Historia e Fitim Brahimit është një rrëfim i pazakontë për transformimin personal, identitetin dhe fuqinë e komunikimit të vetëdijshëm. Nga vitet e pasigurisë si azilkërkues në Gjermani, deri te skenat ndërkombëtare si folës motivues dhe trajner lidershipi, rruga e tij nuk ka qenë lineare, por thellësisht formuese. Përmes përvojave të forta jetësore, sfidave të integrimit dhe ndërtimit të vetes në një realitet të huaj, Brahimi ka kthyer krizën në qartësi dhe vështirësinë në metodë. Sot, ai përfaqëson një model suksesi që nuk matet vetëm me arritje profesionale, por me ndikimin që krijon tek të tjerët duke dëshmuar se suksesi nuk është destinacion, por vetëdije e fituar.
Si ka ndikuar përvoja juaj si shqiptar që ka ndërtuar karrierë jashtë Shqipërisë në formimin e qasjes suaj ndaj suksesit, komunikimit dhe zhvillimit personal?
Të rritesh si shqiptar jashtë atdheut do të thotë të jetosh çdo ditë mes dy botëve: botës së rrënjëve dhe botës së performancës. Kjo përvojë më mësoi shumë herët se suksesi nuk është vetëm çështje aftësish, por mbi të gjitha çështje identiteti dhe komunikimi të brendshëm. Kur nuk ke privilegjin të jesh “i kuptuar automatikisht”, mëson të lexosh njerëzit, situatat dhe energjitë përtej fjalëve. Pikërisht aty lindi qasja ime ndaj komunikimit: të dëgjosh atë që nuk thuhet, të kuptosh atë që të tjerët e fshehin dhe të reagosh me qartësi, jo me zhurmë. Suksesi për mua u bë rezultat i vetëdijes, jo i garës. Kush e njeh veten, flet qartë. Kush flet qartë udhëheq botën.
Një moment kyç për mua ishte viti 2021 në Speak UP në Londër. Aty, për herë të parë, e ndjeva qartë se ajo që kisha ndërtuar brenda vetes: qartësia, prania dhe mënyra e të komunikuarit përtej fjalëve kishte një ndikim real tek njerëzit. Nga ai moment, gjithçka filloi të marrë formë dhe drejtim.
Si lindi metoda Unique 2.0 dhe cilat janë elementët kryesorë që e bëjnë këtë qasje të matshme dhe efektive në arritjen e rezultateve personale dhe profesionale?
Unique 2.0 nuk lindi nga teoria, por nga puna reale me njerëz të gjallë: liderë, sipërmarrës, të rinj, njerëz në krizë dhe në rritje. Pas mijëra orësh praktike, u bë e qartë se problemi nuk është mungesa e motivimit por mungesa e qartësisë së brendshme.
Metoda Unique 2.0 bazohet në tre shtylla:
- Vetëdije emocionale (çfarë po ndodh realisht brenda teje)
- Komunikim i pastër (si flet, si hesht, si vepron)
- Vendimmarrje e qëndrueshme (pa frikë, pa maska)
Rezultatet maten totalisht, sepse ndryshimi shfaqet në sjellje konkrete: rritje performance, vendime më të qarta, marrëdhënie më të shëndetshme dhe rezultate financiare të qëndrueshme. Kur njeriu është në përputhje me veten, jeta fillon të përgjigjet.
Duke punuar me liderë, sipërmarrës, të rinj dhe komunitete biznesi dhe jo vetëm, cilat janë modelet e përbashkëta që keni vërejtur te individët që arrijnë sukses të qëndrueshëm?
Të gjithë individët me sukses të qëndrueshëm kanë një gjë të përbashkët: ata nuk reagojnë ata zgjedhin dhe veprojn në prani.
Ata:
- e njohin veten nën presion,
- nuk e shesin integritetin për aprovim,
- dhe nuk kanë frikë nga vetmia e vendimeve të mëdha.
