Opinion/ ''Privacy Policy'', detyrim për biznesin digjital - Business Magazine Albania

Nadia Elbasani: “Privacy Policy”, detyrim për biznesin digjital

Shkruar nga Nadia Elbasani, Pedagoge/ Juriste

 Kërkimi në internet lë pas “gjurmë identifikuese” që, në mënyrë të vazhdueshme, ndërtojnë një profil të preferencave, sjelljeve dhe vendimeve tona në rrjet.

Po ta shohim nga aspekti i biznesit, të dhëna të tilla shërbejnë si një busull orientuese drejt klientëve potencialë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se kjo busull ndërtohet mbi të dhëna që përdoruesit e internetit i lënë pas, shpesh pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për “gjurmët” që lënë pas. Në një moskujdesje të tillë, është pikërisht legjislacioni ai që bën një kornizim apo rregullim, ku të gjitha palët të jenë të sigurta në proceset që zhvillojnë në rrjet. Mendojeni në këtë mënyrë, çdo klikim, foto, video dhe/apo ndërveprim në rrjet krijon një “stereotip” në versionin më real të mundshëm, i ardhur nga mungesa e qartësisë së përdoruesve, e cila në fund cënon thellësisht identitetin e tyre privat.

Lexo gjithashtu: Prokurimet Publike: Ndryshimet ligjore dhe sfidat për zbatimin efikas

Pikërisht në mesin e artë mes përdoruesve dhe ndërveprimit të tyre në rrjet qëndron roli thelbësor i një Privacy Policy të saktë dhe transparente.

Privacy Policy është një dokument që tregon si një faqe interneti, aplikacion apo kompani mbledh, përdor, ruan dhe mbron të dhënat personale të përdoruesve të saj. Ky dokument duhet të tregojë qartësisht se çfarë ndodh me të dhënat që mblidhen për të në këtë website, aplikacion, etj.

Nga ana tjetër, përveçse një detyrim ligjor i parashikuar nga GDPR (Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave) për çdo website, aplikacion, etj., që mbledh të dhëna të përdoruesve, ky dokument i ofron biznesit integritet dhe një strukturë të ligjshme për të përdorur të dhënat e përdoruesve për përmirësim shërbimi apo krijimin e një strategjie të re.

Krijimi dhe pasja e këtij dokumenti nuk është vetëm një detyrim ligjor, për të cilin do të sqarojmë më poshtë, por është pasqyrë e maturisë digjitale, integritetit dhe bashkëpunimit transparent me përdoruesit/klientët.

Lexo gjithashtu: Digjitalizimi në administratën publike, nevojiten rregullore që sigurojnë standard

Tani le të ndalemi pak dhe shkurtimisht te shpjegimi i Privacy Policy:

Politika e Privatësisë është një dokument ku sqarohet se si mblidhen, përdoren, ruhen dhe menaxhohen të dhënat e përdoruesve/klientëve nga një biznes. Këto të dhëna mund të përfshijnë emrin, email-in, adresat IP, të dhënat e pagesave apo çdo e dhënë tjetër që mblidhet nga website-i ose aplikacioni i një biznesi.

Nëse jeni një sipërmarrës që keni një website ose nëse jeni një zhvillues i ri që po krijoni një faqe web, aplikacion apo çdo platformë që mbledh të dhëna të përdoruesve, ky artikull është për ju, për t’ju informuar se Privacy Policy është dhe do të mbetet një detyrim ligjor, mungesa e të cilit, në Bashkimin Europian, mund t’ju kushtojë deri në 20 milionë euro ose 4% të xhiros vjetore globale të kompanisë, varësisht se cila nga këto shifra është më e lartë.

Mos harroni se në ndërveprimin digjital dhe në kuadër të GDPR, nëse një website mbledh të dhëna të qytetarëve të Bashkimit Europian, ky legjislacion ju prek edhe ju. Prandaj, informimi rreth detyrimeve tuaja mbi të dhënat e përdoruesve duhet të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe integriteti dhe vazhdimësia e biznesit tuaj online.

 

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0