Klima për të bërë biznes në Shqipëri është e vështirë, në veçanti nëse flasim për investime të reja. Fakti theksohet në raportin e Monitorimit nga Forumi Kombëtar i Biznesit .
Shqetësim kryesor sipas monitorimit rezulton ndryshimi i shpeshtë i tatim-taksave dhe rritja e tyre. Ndaj përfaqësuesit e biznesit kërkojnë më shumë qëndrueshmëri nga ana e qeverisë.
Koordinatorja e Forumit Kombëtar të Biznesit, Esmeralda Ballesha, thotë se “Informaliteti mbetet një problem kryesor, që duhet zgjidhur sa më parë, sepse kjo konkurrencë e pandershme dhe të tjera e rëndojnë klimën e biznesit”.
Përfaqësuesja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Edlira Prenga tha se, “Institucionet ndërkombëtare pohojnë se informaliteti në Shqipëri shkon në 40 për qind, ndërsa ato shqiptare nuk japin të dhëna. Nëse vazhdon kështu, biznesi do të mbetet skeptik dhe do të tkurret”.
Në klimën e biznesit, rëndojnë edhe gabimet e administratës tatimore në zbatimin e akteve nënligjore dhe rregullave të prokurimit. Bizneset e pyetura ankohen për gjoba të pamerituara, kontrolle të paarsyeshme, mungesë informimi dhe mos përgatitje profesionale e inspektorëve.
Për sa i përket kërkesës së Dhomës se Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës për më shumë komunikimin me qeverinë, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen theksoi se, “Fakti që raporti tregon se 70 për qind e kërkesave tuaja po trajohen nga qeveria, flet për qasjen pozitive dhe vullnetin e autoriteteve për të ndërtuar një dialog të dobishëm”.
Raporti i monitorimit nga Forumi i Biznesit u bazua në dokumente zyrtare, anketime të nëpunësve dhe biznesmenëve. Ai analizon 62 rekomandimet për Kontrollin Tatimor, për TVSH-në e diferencuar, për informalitetin dhe për Dialogun Publik-Privat.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.