Konfindustria në një deklaratë për mediat, vë theksin tek kostot e rënda financiare që i shkaktohen bizneseve nga vonesat e tejskajshme dhe në shuma të mëdha pas rikthimit të TVSH-së.
Sipas të dhënave zyrtare, mesatarja e vonesave të rimbursimit llogaritet në afër 6 muaj nga maksimumi ligjor prej 2 muajsh. Vonesa e madhe e kthimit të TVSH-së, nuk shoqërohet me penalitete financiare dhe gjoba për agjencitë ekzekutuese. Trysnia e ekzekutivit ndaj bizneseve, ka bërë që numri i rasteve të padive dhe penaliteteve të shënojë rënie, sipas administratorit të Konfindustrisë Gjergj Buxhuku.
Gjithashtu, sipas tij, vonesat e gjata kohore të kthimit të TVSH-së dhe pasojat e rënda financiare për bizneset, shërbejnë si burim i lindjes së korrupsionit në agjencitë ekzekutive, që mund të shkojnë deri në 20% të vlerës.
Lexo: Konfindustria: FMN ka përgjegjësi për dështimin e politikave ekonomike në vend
Administrata tatimore u detyrohet kategorive të biznesit të paktën 120 milionë euro TVSH të prapambetur. Premtimi i pambajtur për rimbursimin e TVSH-së ka shkaktuar rritje të mëdha të kostove dhe ka goditur fuqinë konkurruese, sipas konfindustrisë.