Zyra e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, konfirmoi se ai është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës dhe aktualisht po shqyrton opsionet e trajtimit në bashkëpunim me ekipin e tij mjekësor. Biden, 82 vjeç, kishte shfaqur simptoma të shtuara kohët e fundit, të cilat çuan në kontrolle të specializuara. Sipas deklaratës zyrtare, analizat zbuluan një nodul në prostatë dhe mjekët konfirmuan se kanceri tashmë është përhapur në kocka, një tregues se sëmundja është në një fazë të avancuar.
Lexo gjithashtu: Studimi: Shokët e ngushtë mund të jenë të ngjashëm nga ana gjenetike me njëri tjetrin!
“Kjo është një situatë që ndodh më shpesh se e mendojmë,” – thotë Dr. Matthew Smith nga Massachusetts General Brigham Cancer Center. “Shumë burra ndihen plotësisht mirë dhe diagnostikimi me kancer të përhapur të prostatës mund të vijë si një surprizë.”
Një faktor që mund të ketë ndikuar në diagnostikimin e vonuar është fakti se udhëzimet mjekësore në SHBA nuk rekomandojnë skrining për kancerin e prostatës tek meshkujt mbi 70 vjeç. Prandaj, është e mundur që ish-presidenti të mos ketë kryer testin PSA – një analizë gjaku që përdoret për të identifikuar nivelet e proteinës që mund të sinjalizojë praninë e kancerit.
Çfarë është prostata dhe pse është kaq e rëndësishme?
Prostata është një gjëndër që bën pjesë në sistemin riprodhues mashkullor. Me kalimin e moshës, kjo gjëndër shpesh bëhet burim shqetësimesh shëndetësore, që variojnë nga zmadhimi beninj deri te kanceri.
Sa serioz është rasti i Biden?
Diagnoza e përhapjes së kancerit në kocka tregon se sëmundja ka avancuar dhe kërkon trajtim të menjëhershëm. Megjithatë, mjekët theksojnë se edhe në këtë fazë, kanceri i prostatës është i trajtueshëm, por jo i shërueshëm.
“Pacientët mund të jetojnë për 4 deri në 5 vite me një formë metastatike të kancerit të prostatës,” – shton Dr. Smith.
Në rastin e Biden, është përmendur një Gleason score që kap shifrën 9, që është një nga nivelet më të larta të agresivitetit të këtij tipi kanceri. Sistemi Gleason përdoret për të matur sa shpejt pritet që kanceri të përhapet, një rezultat me numrin 6 nënkupton një formë të butë, ndërsa rezultatet 8-10 tregojnë për një kancer shumë agresiv.
Lexo gjithashtu: Microsoft prezanton agjentin e ri të AI të GitHub që programon për ju
Trajtimi, pa kirurgji, pa rrezatim, pa kimioterapi?
Në shumicën e rasteve si ky i Biden, trajtimi nuk përfshin kirurgji apo terapi me rrezatim. Në vend të tyre, përdoren medikamente që synojnë të ulin nivelet hormonale në trup, sidomos të testosteronit, që “ushqen” qelizat e kancerit të prostatës. Këto trajtime ndihmojnë në ngadalësimin e rritjes së kancerit dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.
Duhen bërë apo jo analizat për kancer të prostatës?
Kjo mbetet një çështje diskutimi mes mjekëve. Tek meshkujt e moshës 55 deri 69 vjeç, analizat mund të sjellin një përfitim modest në uljen e rrezikut për vdekje nga kanceri i prostatës. Por, tek të moshuarit mbi 70 vjeç, skriningu me PSA mund të çojë në diagnoza të panevojshme, ndërhyrje të rënda dhe efekte anësore si mosmbajtja e urinës apo impotenca, pa ndikuar ndjeshëm në jetëgjatësinë e pacientit.
Një histori personale, një alarm publik
Rasti i Biden vjen si një kujtesë se kanceri i prostatës është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore për meshkujt, veçanërisht në moshën e tretë. Sipas American Cancer Society, një në tetë burra do të diagnostikohet me këtë formë kanceri gjatë jetës. Megjithatë, kur kapet në kohë, shanset për mbijetesë janë shumë të larta.
Nëse historia e ish-presidentit Biden shërben për diçka, është për të ngritur ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj shëndetit të meshkujve, rëndësinë e konsultave të rregullta dhe fuqinë e informimit për të marrë vendime më të mira për jetën dhe shëndetin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.