Konferenca Ndërkombëtare, Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve! - Business Magazine Albania

Konferenca Ndërkombëtare, Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve!

Gjatë zhvillimit të Konferencës Ndërkombëtare, “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore”, ku të pranishëm kanë qënë Ministri i Financave dhe Ekonomisë si dhe  përfaqësues të Bankës Botërore, Drejtoresha Ekzekutive në detyrë dhe Anëtare e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Ms. Mimoza Kaçi ka mbajtur një fjalim mirëseardhjeje në emër të AMF-së.

Fjalimi i plotë:

Kam nderin dhe kënaqësinë, që në emër të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe me mbështjetjen e partnerëve tanë strategjikë: Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Banka Botërore.

Kjo konferencë zhvillohet dy ditë pas Samitit të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në Tiranë, për herë të parë në një vend jashtë Bashkimit Evropian. Ky Samit kishte ndër të tjera si kryefjalë të tij bashkëpunimin dhe integrimin rajonal mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe tregjet tona financiare jobankare. Kryetarja e Komisionit Evropian theksoi synimin e unionit për Ballkanin Perëndimor, për të na dhënë një qasje në tregun e përbashkët evropian.

Në këtë klimë optimiste për Ballkanin Perëndimor, edhe ky event sot, bën bashkë të gjithë aktorët me rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve – në Shqipëri, por dhe më gjerë në rajonin tonë.

Sigurimet luajnë rol të veçantë në ekonominë e vendit, në jetën e qytetarëve, bizneseve, dhe të gjithë shoqërisë. Por jo vetëm… Sigurimet luajnë një rol kyç për të patur shoqëri të shëndetshme dhe të qëndrueshme, duke qenë një mekanizëm i rëndësishëm mbrojtjeje. Njëkohësisht, Siguruesit janë dhe investitorë institucionalë me peshë në ekonomitë tona.

Dita e sotme paraqet një mundësi të shkëlqyer për të gjithë ne, për të diskutuar dhe reflektuar mbi zhvillimet aktuale, por mbi të gjitha për adresimin e sfidave të përbashkëta me objektivin kryesor: të rritjes së potencialit të këtij sektori në ekonomitë tona. Pikëpamjet e rregullatorëve të BE-së dhe rajonit, me të cilët do të ndajmë eksperiencat, do të na vlejnë për të vendosur prioritete konkrete drejt objektivave tona.

Tregu shqiptar i sigurimeve, në vazhdimësi ka shfaqur tendenca në rritje, në terma të të ardhurave, numrit të kontratatave, aseteve nën menaxhim, dhe dëmeve të paguara. Dua të nënvizoj një tregues, primi bruto për frymë të popullsisë. Në një periudhë 8 vjeçare primi për frymë është rritur mbi 83 %, që flet për rritjen e tregut dhe ndërgjegjesimin e popullsisë. E megjithatë, tregu i sigurimeve ende mbizotërohet nga produktet e sigurimit të detyrueshëm.

Dhe meqë jemi te sigurimet e detyrueshme, zbatimi i ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka sjellë një sërë zhvillimesh pozitive në këtë segment, duke sjellë reduktim të ndjeshëm të komisioneve të ndërmjetësimit, nga 27% përpara miratimit të rregullores nga AMF, në mesatarisht 17%. Përmirësimi i ndjeshëm i situatës së dëmeve te Byroja Shqiptare e Sigurimit, falë ndryshimeve të fundit ligjore, sollën daljen e saj nga monitorimi thuajse 10-vjeçar. Dëmet e paguara në numër në fund të vitit 2022 ishin në nivelin më të lartë historik, ndërsa numri i dëmeve pezull në raport me numrin e dëmeve të trajtuara shënoi nivelin më të ulët historik 13.4%.

Ky treg, ka treguar qëndrueshmëri ndaj ngjarjeve madhore të viteve të fundit, si ngjarjet e tërmeteve të vitit 2019, pandemia COVID-19, por edhe ndaj efekteve të mjedisit makroekonomik botëror.

Autoriteti, në rolin e tij si mbikëqyrës dhe rregullator i tregut të sigurimeve, ka monitoruar dhe është kujdesur për një mbikëqyrje efektive, në mbrojtje të interesave të konsumatorëve dhe ruajtjes së treguesve financiare.

Dëshiroj të veçoj punën që është bërë në drejtim të përafrimit ligjor e rregullator me direktivat dhe acquis të BE. Autoriteti ka udhëhequr grupin negociator për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, pjesë e të cilit është dhe sektori i sigurimeve. Progresi i bërë dhe angazhimet e marra për plotësimin e rekomandimeve janë vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian.

Autoriteti po vijon me procesin e përafrimit të akteve ligjore, përfshirë edhe kalimin në regjimin mbikëqyrës në sigurime, Solvency II, si një nga prioritetet strategjike të tij.

Arritje për Autoritetin shënoi vlerësimi gjithëpërfshirës i bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), nga ku rezultoi një nivel i lartë përputhshmërie me Parimet Themelore në Sigurime, ICP.

Ky është një sinjal pozitiv në mbështjetje të zhvillimit dhe zgjerimit të tregut të sigurimeve në vend, dhe krijon premisa për rritjen e pranisë së investitorëve ndërkombëtarë, por edhe zgjerimin e aktivitetit të aktorëve aktualë të tregut.

Aderimi në Memorandumin Shumëpalësh të Bashkëpunimit me IAIS në vitin 2022, ka mundësuar forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me 77 autoritetet rregullatore, nënshkruese të tij.
Lexo:

Dhe në vijim të këtyre vlerësimeve, kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë, që në vitin 2025 Shqipëria do të jetë vendi pritës i Konferencës Vjetore të IAIS, aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i sektorit të sigurimeve në nivel global. Kjo është hera e parë që aktiviteti më i madh i sektorit të sigurimeve, zhvillohet në Shqipëri dhe në rajon. Ky është tregues i qartë, për kapacitetet institucionale, besueshmërinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të AMF-së me IAIS dhe rregullatorët ndërkombëtarë.

Gjatë konferencës sot, do të kemi mundësinë të ndjekim profesionistët e fushës që do të thellohen në disa tema aktuale, si: roli i sigurimeve në menaxhimin e katastrofave natyrore, zgjerimi i mbulimit në sektorin e bujqësisë, sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të sigurimeve në Shqipëri dhe rajon.

Dëshiroj, te falenderoj në mënyrë të veçantë, SECO-n dhe Bankën Botërore,  për kontributin e tyre në organizimin e kësaj konference, për mbështetjen ndër vite dhe në vijimësi.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0