Guvernatori Sejko në mbledhjet e FMN dhe BB: Rritja e çmimeve në tregjet botërore, rrezikon rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë - Business Magazine Albania

Guvernatori Sejko në mbledhjet e FMN dhe BB: Rritja e çmimeve në tregjet botërore, rrezikon rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë

rimëkëmbjen ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat për shkak të pandemisë u zhvilluan virtualisht.

Në këto mbledhje të organizuara në tryeza të përbashkëta, vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, diskutuan mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmërinë për të ardhmen e ekonomisë botërore.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare, ku theksoi se ka nisur rimëkëmbja ekonomike graduale që do të përshpejtohet gjatë pjesës së mbetur të vitit 2021 si dhe gjatë vitit 2022. Tashmë kjo rritje është kthyer në nivelin e saj të para goditjeve të tërmetit dhe pandemisë. Megjithatë, Guvernatori Sejko shtoi se projeksioni i rimëkëmbjes ekonomike varet nga shumë faktorë, si ecuria e pandemisë, qëndrueshmëria e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, si dhe nga ndikimi i goditjeve aktuale të ofertës.

Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të ketë ndikimin e saj në ecurinë e inflacionit në Shqipëri dhe vlerësohet, sipas Guvernatorit, si një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe – potencialisht – për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike, megjithatë efekti i tij pritet të jetë kalimtar. Si gjithmonë, Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të pasojave që do të ketë rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe në rast se ndikimi i saj në inflacionin vendas do të jetë më i lartë se pritjet, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të rishikojë qëndrimin e politikës monetare, duke u kujdesur që ajo të jetë gjithnjë në përputhje me objektivin e inflacionit.

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e këtij sistemi. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi financiar dhe sektori bankar kanë vijuar të performojnë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht rreziqeve të veprimtarisë.

Lexoni: Guvernatori Sejko pjesë e leksionit virtual të Shkollës Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës. Fokusi në tre krizat më të fundit

Për më tepër, Banka e Shqipërisë do të punojë për të mbështetur zhvillimin e tregut financiar me instrumentet e nevojshme, si dhe do të inkurajojë qeverinë të ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur deeuroizimin e ekonomisë së vendit.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë pret një kthim në kahun konsolidues të orientimit të politikës fiskale, që do t’i shërbente si rritjes së hapësirave të reagimit ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, ashtu dhe kombinimit të duhur të normalizimit të politikave.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zbutjen e efekteve negative të dhëna nga pandemia, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.

Në vijim, ata nënvizuan se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të cilësuar të saktë, e cila ka mundur të sigurojë një mjedis financiar të favorshëm për rritjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Më tej, ata shtuan se kjo politikë ka ndihmuar që tregjet financiare të funksionojnë normalisht, kostot e financimit të sektorit publik dhe privat të jenë të ulëta, dhe bilancet e sektorit bankar të paraqiten të shëndetshme.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0