Ja çfarë librash sugjerojnë që të lexoni disa nga personazhet shqiptare


Libri, ajo copë letër që na mëson dhe frymëzon kaq shumë, është fjala kyçe e shumë artikujve dhe bisedave me njëri-tjetrin. Trendet e fundit të leximit nuk përfshijnë vetëm romanet klasike me histori romantike, por ajo që vihet re janë librat frymëzues, ekonomikë, të biznesit, libra që kanë lidhje me sipërmarrjen, marketingun, apo tema nga fusha të ndryshme të interesit të gjithësecilit.

Lexoni: ÇFARË LEXOJNË SIPËRMARRËSIT SHQIPTARË?

Në këtë artikull BusinessMag ka pyetur disa personazhe shqiptare nga fusha të ndryshme, të cilët na kanë treguar për librat që janë duke lexuar dhe ato që u sugjerojnë të tjerëve t’i lexojnë për t’u frymëzuar.

Aneida Bajraktari

Aneida Bajraktari është pjesë e ekosistemit të startup-ve në Shqipëri, drejtuese e Startup Grind Tirana dhe bashkë-themeluese e Balkans Capital, një kompani e specializuar në ofrimin e shërbimeve financiare për biznese dhe organizata vendase e të huaja.

Vite më parë Aneida lexonte shumë autorët klasikë, ndërsa tani është më e fokusuar në librat e zhvillimit personal dhe të biznesit, si dhe në librat motivues.

Ajo sapo ka përfunduar librin “Think and grow rich” të Napoleon Hill, një udhërrëfyes që të ndihmon të kuptosh si të arrish suksesin dhe të pasurohesh duke vënë theksin kryesisht te mënyra e të menduarit. Tani po lexon librin “Startup Nation – Historia e mrekullisë ekonomike të Izraelit” për të kuptuar më shumë se si teknologjia, inovacioni dhe startup-et e kanë ndihmuar këtë vend të zhvillohet. Libri i radhës që ka në plan të lexojë është “Lean Startup” nga Eric Rise.

Librat që u sugjeron lexuesve të BusinessMag:

“Elon Musk” – një libër që të motivon dhe të mëson se me punë dhe vullnet të pashtershëm mund të kapërcehet çdo pengesë.

“Rich Dad Poor Dad” – ndikon në mënyrën si i shohim paratë dhe investimin.

“Pushteti i të heshturve” – fuqia e introvertëve në një botë që nuk pushon së foluri, për të kuptuar më shumë mbi personalitetin tënd dhe të njerëzve të tjerë.

Nga librat klasikë rekomandon: “Lëkura e Shagrenit” nga Balzak që tregon historinë e dikujt që gjen një lëkurë shagreni magjik, që plotëson çdo dëshirë. Për çdo dëshirë të plotësuar lëkura tkurret dhe konsumon energjinë fizike të personazhit kryesor. Në qendër të librit është konflikti midis plotësimit të dëshirave dhe jetëgjatësisë, midis vazhdimësisë së jetës dhe varfërimit të shpirtit të njeriut… veçanërisht kur ai është i fokusuar në blerjen e pushtetit.

Lexoni: Ja cilët janë të rinjtë shqiptarë që po i përkushtohen shkrimit të librave

Shpresa Rupar

Shpresa është Trajnere e Programimit Neuro – Linguistik në fushën e zhvillimit personal dhe profesional. Ajo është menaxhere Marketingu & Blogger, me përvojë 25 vjeçare në fushën e biznesit në Shqipëri dhe jashtë. Aktualisht jeton në Slloveni, por me dëshirë të madhe për të kontribuar në Shqipëri.

Ajo thotë për BusinessMag se librat që po lexon janë literaturë e fokusuar në ekspertizën e saj të Programimit Neuro Linguistik.

Ndërsa për lexuesit e BusinessMag sugjeron:

“Thinking Fast and Slow” / Daniel Kahneman

Në bestsellerin ndërkombëtar, “Thinking, Fast and Slow”, Daniel Kahneman, psikologu i njohur dhe fituesi i çmimit Nobel në Ekonomi, na çon në një turne novator të mendjes dhe shpjegon dy sistemet që drejtojnë mënyrën se si mendojmë. Sistemi 1 është i shpejtë, intuitiv dhe emocional; Sistemi 2 është më i ngadaltë, më i diskutueshëm dhe më i logjikshëm. Ndikimi i mbivendosjes në strategjitë e korporatave, vështirësitë e parashikimit të asaj që do të na bëjë të lumtur në të ardhmen, efektin e thellë të paragjykimeve njohëse në gjithçka, nga luajtja e tregut të aksioneve deri në planifikimin e pushimeve tona të ardhshme – secila prej këtyre mund të kuptohet vetëm duke ditur se si të dy sistemet formojnë gjykimet dhe vendimet tona.

“To sell is Human” / Daniel H. Pink

“To Sell Is Human” ofron një vështrim të freskët në artin dhe shkencën e shitjes. Daniel H. Pink zbulon ABC-të e reja të lëvizjes së të tjerëve, shpjegon pse ekstrovertët nuk janë shitësit më të mirë dhe tregon se si t’u japësh njerëzve një nxitje për veprimet e tyre, mund të ketë më shumë rëndësi sesa të ndryshosh në të vërtetë mendjet e tyre.

Libra të tjerë:
Sleep Smarter / Shawn Stevenson, Start with your Why / Simon Sinek, Joy of Business / Simone Malasas, Ego is the Enemy / Ryan Holiday, The road less Travelled / M. Scot Pack, Man’s Search for Meaning / Viktor Frankl.

