Ja cili është projekti që çon vajzën shqiptare Blerina Ago në Amerikë - Business Magazine Albania

Ja cili është projekti që çon vajzën shqiptare Blerina Ago në Amerikë


Shumëkush e njeh si Blerina e Rafting, ndërsa të tjerë si juriste dhe eksperte në fushën e turizmit. Por këto ditë ajo ka marrë një lajm, i cili i përket jo vetëm asaj, por edhe Shqipërisë!

Programi prestigjioz i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës YTILI (Young Transatlantic Innovation Leaders Initiative), përzgjedh çdo vit vetëm 100 finalistë mes qindra aplikimeve të sipërmarrësve të rinj europianë. Ky program praktike profesionale 1-vjeçare, mundësuar nga Fondi Gjerman Marshall, i bën finalistët pjesë e një organizate/biznesi apo institucioni në SHBA ku të mund të zhvillojnë aftësi të reja profesionale, të hulumtojnë në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor, të krijojnë ide të reja biznesi dhe lidershipi dhe të forcojë bashkëpunimin transatlantik mbi sfidat rajonale, kombëtare dhe globale në frymën e Planit Marshall. Për vitin 2017, mes mbi 650 aplikimeve, fituesja nga Shqipëria është shpallur Blerina Ago administratorja e “Albanian Adventure Resort”.

Si rezultat i 15 viteve punë, Blerina Ago është duke zhvilluar sipërmarrjen më inovative dhe ide të gjelbërta në fushën e turizmit, pozicionuar në Skrapar “Albanian Adventure Resort” sha.

“Albanian Adventure Resort” ka si qëllim ndryshimin e jetës se komunitetit përmes aktiviteteve sportive në natyrë dhe arsimit profesional në fushën e turizmit aventurë dhe mikpritjes.

“AAR” shtrihet në hapësirën e një ish-reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur dhe fare pranë kanioneve të Osumit. Lokacioni i propozuar ofron një gamë mundësish për mbi 15 aktivitete aventurë, duke përfshirë rafting në afërsi të kanioneve të Osumit, hiking, kajak, hidrospid, kalërim, çiklizëm malor, kaçavjerrje dhe sporte të tjera të shumta në natyrë.

Gjenerimi i të ardhurave përmes aktiviteteve komerciale do të ndihmojë për të rritur standardet e të gjitha sporteve aventurë në Shqipëri dhe do të rrisin profilin e Shqipërisë si një destinacion i turizmit aventurë.

burimi: Top-Channel

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0