Euro

Rritja e ofertës së parasë ka arritur në nivelet më të larta historike. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit nëntor 2025, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 14.5%, nga 5.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Agregati M2 është rritur me ritme dyshifrore që prej muajit mars 2025, ndërsa ka arritur nivelin maksimal prej 15.3% në shtator. Në periudhën tetor-nëntor, rritja është reduktuar lehtë në nivelin 14.5%.

Agregati monetar M2 përbëhet nga paraja jashtë bankave dhe depozitat bankare në Lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e agregatit M2 tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare.

Arsyet e rritjes së shpejtë të ofertës së parasë duket të jenë kryesisht kreditimi me ritme të larta i ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të frenuar forcimin e monedhës vendase.

Lexo edhe: Indeksi i çmimeve: Shqipëria renditet ndër vendet më të lira për hotele dhe restorante në Europë

Në nëntor 2025, vlera e portofolit të kredisë për ekonominë arriti në 925.2 miliardë lekë, me një rritje prej afërsisht 19 miliardë lekësh krahasuar me tetorin. Me bazë vjetore, kredia i shpejtoi ritmet dyshifrore të rritjes, me 12.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e portofolit po mbështetet në masën më të madhe te segmenti i individëve, me një rritje vjetore pranë nivelit të 19.8%. Ndërsa për bizneset rritja ngelet në nivele pak më të ulëta, me 9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Normat e ulëta të interesit, ecuria e mirë e ekonomisë reale dhe e bilanceve të sektorit bankar kanë mbështetur rritjen me ritme të shpejta të kredisë edhe gjatë vitit 2025.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka rritur më tej blerjet e valutës, në përpjekje për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52.2%.

Pavarësisht një injektimi më të madh të parasë në ekonomi, inflacioni ngelet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, inflacioni e mbylli vitin 2025 në nivelin 2.3%, në rritje të lehtë nga niveli 2.1% i një viti më parë.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0