Suksesi i qëndrueshëm nuk vjen nga intensiteti i përkohshëm, por nga prania e përhershme. Këta njerëz nuk kërkojnë vëmendje, ata krijojnë ndikim. Lideri e njeh të pathënën dhe merr vendimin e duhur, para se fjalët të bëhen të nevojshme.
Cili është roli real i diasporës shqiptare në krijimin e mundësive ekonomike dhe personale për shqiptarët, dhe çfarë duhet të ndryshojë për të rritur këtë ndikim?
Diaspora shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm, por shpesh i mungon bashkimi në vetëdije, jo në krenari boshe. Ajo që duhet të ndryshojë është kalimi nga individualizmi i mbijetesës drejt lidershipit të përgjegjshëm. Kur suksesi individual kthehet në model, jo në krahasim, diaspora bëhet forcë transformuese jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore dhe njerëzore. Kur suksesi shoqërohet me vetëdije dhe ndikim, ai bëhet i respektuar. Ky është standardi që unë promovoj.
Si e ktheni komunikimin dhe vetëbesimin në përfitime konkrete, si rritje të të ardhurave, avancim në karrierë apo përmirësim të performancës për pjesëmarrësit në programet tuaja?
Komunikimi është kapitali më i madh që posedon njeriu. E them me plot gojë se komunikimi është po aq i vlefshëm sa oksigjeni, buka dhe uji. Rëndësia qëndron në faktin që ta kuptojmë atë thellësisht. Ndërsa vetëbesimi është valuta. Kur një njeri mëson të flasë nga qartësia dhe jo nga frika, tregu i përgjigjet ndryshe.
Në programet e mia, pjesëmarrësit mësojnë të:
- vendosin kufij,
- artikulojnë vlerën e tyre,
- dhe të marrin vendime pa justifikime.
Kjo përkthehet drejtpërdrejt në rritje të të ardhurave, avancim profesional dhe autoritet personal.
Si e përkufizoni udhëheqësin e shekullit XXI dhe çfarë aftësish duhet të zhvillojnë sot individët për të qenë liderë me ndikim real në jetën personale dhe profesionale?
Lideri i shekullit XXI nuk matet me zërin që ngre, por me qetësinë që ruan kur gjithçka rreth tij tronditet. Në një botë të mbushur me zhurmë, reagime impulsive dhe pasiguri, udhëheqësi i vërtetë është ai që qëndron i palëkundur brenda vetes. Kjo qetësi nuk është strategji, por pasojë e vetëpranisë. Ajo lind nga një ndikim i thellë shpirtëror dhe reflektohet në mënyrën se si një lider hyn në një dhomë, dëgjon, flet dhe vendos. Pa imponim, por me autoritet natyror. Pa frikë, por me përgjegjësi. Një lider i tillë zhvillon vetëkontroll emocional, komunikim autentik dhe guximin për të thënë të vërtetën në momentin e duhur edhe kur kjo e vërtetë nuk është e rehatshme. Sepse ndikimi real nuk kërkon aprovim, por qartësi.
Sot, udhëheqja nuk është titull dhe as pozitë. Është prani. Dhe prania nuk mund të falsifikohet.
Çfarë është suksesi për ty?
Suksesi është kur nuk ke nevojë të bëhesh dikush tjetër për të qenë i vlefshëm. Kur puna, fjala dhe jeta jote janë në harmoni. Kur ndikimi yt i ndihmon të tjerët të zgjojnë fuqinë e tyre.Unë, në fakt, flas katër gjuhë. Por gjuha më e ëmbël dhe më e fuqishme që flas është gjuha e suksesit. Dhe së fundi: vetëm atëherë nuk je thjesht i suksesshëm por je i plotë si Njeri.
Këshilla ime është kjo:
Askush nuk të ka borxh suksesin.
Por ti ia ke borxh vetes të mos e tradhtosh potencialin tënd.
Sepse potenciali i mohuar është forma më e heshtur e dështimit.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.