Shtylla themelore e sipërmarrjes është inovacioni dhe sidomos inovacioni që në gjenezë. Për ta arritur këtë Junior Achievement of Albania prej vitesh kujdeset për edukimin dhe nxitjen e shpirtit sipërmarrës te të rinjtë, implementimin e mendësisë së duhur, duke filluar që nga gjimnazi dhe krijimi i një kulture menaxhuese, bashkëvepruese dhe inovatore.
Ende pa mbaruar studimet në gjimnazet përkatëse nxënës nga të gjitha shkollat e mesme në rrethet e Shqipërisë kanë mundësinë të angazhohen në ideimin, krijimin, ngritjen dhe implementimin e një biznesi të mirëfilltë dhe madje ta kthejnë në diçka fitimprurëse. Në panairin, ku u finalizuan punët e nxënëse, morën pjesë 24 kompani nga të 4 anët e Shqipërisë. Studentë entuziastë tregonin për idetë e tyre, produktet dhe shërbimet që ofronin, në pritje të klientelës së parë.
Fituesit e çmimit “Shoqëria Sipërmarrëse më e mirë e vitit 2022” u shpall kompania Nexus me produktin e saj Lumos, një projektor i posaçëm nga ku mund të shohësh filma vetëm me ndihmën e celularit.
Duke filluar nga biznese sociale, deri te platforma teknologjike, pajisje inovatore dhe produkte artistike, më poshtë gjeni idetë e nxënësve shqiptar:
Puff Pets – Një zgjidhje për të gjitha nënat apo prindërit e rinj. Puff Pets kanë ideuar kafshë prej pelushi me një mekanizëm, i cili regjistron përralla për të vegjëlit me zërin e nënës së tyre.
Zanat e Malit – Produkte të bëra me dorë si byzylykë me guacka e deri te vajërat aromatik.
Art Life – Krijimi i pikturave me materiale të ricikluara.

Trend Twist – Produkti i kësaj skuadre është një çantë inteligjente e cila përfshin një karikues të lehtë me panele diellore. Karikuesi arrin të karikojë deri në 8 orë vetëm me ndihmën e energjisë diellore.
Naks-e – Produkti i Naks-e janë kufje, të cilat u krijuan me qëllimin për të falur qetësi dhe rritje të përqëndrimit. Kufjet u vijnë në ndihmë individëve, të cilët kanë probleme me pagjumsinë apo çregullime psikologjike.
Fauve – Fauve prodhon bojëra me materiale të padëmshe për mjedisin.
7weve – Sweven krijon bizhuteri të punuara me dorë
Ray of Self – Krijimi i komuniteteve virtuale dhe trajnimeve në tematika të ndryshme ku njerëzit mund të jenë vetvetja.
Posterum – Produkti është një karrocë inteligjente, e cila mban produktet e blera dhe ndjek të zotin duke mos u larguar më shumë se 3 metra nga ai, e pajisur me sensorë të cilët ndihmojnë në evitimin e pengesave.

Epilepsy Care – Një orë dore e cila ndihmon të sëmurët nëpërmjet një butoni specifik, në rast emergjence personi mjafton të shtypë butonin për të lajmëruar urgjencën.
Plantech – Produkti është një vazo inteligjente e cila ndihmon në ujitjen e luleve atëherë kur është e nevojshme.
Eunoia – Produktet janë çanta të qëndisura me dorë.
Diverso Art – Punime dore nga materiale të riciklueshme të cilat kthehen në art, copëza xhami, druri, fije etj.
LEXO: BERZH dhe donatorët mbështesin 5000 biznese të udhëhequra nga gratë në Ballkanin Perëndimor
Vertex – Një platformë, e cila ndihmon në gjetjen e zhvilluesve dhe skuadrave të zhvilluesve.
Ametsa – Produkti është një jastëk me një sistem të brendshëm masazhues.
Epoxy Art – Bizhuteri dhe dekorime të llojeve të ndryshme me bazë resinën.
Ecocreation – Produkti i kësaj skuadre konsiston në një mekanizëm, i cili i shtohet shishes së ujit dhe të kujton me anë të një alarmi në momentin që duhet të konsumosh ujë.
Office Green – Produkti i kësaj skuadre konsiston në një kosh inteligjent, i cili i ndan plehërat në 4 kategori dhe i riciklon.
Elizabeth’s Brand – Çanta të punuara me dorë dhe të qëndisura.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
