Java Globale e Investitorit. AMF kërkon të zgjerohet tregu i investimeve - Business Magazine Albania

Java Globale e Investitorit. AMF kërkon të zgjerohet tregu i investimeve


Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një takim informues me përfaqësues të bizneseve nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe shoqatave të tregjeve nën mbikëqyrje, në nisje të aktiviteteve në kuadër të Javës Globale të Investitorit.

Në fjalën e mbajtur, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi theksoi rëndësinë e përfshirjes së bizneseve në tregun e kapitalit, si një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të siguruar financime, por edhe për të kontribuar direkt në rritjen ekonomike të vendit.

“Aktualisht, raporti i huave kredituar ndaj depozitave në sektorin bankar është poshtë nivelit 50%, që nënkupton se thellimi i tregut financiar nëpërmjet zhvillimit të tregut të kapitalit është domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit. Thellimi i sektorit financiar do të kontribuojë jo vetëm në angazhimin e burimeve të pashfrytëzuara drejt sektorëve të ekonomisë reale, por edhe rritjen e alternativave të financimit dhe reduktimin e kostove për biznesin në tërësi,” u shpreh Z. Koçi.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, tha se instrumentet e tregut të kapitalit janë sot një domosdoshmëri, në mënyrë që biznesi shqiptar të jetë sa më konkurrues në epokën e globalizmit.

Java Globale e Investitorit (30 shtator – 6 tetor) organizohet në të gjitha vendet që aderojnë pranë Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), me aktivitete me karakter ndërgjegjësues dhe informues në lidhje me tregun e kapitalit, fondet e investimeve dhe pensionet private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë aktivitete të tjera dhe orë të hapura me grupe interesi, në bashkëpunim me aktorët e këtij tregu në vend.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0