Hapet fabrika e parë për përpunimin e frutave të thata “Ko’Nuts” - Business Magazine Albania

Hapet fabrika e parë për përpunimin e frutave të thata “Ko’Nuts”


Është bërë inaugurimi i fabrikës së parë për përpunimin e arrave dhe lajthive ‘Ko’Nuts’, kompania aktualisht ka punësuar 13 punëtorë dhe gjendet në Graçanicë të Kosovës.

Projekti i themelimit të fabrikës Ko’Nuts është mbështetur nga Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat-PPSE dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Bashkëthemeluesi i Ko’Nuts, Betim Selmanaj, tha se kjo është kompania e parë e përpunimit të lajthive dhe arrave në rajonin kosovar. Ai tha se qëllimi i tyre është zgjerimi i aktivitetit të këtij biznesi në njësi të përpunimit të lajthive dhe të arrave.

“Kompania ‘Selman’s Network’ ka arritur të fuqizojë një numër biznesesh të profileve të ndryshme duke ua mundësuar të njëjtave të bëhen liderë të besueshme në sektorët e tyre. Aktualisht qëllimi i ‘Selman’s Network’ është të zgjerojë aktivitetin e biznesit në njësi të përpunimit të lajthive dhe të arrave duke ndërtuar fabrikën e parë në Kosovë për përpunimin e lajthive dhe arrave. Ky proces përfshin blerjen e lajthive dhe arrave nga plantacionet kosovare, kategorizimin, thyerjen dhe procesin e heqjes së lëvozhgës, konservimin, paketimin dhe shitjen fillimisht në tregun lokal, me kalimin e viteve një pjesë e prodhimit do të ofrohet edhe për tregjet e huaja”, tha Selmanaj.

Ai tha se duke pasur parasysh që në këtë kompani janë investuar rreth 300 mijë euro, parashikojnë shtim të të ardhurave pas një viti si dhe krijim të vendeve të reja të punës. “Duke e përshtatur fabrikën si dhe duke blerë pajisjet e nevojshme për përpunim kompania ‘Selman’s Network’ parashikon shtim të të ardhurave menjëherë pas një viti me mbi 165%, e gjithë kjo automatikisht përkthehet në hapjen e vendeve të reja të punës duke u bazuar në bilancin gjinor dhe komuniteteve në Kosovë. Kjo do i mundësojë kompanisë prodhimin e sasive të nevojshme për eksport, gjithashtu kjo është fabrika e parë përpunimi në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, Stefan Butcher, nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tha se është shumë i nderuar që merr pjesë në inaugurimin e fabrikës për përpunimin e arrave dhe të lajthive. Po ashtu, ai tha se kjo kompani e jep shembullin më të mirë të zgjerimit të sektorit privat.

“Selman’s është një kompani e shkëlqyer, e cila na jep shembullin më të mirë të zgjerimit të sektorit privat dhe të mundësive të punësimit për njerëz për punë sezonale dhe për persona me kontratë afatgjatë. Ata na tregojnë se është e mundur të bëhet biznes, disa nga ne ndoshta e fajësojmë motin e keq, sistemin bankar, mungesën e vullnetit politik, megjithatë po e shohim që ka mundësi të zhvillimit të këtij sektori”, tha ai.

Menaxherja e projektit në PPSE, Sigrid Meijer, tha se qëllimi i tyre që kanë mbështetur themelimin e kësaj kompanie është që të krijojnë vende të reja të punës.

burimi: Telegrafi

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0