Jeff Bezos, miliarderi i Amazon, po shqyrton mundësinë për të blerë rrjetin televiziv CNBC, kanë mësuar burime për The Post. 61-vjeçari, i njohur për themelimin e gjigantit të tregtisë elektronike, i ka shprehur interesin e tij disa bashkëpunëtorëve të afërt për të blerë këtë rrjet televiziv, i njohur për programet “Squawk Box” dhe “Mad Money me Jim Cramer”, pasi CNBC të shkëputet nga kompania mëmë, Comcast, më vonë gjatë këtij viti.
“CNBC do të përshtatej mirë me interesat e tij,” tha një burim pranë Bezos. Ky burim thekson se rrjeti mund të shërbejë si një “zë neutral” i besueshëm brenda portofolit të tij mediatik ,një avantazh i madh, pas vështirësive të shumta që ka hasur si pronar i gazetës The Washington Post, e cila është perceptuar si e majtë. Bezos ka përballuar muaj të tërë trazirash në këtë gazetë ikonike, e cila ka vuajtur nga humbje të mëdha financiare, shkurtim stafesh dhe protesta të brendshme, pasi ai përpiqet të zhvendosë orientimin e saj drejt një qëndrimi më qendror dhe pro-kapitalist. Nga ana tjetër, Comcast ka në plan të shkëpusë asetet e veta kabllore, përfshirë MSNBC, USA Network dhe E!, duke i kaluar në një kompani të re të quajtur Versant, e cila do të jetë publike dhe do të drejtohet nga një grup drejtuesish të NBCUniversal, nën udhëheqjen e CEO-së Mark Lazarus.
Burime pranë Comcast kanë deklaruar për The Post se Bezos nuk e ka kontaktuar ende zyrtarisht kompaninë e drejtuar nga CEO Brian Roberts. Një burim tjetër, i njohur me situatën, tha se Versant ka si qëllim të rrisë ndikimin e CNBC dhe jo ta shesë. Versant nuk pranoi të komentojë mbi këto raportime. Nuk dihet ende se sa do të ishte i gatshëm Bezos të paguante për CNBC, por sipas Forbes, ai renditet si personi i katërt më i pasur në botë me një pasuri neto prej 241 miliardë dollarësh. Blerja e CNBC mund të mos jetë e lehtë. Burime të brendshme tregojnë se ekziston një periudhë dyvjeçare pas shkëputjes nga Comcast, gjatë së cilës Versant nuk mund të shesë asete madhore si CNBC pa pasoja të mëdha tatimore. Po i njëjti burim shtoi se kompania nuk do të rrezikojë përfitimet fiskale të kësaj ndarjeje. Në fund të vitit të kaluar, Comcast bëri të ditur se do të shkëpusë asetet kabllore, duke ruajtur rrjetin televiziv NBC, kanalin Bravo (i njohur për “Real Housewives”), studiot e filmit dhe të televizionit, parqet tematike dhe platformën e transmetimit Peacock.
Bezos bleu The Washington Post nga familja Graham në vitin 2013 për 250 milionë dollarë, por gazeta ka shfaqur vështirësi të vazhdueshme, duke humbur lexues dhe duke pësuar humbje financiare. Aktualisht, Bezos po kalon pushimet me bashkëshorten e tij Lauren Sanchez në jug të Francës. Të martën, ata u panë duke dalë nga klubi luksoz i plazhit Le Club 55, pranë vendit ku jahti i tij gjigant, Koru, kishte hedhur spirancën. Dëshira e Bezos për të zgjeruar perandorinë e tij mediatike vjen pas raportimeve se ai ka shfaqur interes për të blerë revistën Vogue për Sanchez, një ish-reportere televizive, ose ndoshta të gjithë grupin e mediave Condé Nast.
Gjatë vitit të fundit, Bezos dhe CEO-ja i The Washington Post, Will Lewis, kanë tentuar të zhvendosin gazetën drejt një qasjeje më qendrore, në kundërshtim me shumicën e stafit. Vendimi i Bezos për të anuluar mbështetjen editoriale për Kamala Harris për president pak para zgjedhjeve të nëntorit shkaktoi një valë largimesh. Më shumë se 300 mijë abonentë e anuluan pajtimin e tyre pas këtij vendimi. Situata u përkeqësua edhe më tej pasi Bezos urdhëroi që seksioni i opinioneve të përqendrohej në tema si “liritë personale dhe tregjet e lira,” në vend të komentimit mbi çështje politike apo sociale. Ky orientim çoi në dorëheqjen e redaktorit të opinionit, David Shipley, dhe më pas të kolumnistes së njohur Ruth Marcus. Të hënën, edhe fituesi i çmimit Pulitzer, Jonathan Capehart, njoftoi se kishte pranuar një ofertë për largim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto