Ja si bëhej promovimi i produkteve 'Made in Albania', në panairet ndërkombëtare të viteve '20-'30 - Business Magazine Albania

Ja si bëhej promovimi i produkteve ‘Made in Albania’, në panairet ndërkombëtare të viteve ’20-’30


Shqipëria ka një historik të pasur të pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare. Që në vitet ’20 vendi ynë merrte pjesë në panairet ndërkombëtare që mbaheshin në Itali e Greqi. Si në panairin e Barit (Fiera del Levante), ashtu edhe në Panairin e Selanikut Shqipëria ka pasur një prezencë të konsiderueshme me pavione, duke u përfaqësuar atje me produktet bujqësore e blegtorale si dhe me ato të artizanatit.

Deri në vitin 1930 Shqipëria do të merrte pjesë në Panairin e Selanikut, ku më pas do të ndërpriste për tre vite pjesëmarrjen për t’u rikthyer në vitin 1933 e për të vijuar më pas pjesëmarrjen thuajse të përvitshme.

Organizatorët shqiptarë të panairit do të bënin shpesh ftesa për pjesëmarrje gazetarësh për të mbuluar eventin e nuk do të mungonin as reportazhet nga pjesëmarrjet në këto panaire. Një nga reportazhet më interesantë është ai i Ikbale Çikës së gazetës “Minerva” të publikuar në numrin e tetorit të vitit 1935.

Panairi i Barit

Në panairin e Barit (Fiera del Levante) Shqipëria ka marrë pjesë rregullisht e madje ka qenë ndër vendet e para pjesëmarrëse e më prezentet numerikisht, sa i përket pavioneve.

Fiera del Levante” nisi të organizohet në vitin 1929 si iniciativë e komunës e Dhomës së Tregtisë në Bari dhe do të zhvillohej çdo vit në muajin shtator, me përjashtim të viteve të Luftës së Dytë Botërore që u ndërpre (1940-1946). Për herë të parë, pjesëmarrja ndërkombëtare në këtë panair u bë në vitin 1930.

Në pjesëmarrjen e vitit 1930, Shqipëria do të paraqitej në këtë panair me 22 pavione duke zënë vendin e parë sa i përket numrit të tyre. Në total, në këtë vit numri i pavioneve ishte 134 ndërsa numri i vendeve pjesëmarrëse 33.

Edhe në vitin 1931 Shqipëria do të kishte një pjesëmarrje me një numër më të lartë pavionesh, duke shkuar në 31 të tillë dhe duke mbajtur vendin e tretë sa i përket numrit të tyre. Vendin e parë e mbante Bullgaria me 74 pavione e ndjekur nga Hungaria me 51 të tillë. Në vitin 1932, Shqipëria do të paraqitej me 54 pavione, nga të cilat 51 ishin pavione zyrtare dhe 3 reparte tregtare.

Për këtë qëllim, në shtypin shqiptar të kohës nuk do të mungonin as ofertat e linjave detare për tregtarët shqiptarë, të cilët përfitonin ulje tarife për udhëtimet e pjesëmarrjes në Panairin e Barit.

Tarifat e pavioneve në këtë periudhë varionin nga 50 lira deri në 200 lira për metër katror, në varësi të vendit (shesh i hapur apo pavion me tulla ose dru).

Enti organizator i Panairit do të kishte edhe një periodik të posaçëm ku jepeshin informacione për shkëmbimet tregtare mes vendeve dhe për ecurinë e panairit. Sa i përket Shqipërisë, një prej numrave të kësaj reviste në vitin 1931 do të evidentonte se “ky treg numëron rreth 1 milionë banorë” dhe se “gjysma e tregtisë Shqipëri-Itali zhvillohej përmes portit të Barit”.

Ndërsa evidentonte faktin se Shqipëria importonte masivisht nga Italia copa e veshje apo produkte industriale, në përshkrim evidentohet se në ato vite, Shqipëria kishte një potencial për shitje masive të produkteve të bulmetit e mishit apo peshkut.

Ndërkohë, pas Luftës së Dytë Botërore, me rikthimin e organizimeve të panaireve në Selanik dhe në Bari, Shqipëria do të merrte sërish pjesë, pavarësisht natyrës së regjimit.

Edhe pse ishte në kushtet e izolimit të plotë, në vitet ’70-’80, Shqipëria do të merrte pjesë në panairin e Barit dhe të Selanikut. Por në këto pjesëmarrje do të ndryshonte natyra e përfaqësimit pasi veç produkteve, panairi shqiptar do të përmbante edhe postera propagandistikë që dëshmonin “arritjet e Shqipërisë”.

 

/Shkruar nga Kreshnik Kuçaj për SCAN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0