Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi ishte e pranishme sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit “Ide të reja biznesi”, i zhvilluar në kuadër të projektit IDEA, (Innovative Development for Entrepreneurs in Albania) mbështetur nga GIZ, në kordinim me Agjensinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve- AIDA (institucion në varësi të MZHETTS).
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, znj Ekonomi u shpreh entuziaste për rrugëtimin e projektit IDEA, i cili startoi në mes të korrikut me dilemat e gjetjes së trajnerëve dhe përfshirjes të sa më shumë bizneseve startup në konkurim, ndërsa sot ky projekt vjen me ide fituese. “Në Shqipëri pjesa më e madhe e ndërmarrjeve janë të vogla dhe të mesme. Sipas Institutit të Statistikave për vitin 2015, Shqipëria ka rreth 152 mijë ndërmarrje aktive dhe rreth 90 % e ndërmarrjeve aktive janë mikro ndërmarrje me 1-4 të punësuar, tha Ministrja Ekonomi.
Ajo i ftoi këto biznese që të shfrytëzojnë dhe mundësitë që jep AIDA, e cila ka në dispozicion 6 lloj fondesh për zhvillimin e sipërmarrjes. Vetëm këtë vit, AIDA ka dhënë 128 mln lekë financime në mbështetje të sipërmarrjes, përfshirë dhe ato startup. Ndërkohë për startup-et paketa e ndihmës për vitin 2016 ishte 10 mln lekë dhe kishte 32 kompani përfituese. Për dy vitet në vazhdim janë vënë në dispozion 25 mln lekë dhe ky financim, shtoi ajo.
Gjithashtu, Ministrja theksoi se bizneset shqiptare duhet të përdorin dhe mundësitë e tjera që janë në dispozicion, siç është regjistrimi i bizneseve në EEN (Enterprise Europe Network- Rrjeti Europian për Sipërmarrjen), një platformë ku janë të regjistruar rreth 5000 sipërmarrje nga 64 shtete të botës. Në këtë rrjet, sipërmarrjet mund të gjejnë kompanitë që operojnë në të njëjtin sektor në vende të ndryshme dhe të bashkëpunojnë. Por nga Shqipëria pjesëmarrja është e ulët, vetëm 10 sipërmarrje, – tha Ministrja Ekonomi. Gjithashtu si mundësi tjetër, Ministrja përmendi dhe programin COSME– programi i BE-së që ndihmon sipërmarrësit dhe ndërrmarrjet e vogla e të mesme në fazën fillestare të aktivitetit. Aktualisht përfitimi i sipërmarrjes nga pjesëmarja në projektin COSME është sa 1/3 e angazhimit financiar vjetor që bën Shqipëria. Ministrja falenderoi GIZ dhe Ambasadën e Republikës Federale Gjermane, për mbështetjen që i jep Shqipërisë në procesin e Integrimit Europian. Gjermania jo vetëm që mbetet një partner i angazhuar në mbështetjen europiane, por dhe kontribuon me asistencë direkte për të përafruar bazën e shtatë kapitujve të Acquis Communitare, si: për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, e drejta mbi ndërmarrjet, konkurueshmërinë dhe ndihmën shtetërore, forcimin e tregut dhe zhvillimin ekonomik.
Më tej, Ministrja Ekonomi shpërndau 5 çmimet fituese të këtij konkursi. Fituesit ishin: Albana Mucaj, me idenë e saj për një qendër multifunksionale për fëmijë; Edlira Karaj, për një laborator krijues për fëmijë, Jona Veizi për një biznes fruta e perime të thata, Meliha Zyberi për artizanatin dhe Skënder Doci për një biznes turistik.
Në këtë projekt konkuruan rreth 100 biznese startup dhe u përzgjodhën 17 finalistë për të paraqitur idetë e tyre para një jurie të përberë nga AIDA, Yunus Social Business, Deloitte Albania dhe GIZ, të cilët në fund shpallën vetëm 5 ide fituese.
burimi: ekonomia.gov.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.