Irush Vrioni, rrugëtimi i një konsulenti shqiptar në Evropë dhe angazhimet e tij së fundmi në Shqipëri - Business Magazine Albania

Irush Vrioni, rrugëtimi i një konsulenti shqiptar në Evropë dhe angazhimet e tij së fundmi në Shqipëri

Irush Vrioni

Me një karrierë në supply chain dhe procurement, të ndërtuar në industri të ndryshme, e me fokus aktual në fushën e konsulencës, Irush Vrioni gjendet sot, mes zhvillimeve të rëndësishme të kompanive ndërkombëtare, me qendër kryesisht në Europë por dhe jashtë saj, dhe me aktivitet në mbarë botën. A keni menduar ndonjëherë se çfarë pune është dhe kush e realizon transformimin e kompanive të mëdha, kur kjo duhet të ndodhë, në momente ristrukturimi, ndryshimi të orientimit, në ndarjen apo shkrirjen e disa kompanive në një?! Pikërisht në raste të tilla, kur menaxhimi i duhur i ndryshimeve strategjike, i burimeve njerëzore, njehësimi i politikave sociale të kompanive, etj, Irush Vrioni del në skenë. Irushi është Managing Partner tek Vrioni Consulting, që ofron shërbime këshillmore në një portofol të larmishëm komanish ndërkombëtare dhe ne e kemi pyetur si për rrugëtimin e tij profesional, edhe për angazhimet që lidhen me Shqipërinë, vendin e tij, ku lindi dhe u arsimua. Ai është anëtar bordi i WOB-AL dhe mbështetës i rëndësishëm i organizatës.

Si ka nisur karriera juaj?

Fillimi ka qenë disi i koklavitur e një përzierje midis nevojave bazike dhe aspiratave personale. Duhet theksuar se bëhet fjalë për vitet 1997 e 1998, vite në të cilat Shqipëria kalonte momente të vështira. Me mbarimin e shkollës në Norvegji pozicionimi në tregun e punës kërkoi, jo pak investim. Por, një bisedë informale solli një bisedë formale e 3 muaj më pas u zhvendosa nga Norvegjia në Belgjikë për të punuar në një kompani norvegjeze, lider botëror në prodhimin dhe shitjen e plehrave bujqësore. Fokusimi në Procurement erdhi natyrshëm në rrugëtimin që vazhdoi pas viteve të para të punës.

Cilat janë sfidat më ndikuese në karrierë dhe si u jeni qasur atyre?

Sfidat kanë qenë të shumta, sidomos në një periudhë ku njohuria e të punuarit në tregun perëndimor ishte shumë e cekët. Kam pasur fat (ai është pak edhe se si ta kërkosh) që të jem ndeshur me njerëz që më kanë mbështetur dhe orientuar shumë për të fituar sfidat e fillimit në karrierë, por gjithashtu për të lehtësuar peshën e stigmës që ekzistonte ndaj shqiptarëve në atë periudhë.

Por, sfida më e madhe ka qenë kulturore ku tranzicioni nga një kulturë e fokusuar në suksesin mbi bazën e punës individuale, ndeshej jo pak me suksesin e bazuar në aftësinë për të punuar dhe operuar në ekip duke mos humbur identitetin personal. Po të shtojmë këtu edhe ndryshimet thelbësore në mënyrën se si jepet apo merret feedback, se si përçohet e trajtohet konflikti e debati, sfida është e madhe dhe me ka kërkuar shumë punë për ta trajtuar.

Përqasja për të mbikaluar sfidat ka qenë pjesërisht zgjedhje e pjesërisht jo. Zgjedhja ka ardhur në momente të caktuara, kur ecja përpara ka qenë e kushtëzuar nga rrethanat e momentit, të cilat natyrshëm kërkonin zgjedhje. Disa nga ato nuk kanë qenë më të mirat si zgjedhje, por në pjesën më të madhe kanë funksionuar.

Lexoni edhe BERZH dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania nxisin investimet e gjelbra në sektorin rezidencial të Shqipërisë

A mund të ndani me ne ndonjë moment sfide, apo realizimi, që ka shënuar rrugëtimin tuaj në karrierë, apo ju ka bërë të reflektojë?

Ato janë disa, në afërsisht 26 vite karrierë jashtë Shqipërisë. Reflektimi më i madh ka ardhur në periudhën përpara 10-12 vjetësh, kur u fokusova në menaxhimin e konflikteve, nëpërmjet një trajnimi në “mediation” (ndërmjetësi). Natyra e punës në prokurim është e tillë që divergjenca dhe konflikti janë pjesë e pandarë e punës. Shpejt arrin në konkluzionin se sa shumë punë e energji kërkohet (apo harxhohet në varësi se si e sheh situatën) për të mbajtur një ekuilibër të shëndetshëm, që lejon që gjërat të ecin përpara. Është mëse e pritshme që këto reflektime kanë edhe një përmasë introspektive, e cila e shfrytëzuar me kujdes të ndihmon shumë në aspektin vetjak. Kjo ndihmë është shumë e vlefshme në përforcimin e një brandi personal. Një nga pikat interesante të këtij reflektimi ka qenë të kërkuarit, të kuptuarit, të pranuarit dhe shfrytëzimi i diversitetit të mendimit, veprimit dhe qëndrimit. Kjo ka qenë shumë e vlefshme në gjetjen e zgjidhjeve, sidomos për situata komplekse me dimension multikulturor dhe interesa të ndërthurura.

Sfida tjetër është më tepër ndërbrezore, pasi unë i përkas një brezi që ka lindur dhe është formuar në Shqipëri e më pas ka marrë një rrugëtim profesional jashtë Shqipërisë. Këtij brezi i është dashur të manaxhojë 3 kultura që bashkëjetojnë, atë të origjinës dhe familjes nga vjen, të familjes, të cilën ka krijuar dhe jeton jashtë Shqipërisë në kuadrin social e kulturor të ndryshëm nga ai i Shqipërisë dhe së treti kulturën e vendit/kompanisë ku punon. Një sfidë e përditshme dhe konstante.

Nëse do të ktheheni pas në karrierën tuaj, çfarë do të donit të bënit ndryshe?

Të planifikoja karrierën në më shumë detaje, e për më tepër jo vetëm. Do të kisha dashur shumë që në momente të caktuara të kisha pasur mundësinë e mentorëve apo coaches me të cilët te flisja, të dëgjoja e të ndërtoja gjëra konkrete. Këtë shpresoj t’jua transmetoj fëmijëve të mi, në mënyrë që ata ta përdorin për qëllimet e tyre.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe me çfarë lidhen ato?

Në 6 vitet e fundit kam punuar si konsulent i jashtëm në 7 kompani të ndryshme në projekte transformuese të thella. Këto kompani kanë qendrat e tyre në Evropën perëndimore, lindore, Japoni dhe SHBA. Punova për më shumë se 2 vjet në ndarjen e një grupi belg, Solvay në dy kompani. Ishte një oportunitet që vjen rrallë dhe roli që më besuan ishte shumë kritik. Suksesi i të gjithë projektit, përshirë edhe pjesën që unë drejtoja, ka qenë për mua shumë domethënës personalisht. Synoj që në vazhdim ta pasuroj këtë përvojë e ta ndaj; të jap e të marr sa më shumë. Avantazhi i të qenurit konsulent i pavarur është pasuria njerëzore që krijohet, falë njohjeve që krijohen në kuadrin e punës. Çdo projekt ka ardhur prej kontakteve të krijuara dhe brandit personal që kam krijuar në këto vite, e ky është shpërblimi më domethënës.

Në menaxhim dhe lidership, kush ju frymëzon, a keni një model që i referoheni  në jetën tuaj kur vjen puna për karrierën, jetën?

Nga pikëpamja e frymëzimit, Abraham Lincoln, për dy arsye shumë thelbësore: heqja e skllavërisë dhe aftësia e tij për të ndërtuar kabinetin me rivalët e tij, gjë që është shumë pak e konceptueshme në ditët e sotme, ku retorika është shumë binare. Tjetri është një libër: “Animal Farm” nga George Orwell.

Profesioni më ka sjellë që të punoj, si me burra, ashtu edhe gra në linjë direkte raportimi e nga kjo pikëpamje kam krijuar një pasuri në të kuptuarit e të punuarit me të dyja palët dhe vlerat plotësuese që ato i sjellin njëra-tjetrës.

A keni një këshillë që mund t’u jepni sot të rinjve që duan të nisin një karrierë apo të hapin një sipërmarrje?

Build your brand.

Zgjedhja e karrierës është shumë personale e fokusi duhet të jetë tek ajo që kanë dëshirë e pasion të bëjnë. Ndërtimi i një network mbi të cilin të mbështeten është po aq kritik sa edhe pikësynimet e karrierës. Dhe tek ky network është e rëndësishme të ketë mentorë dhe coach me të cilët mund të punojnë që herët në përpjekjet e formimit profesional.

Ju jeni anëtar Bordi e Women On Boards Albania. Cila është kauza juaj në këtë drejtim? Cfarë ju bashkoi me WOB-AL dhe çfarë synoni të realizoni?

Historia familjare në 100 vitet e fundit ka treguar që shkollimi dhe emancipimi i grave apo vajzave ka qenë pjesë e vlerave të familjes. Edhe në kushtet e vështira pas luftës së dytë botërore, kur nevojat për të ardhura, e detyrimisht të qenurit në punë, ishte nevoje jetike. Gjithësesi, familja zgjodhi shkollimin e vajzave, që më vonë i bëri të kenë profesione dhe rrugëtime interesante. Këtë e kemi trashëguar si përvojë nga familja, këtë zgjedhje kam bërë edhe për vajzën time, si orientim, jo vetëm akademik, këtë i jap edhe gruas time, si mbështetje në aspiratat dhe synimet që ajo ka.

Bashkimi me kauzën a WOB-AL nuk ishte rastësi apo detyrim. Rrethanat sollën krijimin e bashkë me të mbështetjen që kjo kërkon. Natyrisht, nuk është e lehtë se tok me të vijnë shumë aspekte që kërkojnë angazhim dhe investim. Por, ky është edhe shpërblimi simbolik që besoj u kthej si familjes, ashtu edhe grave që me kanë përkrahur e mbështetur, si në karrierë po aq sa edhe personalisht. Eksperienca në kompani shumë të mëdha e ndërkombëtare më ka treguar se nuk ka formulë magjike se si mund të trajtohen çështjet e diversitetit, por ka shumë përvoja të mira nga të cilat mund të përfitojmë mjaft. Në bordin e WOB-AL ka gra me shumë eksperiencë, që përballen përditë me këtë çështje, të gatshme të japin kontribut të vyer, duke promovuar çështjen dhe vlerat që ajo sjell.

Cila është ekspertiza juaj me të cilën angazhoheni në momentet më themelore të kompanive apo organizatave ndërkombëtare? Çfarë e bën të suksesshëm një transformim në një kompani ndërkombëtare? 

Fokusi im ka qenë në strategjitë që kanë të bëjnë me procurement dhe supply chain. Angazhimi im kryesor në dekadën e fundit ka qenë leadership në transformimin me aks strukturor, procese, sisteme dhe njerëzor të këtyre funksioneve. Kjo e gjitha mbivendoset në kuadrin e gjerë organizativ dhe kulturor të një kompanie, e si i tillë nuk mund të jetë një fenomen i izoluar.

Transformimi është kompleks, çdo kontekst është i ndryshëm, por akset kryesore mbeten po ato. Aksi më i vështirë, por më interesant është ai njerëzor, sepse aty ndryshimi bëhet me shumë variabla. Por, është aty ku diversiteti bëhet i bukur, e jo vetëm në kuadrin e kompetencave. Aty shtohet diversiteti gjinor, kulturor dhe formativ.

Gjatë eksperiencës së Solvay-t që citova më sipër, ku efektivisht po ndanim një kompani në dy pjesë, ne investuam shumë kohë dhe dialog për të siguruar që secila kompani të kishte edhe diversitetin gjinor të balancuar, sepse në bazë ishte një legacy, të cilën e vleresonim dhe i kishim vënë shumë prioritet mbrojtjes së saj. Kjo ishte edhe një pjesë e angazhimit që kishim marrë përpara ekipeve tona.

Kjo ishte ajo që bëmë në rezultatin final, ku disa anëtare femra të ekipit u ngritën në detyrë dhe iu dhanë përgjegjësi te rëndësishme. Gati 10 muaj pas ndarjes, ato kanë demonstruar vlerën që sjellin, e kjo është e bazuar në fakte.

Cilat janë sfidat dhe sukseset më të mëdha kur flitet për angazhimin tuaj në këto organizata? 

Kombimini i pjesës racionale (shifra dhe fakte) me atë njerëzore. E para është relativisht e thjeshtë, e dyta tejet e ndërlikuar. Si rrjedhim, reagimi i natyrshëm është afrimi tek racionalja, kërkon më pak investim dhe kuptohet shpejt nga vendimmarrësit që kryesisht janë të orientuar në fakte. Por shpesh racionalja apo logjika nuk janë detyrimisht më të përshtatshmet si zgjidhje. E aty diversiteti ka vlerën e tij, ku perspektivat e ndryshme janë ato që u mprehin logjikën zgjidhjeve, logjikë, e cila në bazën e vet është e ndërtuar dhe si e tillë e kufizuar mbi atë çfarë dimë, njohim apo kemi jetuar e studiuar. Aty mbetet, në fundit të fundit, edhe sfida ime personale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0