Meta po teston një funksion të ri që mund të ndryshojë mënyrën se si përdoruesit ndajnë përmbajtje në Instagram. Kompania ka nisur testimin e lidhjeve të klikueshme në përshkrimet e postimeve, një mundësi që deri më tani ka qenë shumë e kufizuar në platformë.
Lexo gjithashtu: Psikologia paralajmëron, këto 3 shenja tregojnë se fëmija po humbet vetëbesimin
Funksioni i ri po testohet aktualisht për përdoruesit që janë të abonuar në shërbimin Meta Verified. Krijuesit e përmbajtjes kanë kërkuar prej kohësh një opsion të tillë, pasi deri tani lidhjet mund të shpërndaheshin kryesisht vetëm në bio ose në Stories.
Testi u vu re fillimisht nga blogerja Andrea Valeria, e cila publikoi pamje ku shfaqej një link nga platforma Substack që mund të klikohej drejtpërdrejt brenda përshkrimit të një postimi. Sipas saj, aplikacioni i lejon përdoruesit të ndajnë deri në 10 lidhje në muaj.
Meta konfirmoi për Engadget se po teston këtë funksion për abonentët e Meta Verified, por nuk dha detaje se sa përdorues kanë akses në të apo nëse do të zgjerohet për të gjithë.
Aktualisht duket se funksioni ka disa kufizime. Për shembull, lidhjet e klikueshme shfaqen në aplikacionin mobil të Instagram, por jo kur i njëjti postim hapet nga versioni web i platformës.
Prej vitesh, kufizimet për ndarjen e linkeve në Instagram kanë krijuar një industri të tërë shërbimesh “link in bio”, si Linktree, që ndihmojnë krijuesit të drejtojnë ndjekësit drejt faqeve të jashtme.
Nëse funksioni bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit, ai mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si krijuesit dhe bizneset komunikojnë me audiencën e tyre në platformë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto