Transfuzionet e gjakut janë një komponent thelbësor i kujdesit shëndetësor dhe luajnë një rol jetik në shpëtimin e jetëve çdo ditë anembanë botës. Megjithatë, sigurimi i një sasie të mjaftueshme të gjakut të dhuruar paraqet një sfidë të vazhdueshme, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kërkesa për gjakun O-negativ, i vetmi që mund të përdoret nga të gjithë pacientët pa u bërë verifikime të mëtejshme për përputhshmëri, shpesh tejkalon ofertën. Për më tepër, gjaku i dhuruar ka një jetëgjatësi të kufizuar.
Për të adresuar këtë sfidë, një grup shkencëtarësh japonezë të udhëhequr nga Hiromi Sakai në Universitetin Mjekësor të Nara-s kanë zhvilluar një lloj të ri gjaku artificial që mund të përdoret tek pacientët, pavarësisht grupit të tyre të gjakut. Ky gjak artificial krijohet duke nxjerrë hemoglobinën, proteinë që përmban hekur dhe transporton oksigjenin në qelizat e kuqe të gjakut, nga gjaku i dhuruar që ka skaduar. Hemoglobina më pas vendoset në një mbështjellës të posaçëm për ta bërë atë të qëndrueshme dhe të pastër nga viruset, duke krijuar kështu qeliza të kuqe artificiale. Siç nuk përmbajnë asnjë lloj gjaku, këto qeliza nuk kërkojnë testime për përputhshmëri, gjë që i bën ato të menjëhershme për përdorim në situata emergjente. Për më tepër, gjaku artificial mund të ruhet për dy vite në temperaturë ambienti dhe deri në pesë vite në kushte frigoriferike, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me qelizat e kuqe të gjakut të dhuruar, të cilat mund të ruhen maksimumi për 42 ditë në frigorifer.
Lexo edhe:Prestigjozja “Fitch” vulos suksesin e iute: kompania është e qëndrueshme dhe e besueshme!
Studimet në shkallë të vogël nisën që në vitin 2022. Tre grupe me nga katër meshkuj të shëndetshëm, të moshës 20 deri në 50 vjeç, morën nga një injeksion intravenoz me vëllime të ndryshme të ashtuquajturave “vezikula të hemoglobinës”, molekula që imitojnë strukturën e qelizave të kuqe, deri në 100 mililitra. Disa pjesëmarrës përjetuan efekte anësore të lehta, por pa ndonjë ndryshim të rëndësishëm në shenjat jetësore si presioni i gjakut. Duke u bazuar në këto rezultate pozitive, Sakai njoftoi se ekipi i tij ka përshpejtuar procesin që nga korriku i kaluar. Në mars të këtij viti, nisën administrimin e sasive më të mëdha të gjakut artificial, nga 100 deri në 400 mililitra, tek vullnetarë të tjerë. Nëse nuk konfirmohen efekte anësore serioze, studimet do të kalojnë në fazën e dytë, ku do të testohen efikasiteti dhe siguria e trajtimit. Objektivi është që ky produkt të jetë gati për përdorim praktik deri në vitin 2030.
Ndërkohë, edhe profesor Teruyuki Komatsu nga Fakulteti i Shkencave dhe Inxhinierisë në Universitetin Chuo po punon në zhvillimin e mbartësve artificialë të oksigjenit. Ai po përdor hemoglobinën e mbështjellë me albuminë për të stabilizuar presionin e gjakut dhe për të trajtuar situata kritike si hemorragjia dhe goditjet në tru. Deri më tani, studimet në kafshë kanë dhënë rezultate inkurajuese, dhe kërkuesit po përgatiten për fazën e testimeve te njerëzit.
TW
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto