Studiuesit e Universitetit të Oksfordit kanë filluar fazën e fundit të testimit për vaksinën kundër COVID-19 në SHBA – një hap i rëndësishëm në garën për të mposhtur pandeminë e koronavirusit.
Studiuesit e Oksfordit, në partneritet me AstraZeneca, filluan testimin e vullnetarëve të parë në Florida dhe 31 amerikanë morën ose vaksinën ose një placebo gjatë gjithë fundjavës, si pjesë e provës klinike.
“Shikoni shifrat e jetëve që kemi humbur. Unë thjesht nuk dua që kjo të vazhdojë të ndodhë,” tha vullnetari 23-vjeçar Jacob Serrano, gjatë një interviste në CBS News.
Ai është amerikani i parë që testoi vaksinën nga Oxford dhe AstraZeneca. Serrano tashmë ka humbur shtatë anëtarë të familjes nga COVID-19 dhe thotë se ai dëshiron të jetë pjesë e zgjidhjes për të shpëtuar jetë, pa marrë parasysh koston.
Lexoni: “Si do t’i vejë halli pandemisë?” Më mirë të jesh optimist apo pesimist?
Serrano dhe të tjerët morën dozën e vaksinës eksperimentale në Institutin Kërkimor “Headlands Jem” në Lake Worth. Ata do të mbahen në vëzhgim gjatë javëve të ardhshme për të parë se kush krijon imunitet kundër virusit.
Faza e tretë e testimit shikon nëse vaksina është efektive në zvogëlimin ose parandalimin e simptomave COVID-19 në një shkallë të gjerë me mijëra vullnetarë. Më pas Administrata e Ushqimit dhe Barnave do ta konsiderojë miratimin e vaksinës për përdorim publik.
Eksperti i sëmundjeve infektive në vend, Dr. Larry Bush, tha se ishte optimist se vaksina është efektive. “Përgjigja imune është shumë inkurajuese,” u shpreh ai.
Në fazat e parë dhe të dytë të testimeve, Bush tha se vaksina kishte treguar se “jo vetëm që ju merrni antitrupa të fuqishëm neutralizues për të luftuar koronavirusin, por ju merrni një përgjigje nga qelizat T, për të luftuar qelizat që infektohen. Kjo është vendimtare në trajtimin e infeksioneve “.
Qelizat T janë “një armë tjetër e sistemit imunitar” që mund të ndihmojë në luftën kundër virusit, tha Bush.
Universiteti i Oksfordit ka kryer provat e fazës së tretë në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut. Në fazat e mëparshme, asnjë provë nuk tregonte se vaksina shkaktonte efekte anësore serioze.
AstraZeneca thotë se planifikon të regjistrojë deri në 50,000 pjesëmarrës globalisht dhe po planifikon të fillojë provat e fazës së tretë në Japoni dhe Rusi. Gjigandi farmaceutik pritet të ketë rezultate të provave gjatë vitit 2020.