Ja cilat janë startupet fituese te "Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2023" - Business Magazine Albania

Ja cilat janë startupet fituese te “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2023”

Konkursi i Bizneseve te Gjelberta
~5 minuta lexim

Partnerët Shqipëri organizoi së fundi “Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2023”.

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta është një aktivitet që Partnerët Shqipëri organizon prej vitit 2012, i cili synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, duke pasur një qasje m iqësore ndaj mjedisit. Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me 7 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Axhendës 2030.

Këtë vit, Konkursi u mundësua falë kontributit të Fondit Rockefeller Brothers, Tirana Bank, dhe Credins Bank.

Konkursi mbështet ide biznesi në dy fasha kryesore, sipas maturimit të idesë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

Njëzetenjë finalistë të përzgjedhur mes konkurrentëve nga procesi i aplikimit, prezantuan idetë e tyre të cilat u vlerësuan nga një juri e pavarur me ekspertë të fushës së ekonomisë dhe zhvillimit të biznesit, e cila përzgjodhi fituese idetë e mëposhtme:

LOT 1: Ide Biznesi në Fazë Konceptuale

Marçela  Tringaj me “Purteka. Kopshtaria për fëmijë”

Ideja e biznesit konsiston në një dyqan “shëtitës” për shitjen e produkteve si: libri “Kopshtaria për fëmijë” që përmban projekte për mbjelljen e 38 bimëve në vazo e në kushte shtëpie, paketa me fara bimësh të konsumueshme, shoqëruar me një doracak dhe udhëzues për tu përdorur nga fëmijët në kushtet e shtëpisë, si dhe objekte të tjera kopshtarie si çanta ‘tote bags’, ujitëse, hotele bletësh, ushqyese të zogjve të lirë, fidanë lulesh, perimesh e pemësh, etj.

Leonida Palushaj me “Clay Play LAB”

Ideja konsiston në krijimin e një punishteje për përgatitjen e produkteve të qeramikës. Punishtja do të shërbejë si një hapësire komunitare për organizimin e klasave rezidenciale, kurseve të mbrëmjes apo klubeve për fëmijë dhe të rritur, duke përfshirë dhe njerëzit me aftësi ndryshe fizike, të cilët mund të bëhen bashkë, të mësojnë një aftësi të re dhe të zhvillojnë kreativitetin e tyre.

Secila nga idetë fituese nën këtë Lot do të mbështetet financiarisht deri në shumën 500,000 lekë.

LOT 2: Biznes në Fazat e Para të Zhvillimit

Sentiljana Marku me “Mjedrat e Danjës”

Ideja konsiston në kultivimin e frutit të mjedrës, duke sjellë kështu një produkt të ri për zonën e Vaut të Dejës, e duke ofruar për konsumatorin një frut organik të certifikuar sipas standardit “Organic”, me vlera të larta ushqyese. Përmes mbështetjes nga Konkursi synohet zgjerimi i aktivitetit në Qarkun e Shkodrës dhe atë të Lezhës, shtimi i kapaciteteve për kultivimin dhe ruajtjen, si dhe diversifikimi i produktit të mjedrës, i quajtur ndryshe dhe si “Ari i kuq”.

Ornold Bazaj me “Reality Escapers Albania”

Reality Escapers Albania është një operator turistik që ofron shërbime turistike kryesisht në sportet në natyrë, si ecje malore (hiking), ngritja e kampeve, vëzhgimi i shpendëve (birdwatching) dhe turet me kajak në zonat përreth Vlorës.

Lexo: Mercedes-Benz teston makinën elektrike me pavarësi mbi 1000 kilometra

Përmes mbështetjes nga Konkursi, Reality Escapers Albania do të ofrojë si shërbim të ri turistik turet “hiking”, të cilat përfshijnë ngjitjen në majën e Çikës, gjiret fantastike dhe të egra të Gadishullit të Karaburunit (si Gjiri i Dafinës Bristanit, Gramës dhe Shën Andreut), shpellat ujore (si shpella Sekrete, shpellat tokësore si ajo e Duk Gjonit dhe Anglezit në Karaburun, shpellat prehistorike në fshatin Velçë); lundrimin me kajak në rrjedhën e poshtme të Lumit Vjosa dhe Lagunës së Nartës e Zvërnecit, si dhe aktivitetin e vëzhgimit të shpendëve (Birdwatching).

Marjana  Jakini me “Trendy Traditë”

Idea ‘Trendy Traditë’ konsiston në ruajtjen e kulturës e traditës lokale përmes veshjeve tradicionale të zonës së Vaut të Dejës, dhe promovimin e punës artizanale e kalimin e saj tek brezi i ri. Mbështetja nga Konkursi do të shkojë për investim në makineri dhe pajisje, si një mënyrë për të lehtësuar punën e grave të përfshira të komunitetit lokal, duke ndikuar në uljen e kostos së punës dhe rritjen e cilësisë së produkteve.

Secila nga idetë fituese nën këtë Lot do të mbështetet financiarisht deri në shumën 800,000 lekë.

Tre prej fituesve, përkatësisht “Purteka. Kopshtaria për fëmijë”, “Mjedrat e Danjës” dhe “Reality Escapers Albania”  do të bëhen automatikisht pjesë e konkurrimit në nivel rajonal të Konkursit Ballkanik të Ideve të Gjelbërta 2023 i cili do të zhvillohet në Mal të Zi në muajin tetor.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0