Lexoni: Shpresa Rupar, trajnerja e parë ndërkombëtare shqiptare e NLP

Odeta Terpini

Odeta është drejtuese e Startup Grind Ancona, brand ambassador, eksperte në biznes, marketing dixhital dhe ka krijuar website e saj odeta.terpini.com.

Libri që ka lexuar së fundi është: “Seeking Windsdom” i autorit Peter Bevelin. Është interesant të zbulosh sesi funksionon truri për të shmangur gabimet e gjykimit nëpërmjet teknikave të dobishme për të mos u mashtruar nga numrat. Apo trajnimi i trurit për të menduar më mirë. Kjo i drejtohet më tepër kategorisë së lexuesve që janë të interesuar mbi rritjen personale, përmirësimin, motivimin.

Në vazhdim po planifikon të lexojë librin me titull: “Inspired” të autorit Marty Cagan. Ky udhëzues ju drejtohet bizneseve startup e jo vetëm, që duan të kenë një vizion të ri në treg. Si të krijojnë produkte teknologjike që konsumatorët t’i pëlqejnë.

Libri që ajo sugjeron për lexuesit e BusinessMag është best-selleri “The 4 – Hour Workweek” i autori Timothy Ferriss, i cili u tregon lexuesve se si të jetojnë më shumë dhe të punojnë më pak.

Lexoni: Librat për fëmijë që kanë ndikuar te njerëzit e suksesshëm

Vasjan Broka

Vasjan Broka është themelues i SmartED, ku ofrohen kurse dhe trajnime kryesisht në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Këshillimit të karrierës dhe Testet Ndërkombëtare (SAT, TOEFL). Trajnerët e SmartED janë aktorë kryesorë të tregut dhe problemi kryesor që zgjidh SmartED është kalimi sa më i shpejtë i studentëve në tregun e punës.

Librat që po lexon për momentin:

“Baba i pasur, baba i varfër” nga Robert Kiyosaki

“Baba i pasur baba i varfër” është një pikë fillestare për secilin që dëshiron të marrë kontroll mbi të ardhmen e tij financiare, të sfidojë besimin se shtëpia juaj është burimi financiar, t’u tregojë prindërve përse ata nuk mund të mbështeten në sistemin shkollor për të mësuar fëmijët e tyre rreth parasë dhe si t’i mësoni fëmijët tuaj me paratë që të jenë më të sukseshëm financiarisht në të ardhmen.

“Mendja që të çon te paraja” – Set 3 libra

Të kesh para, shëndet dhe mirëqenie, nuk është thjesht çështje fati. Këto tre libra: “Paratë dhe ligji i tërheqjes”, “Përse duam që ti të jesh i pasur” dhe “Sekretet e mendjes milionere” të mësojnë disa teknika që të çojnë tek këto thesare. Seti me tre libra, “Mendja që të çon te paraja” është i konceptuar për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që nuk presin nga fati për t’u shtuar pasuria dhe mirëqenia e tyre.

“Zbrita nga autobusi hipa në BMW”, Baybars Altuntas

“Jam rritur nga një nënë mësuese dhe një baba ushtarak në pension. Nëse do t’i shihja në ëndërr shumë gjëra nuk do t’i besoja. Por, pa asnjë lek në xhep, korporata që themelova do të bëhej një nga 100 franshizat më të rëndësishëm në Turqi,” thuhet në përshkrim nga autori i librit.

Vasjani u sugjeron lexuesve që të lexojnë:

“Mendimtarët për edukimin” nga UNESCO

Byroja Ndërkombëtare e Edukimit në UNESCO ka përfshirë në një antologji 20 mendimtarë, që vijnë në shqip të përmbledhur në “Mendimtarët për edukimin”, të cilëve iu është referuar jo vetëm shkenca, por edhe filozofia e sotme e arsimit dhe edukimit të fëmijëve.

“Si të bëhesh president” nga Florence Littauer

“Si të bëhesh president” – është historia e filozofisë së qeverisjes së mirë amerikane nga koha e Luftës së Dytë Botërore deri në ditët e sotme. Ky libër është ndër më të shiturit dhe u përkthye në shumë gjuhë të botës. Ata që duan të mësojnë rreth qeverisjes dhe modelit amerikan të presidencës, ky libër është një leksion i shkëlqyer.

Libër tjetër: “Trillion Dollar Coach” nga Eric Schmidt, Jonathan Rosenberg, Alan Eagle

Lexoni: Ku mund të lexoni libra shqip në Internet?

Must watch
Business Mag Nr. #24 - Tetor 2020

Numri 24 i revistës Businessmag.al sjell një panoramë të zhvillimeve, përshtatjeve dhe ecurisë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, shohim zhvillime relativisht të kënaqshme.  Organizime të reja si Dhoma Ekonomike e Gruas, duket si një shpresë për më shumë zë, lobim dhe mbështetje për gratë sipërmarrëse dhe sipërmarrjet e reja.

Gjatë kësaj periudhe angazhime si programi “Ringrihu më i fortë”, ishin një lloj kundërpërgjigje ndaj dëmeve ekonomike që po shkakton pandemia.

Influencerat vijojnë të rrisin hapësirat e tyre dhe janë bërë një instrument i rëndësishëm marketimi. Në brendësi të revistës do të gjeni renditjen e top 100 influencerave më të mëdhenj në vend.

Gjatë kësaj vere ndërkohë, vetë Businessmag pati një fushatë të suksesshme të promovimit të turizmit shqiptar. Qindra të rinj u angazhuan të dërgojnë foto dhe përshkrimet e vendeve të ndryshme të Shqipërisë.

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale