Nën rrezet përvëluese të diellit mbi fushat e grurit të artë në fshatin Zhangzhuangli, në provincën Henan, nuk shihen më fermerë të djersitur me kazmë në dorë. Në vend të tyre, dronë inteligjentë patrullojnë qiellin dhe korrës pa shofer lëvizin me saktësi të jashtëzakonshme. Nuk bëhet fjalë për një skenë nga një film fantastiko-shkencor, por për realitetin e parë të fermës plotësisht të automatizuar për rotacion gruri-misër në qarkun Qingfeng, një inovacion që ka sjellë një rritje mbresëlënëse prej 20% në prodhimin e grurit.
Ferma inteligjente, e shtrirë në 233 hektarë, është konceptuar nga shkencëtarët e Universitetit Bujqësor të Henanit si pjesë e programit “oborri shkencor” (sci-tech backyard). Ajo ka shënuar një moment historik në bujqësinë kineze: automatizim i plotë i të gjitha proceseve bujqësore, nga lërimi, mbjellja, menaxhimi i fushave, deri te korrja. “Për breza me radhë, korrja ka qenë sinonim i punës së rëndë familjare në arë,” – thotë Zhou Jianshi, drejtues i kooperativës lokale të makinerive bujqësore, ndërsa vëzhgon një korrëse autonome në veprim. “Tani këta ‘kuaj të hekurt’ bëjnë gjithçka vetë. Është thjesht mahnitëse.”
Flota e teknologjisë përfshin: traktorë dhe korrësa pa shofer, makina mbjellëse me thithje ajri, sisteme të ujitjes precize dhe dronë monitorues, të gjitha të sinkronizuara përmes satelitëve të navigimit Beidou, të zhvilluar nga vetë Kina. Në qendrën komanduese, ekranë gjigantë ofrojnë të dhëna në kohë reale mbi lagështinë e tokës, dendësinë e bimëve dhe alarmet për dëmtuesit, duke krijuar një “binjak dixhital” të fermës.
Përfitimet nuk ndalen vetëm te rritja e prodhimit. Sipas Zhou, koha e korrjes është shkurtuar nga shtatë ditë në vetëm katër. Kërkesat për punëtorë në menaxhimin e ujit dhe plehrave janë ulur me 80%, ndërsa kostot totale të punës janë reduktuar me 40%. “Por më e rëndësishmja është rritja e efikasitetit me 30% krahasuar me metodat tradicionale të vitit të kaluar,” thekson Zhou. Sekreti qëndron në precizionin ekstrem. Dronët mbledhin të dhëna në terren çdo 30 minuta në mbi 10 pika të ndryshme. “Këto të dhëna përkthehen në modele parashikuese për rritjen e bimëve, vlerësime të prodhimit dhe nevoja të sakta për ujë,” shpjegon Wang Qiang, drejtues i programit sci-tech backyard në Qingfeng dhe profesor në Universitetin Bujqësor të Henanit. Sistemi inteligjent i ujitjes ndan fushat në gjashtë zona, duke furnizuar secilën me sasinë ekzakte të ujit që u nevojitet bimëve. Zhou thekson se kostoja e punës për ujitje është ulur me 90%, pasi një person i vetëm menaxhon gjithçka përmes smartphone-it – një punë që më parë kërkonte një ekip të tërë.
Nga ana tjetër, aplikimi preciz i plehrave ka sjellë reduktim me 20% të përdorimit të kimikateve dhe rritje me 30% të përthithjes së tyre nga bimët. “Thelbi i sistemit është përputhja e saktë mes kërkesës së bimës dhe sasisë së ujit apo plehrave,” shpjegon profesori Ye Youliang, themelues i programit sci-tech backyard. “Sistemet e integruara të ujitjes dhe plehrimit sjellin prodhim më cilësor, me më pak inpute dhe me ndikim real në qëndrueshmërinë afatgjatë.”
View this post on Instagram
Modeli i Qingfeng: E ardhmja e bujqësisë në Kinë?
Duke qëndruar mes fushave të gjelbra dhe të automatizuara, Wang Qiang beson se Qingfeng nuk është thjesht një pilot i suksesshëm – por një model i zbatueshëm në shkallë kombëtare për modernizimin bujqësor të Kinës. “Qingfeng ofron një plan të zbatueshëm për bujqësinë inteligjente në të gjithë vendin,” deklaron ai. “Hapi tjetër është përmirësimi i teknologjisë për automatizim total, reduktimi i mëtejshëm i kostove dhe maksimizimi i përfitimeve që ofron ky sistem.” Kjo revolucion teknologjik, që bashkon inteligjencën artificiale, robotikën dhe të dhënat e mëdha, nuk sjell vetëm rendimente më të larta, por paraqet një ndryshim thelbësor drejt një bujqësie më të zgjuar dhe më të qëndrueshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto