INSTAT: Rritet numri i të huajve dhe azilkërkuesve në Shqipëri - Business Magazine Albania

INSTAT: Rritet numri i të huajve dhe azilkërkuesve në Shqipëri


E ndërsa është përfolur pafund për largimin e shqiptarëve drejt vendeve europiane për të kërkuar azil, INSTAT ka publikuar së fundmi numrin e kërkesave nga të huajt për vendqëndrim në Shqipëri. Ajo që bie në sy është numri gjithnjë e në rritje i të huajve me leje qëndrimi në vendin tonë. Në 2016, rezultoi 12.519, duke shënuar një rritje me 18,5 %, krahasuar me 2015. Gjatë 2016, numri i të huajve rezident përbëhet nga 8.324 meshkuj dhe 4.195 femra. Grupmosha 30 – 59 vjeç zë 62,4 % të të huajve gjithsej në 2016, duke shënuar një rritje me 25,8 %, krahasuar me të njëjtën grupmoshë në 2015.

Të huajt sipas vendit të origjinës në 2016, kryesohen nga vendet e Europës, të cilët zënë 66,5 % të të huajve gjithsej. Të huajt me origjinë nga Europa janë 8.324, duke shënuar një rritje me 10,1 %, krahasuar me 2015. Të huajt me origjinë nga Azia janë 3.244, duke shënuar një rritje me 89,6 %, krahasuar me 2015. Të huajt me origjinë nga Afrika, Amerika dhe Oqeania janë 951, duke pësuar një rënie me 26,2 %, krahasuar me 2015.

Referuar arsyes së dhënë të huajt që aplikojnë për leje qëndrimi për punësim zënë 50 %, ndjekur nga aplikimet për bashkim familjar me 22,2 %, aplikimet për qëllime humanitare me 19,1 %, aplikimet për studime me 5,2 % dhe aplikime për arsye të tjera me 3,4 %.

Azilkërkuesit në Shqipëri

Azilkërkuesit në Shqipëri, referuar Drejtorisë së Azilit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezultojnë 240 persona në 2016, shifër kjo e cila ka pësuar rritje me 126 %, krahasuar me 2015.

Duke analizuar vendin e origjinës së azilkërkuesve, në Shqipëri kuptojmë se shumicën e rasteve e përbëjnë ato me origjinë nga Siria, rreth 130 azilkërkues dhe ato me origjinë nga Afganistani, rreth 60 azilkëkues për 2016.  Vihet re një dominim i meshkujve në numrin e azilkërkuesve në Shqipëri gjatë viteve 2014 – 2016, ku meshkujt zënë 77,5 % të numrit gjithsej të azilkërkuesve në 2016.

/BusinessMag

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0