Kompanitë Call Center po hapin filiale në Rumani - Business Magazine Albania

Kompanitë Call Center po hapin filiale në Rumani


Fundi i vitit 2016 nuk ishte aspak i mirë për një nga shërbimet që punëson më shumë të rinj në Shqipëri e që është ai i call center. Në fillim të muajit Dhjetor 2016, Senati italian miratoi ligjin për Buxhetin 2017, ku ishin integruar edhe disa mendime në ligjin për funksionimin e këtij shërbimi, delokalizimi i cili vendosi rregulla të tjera loje e që më së shumti, do të rëndojnë mbi bizneset që veprojnë në Shqipëri, si një vend jo anëtar i BE-së.

Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, thotë se për bizneset e këtyre shërbimeve, 2017-a do të jetë një vit i vështirë. “Ligji i delokalizimit pritet të hyjë në fuqi në muajin Mars, kjo do të jetë një periudhë që do të shërbejë për t’u qartësuar dhe për t’u njohur me legjislacionin e miratuar”, thotë znj. Muçostepa. Sipas saj, për shkak të masave shtrënguese nuk parashikohet që të ketë hyrje kompanish të reja në tregun shqiptar.

“Ato ekzistuese, më së shumti të mëdhatë, që janë në Shqipëri, janë duke hapur qendra në Rumani, ku fuqia punëtore është më e lirë në krahasim me shtetet e tjera të komunitetit europian dhe gjuha italiane është e njohur”, thotë kryetarja e Unionit.

“Më i vështirë për këtë sektor pritet të jetë tremujori i dytë i vitit, kur do të duhet të fitohet stabiliteti, e më pas pjesa tjetër e vitit do të jetë disi më e qetë”, thotë znj. Muçostepa.

Sipas saj, hapja e negociatave me Bashkimin Europian do të ishte një ndihmë për këtë sektor, pasi Shqipëria do të konsiderohej një vend që po synon të jetë më afër BE-së dhe si rrjedhim mund të ketë lehtësi. Megjithatë, tremujori i parë i 2017-s mbetet kritik për këtë sektor që sot punëson rreth 25,000 persona dhe kryesisht të rinj. Në anën tjetër, sfidë për këto kompani do të jetë diversifikimi i biznesit.

Sipas ligjit të ri, subjektet italiane, që vendosin të delokalizojnë aktivitetin e call center në vendet jashtë BE-së, duhet të dërgojnë një njoftim, brenda 30 ditëve, në Ministrinë e Punës Italiane dhe Inspektoratin Kombëtar të Punës lidhur me numrin e punëtorëve të përfshirë, si dhe pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Mungesa ose refuzimi i këtij komunikimi do të sjellë aplikimin e një sanksioni administrativ prej 150,000 eurosh. Përveç kësaj, parashikohet se kompanitë call center, që kanë vendosur të delokalizojnë në një vend jashtë BE-së, të mos kenë më asnjë ndihmë ekonomike.

Për sa u përket kompanive që aktualisht punojnë në Shqipëri, propozimi ligjor sjell detyrimin që ato duhet të deklarojnë transferimin dhe numrin e punëtorëve të përfshirë pranë institucioneve të cituara më sipër brenda një afati 60-ditor nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast vonese apo refuzimi do të aplikohet një sanksion administrativ prej 10,000 eurosh për çdo ditë vonese.

Normativa e re parashikon të drejtën e subjektit, që kontakton me një call center që gjendet jashtë BE-së, të informohet paraprakisht mbi vendndodhjen fizike të operatorit që përgjigjet. Në këtë rast, subjektit i njihet mundësia që këtë shërbim ta marrë nga operatori telefonik që gjendet jashtë BE-së ose të kërkojë që ky shërbim t’i ofrohet nga një operator me vendndodhje në territorin e Bashkimit Europian. Mosrespektimi i këtij kushti procedural parashikon sanksione administrative në vlerën 50,000 euro në ditë.

Ministria italiane fillon gjobat

Media italiane raportoi pak ditë më parë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik italian ka dhënë tashmë sanksionet e para. Janë 17 kompani të gjobitura (mes tyre kompani ajrore dhe banka) dhe të tjera. Pse? Sepse ato përgjigjeshin nga jashtë pa i komunikuar as dëgjuesit dhe as ministrisë që po u ofronin shërbimet e tyre nga një vend joeuropian.

“Qeveria, – thotë zëvendësministrja për Zhvillim, Teresa Bellanova – ka bërë kontrolle efektive mbi kompanitë që zhvendosen. Departamentet përkatëse kanë dërguar tashmë paralajmërimet dhe kanë vendosur sanksionet e para tek call center të vendosura në vendet jo të BE-së. ”

Burimi: kohajone.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0