Këngët më "të çmendura" të Eurovision 2025 që nuk duhet t’i hu... - Business Magazine Albania

Këngët më “të çmendura” të Eurovision 2025 që nuk duhet t’i humbisni

Nëse menduat se e kishit parë gjithçka në Eurovision, mendohuni sërish. Konkursi më spektakolar i muzikës europiane, që këtë vit mbush plot 69 vite, po rikthehet në vendin ku gjithçka nisi, Zvicër. Dhe jo, nuk është vetëm një udhëtim nostalgjik drejt fillimit, por një kthim me gjithë zhurmën, absurditetin dhe energjinë që vetëm Eurovisioni di të sjellë.

Pas një edicioni të vitit të kaluar të mbushur me tensione politike, protesta dhe përjashtime surprizë, Eurovision 2025 po vjen me një përzierje të pazakontë mes komedisë muzikore dhe dhimbjes së botës reale. Me gjithçka, nga këngë për sauna deri te himne që djegin zemrat e dashuruara, këto janë disa nga krijimet më intriguese që, sipas Euronews Culture, nuk duhet t’i humbisni.

Australia – Go-Jo me “Milkshake Man”

Kush tha që për të hyrë në zemrat e europianëve duhet një baladë e thellë dhe dramatike? Go-Jo, artisti francezo-australian, sjell një shpërthim ngjyrash dhe buzëqeshjesh me këngën “Milkshake Man”, një hit që përzien sinqeritetin me sarkazmën, dhe gjithçka e bën me nota nostalgjike të popit psikodelik.

Lexo gjithashtu: Hotelet më të mëdha në botë

Me vargje si “I’ve got chocolate, vanilla and lactose free / and a caramel banana that you have got to see”, kjo këngë është një ftesë për të marrë jetën më me humor dhe ndoshta të rifitojmë pak prej asaj ndjenjës së fëmijërisë së çmendur që kemi humbur rrugës. Nëse Eurovision është një festë pa limite, atëherë “Milkshake Man” është DJ që ndez pistën.

Irlanda – Emmy me “Laika Party”

Po, bëhet fjalë për Laika-n, qenin e parë që udhëtoi në hapësirë… dhe nuk u kthye më. Por në vend që të shohë këtë si një tragjedi, këngëtarja Emmy e kthen historinë e Laikës në një himn optimizmi dhe fëmijërie, duke i dhënë një fund të lumtur, të paktën në melodi.

“I hope Laika never died and that she spins around us still / and that she has a party in the air and always will”, është refreni që do të prekë edhe më të fortët mes nesh. Në një botë plot cinizëm, ndonjëherë ajo që na duhet është pikërisht kjo lloj pafajësie që vetëm Eurovision mund të na dhurojë.

Austria – JJ me “Wasted Love”

Nëse do të përkufizonim dramën në tre minuta, JJ do ta bënte më mirë se kushdo. Këngëtari austriako-filipinas sjell një pop-opera moderne, ku zëri i tij i jashtëzakonshëm kalon nga një baladë e ndjeshme, drejt një eksplozioni elektroniko-diskotekor që s’di nga të të çojë më parë, në shtëpinë e operës apo në një klub nate.

“Wasted Love” është për të gjithë ata që kanë dashur dhe janë zhgënjyer, për ata që e kërkojnë ngushëllimin mes notave që djegin dhe shërojnë njëkohësisht. Edhe nëse nuk fiton, kjo këngë është një kujtesë se Eurovision nuk është vetëm muzikë, është teatër i emocioneve të papërmbajtura.

Lexo gjithashtu: Nadia Elbasani: “Privacy Policy”, detyrim për biznesin digjital

Ukraina – Ziferblat me “Bird of Pray”

Pas tri viteve të tmerrit që ka përjetuar Ukraina, kënga “Bird of Pray” është një klithmë shprese, një përkujtim i dhimbjes kolektive që merr formë përmes muzikës. Me një përzierje të pazakontë mes rock-ut progresiv, vokaleve hipnotizuese dhe emocioneve që të shpërthejnë në shpirt, ky krijim është shumë më tepër sesa një këngë, është një rrëfim që vjen nga zemra e luftës.

Me tekstin “Fly. Bird. I’m begging you. Please just live”, Ukraina jo vetëm që kërkon fitoren, por i flet të gjithë botës përmes artit të saj: edhe në errësirë, ne mund të fluturojmë, mjafton të kemi një arsye për të jetuar.

Suedia – KAJ me “Bara Bada Bastu”

Nëse menduat se Suedia do të vinte sërish me një superprodhim në stilin Loreen, gabuat! Këtë vit, trioja komike KAJ sjell një odë për një nga elementët më esencialë të kulturës nordike: saunën.

“Bara Bada Bastu” është një himn për djersitjen kolektive dhe relaksimin e shpirtit, i performuar me humor, ritëm, dhe plot karakter. Videoja muzikore është gjithçka që mund të kërkojmë nga Eurovision, e çuditshme, e guximshme dhe 100% autentike.

Eurovision 2025: Më shumë se një konkurs, një arratisje kolektive

Në një kohë kur politika po përplaset fuqishëm me artin, dhe ndjeshmëritë shoqërore janë më të forta se kurrë, Eurovision vjen si një festival i absurditetit të bukur, ku një këngë për një qen kozmik, një dashuri e humbur, apo një saunë, mund të na bashkojë më shumë sesa çdo deklaratë politike.

Zvicra është gati. Europa është gati. Dhe ne pavarësisht nëse jemi me “Milkshake Man” apo “Bird of Pray” jemi gati të harrojmë realitetin për disa orë dhe të këndojmë me gjithë shpirt.

Euronews

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0