Gucci kritikohet për përdorimin e imazheve me Inteligjencë Artificiale përpara një shfaqjeje të madhe mode - Business Magazine Albania

Gucci kritikohet për përdorimin e imazheve me Inteligjencë Artificiale përpara një shfaqjeje të madhe mode

Gucci është përballur me kritika të forta pasi ka përdorur imazhe të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale (AI) për të promovuar shfaqjen e radhës në Javën e Modës në Milano.

Imazhet janë publikuar në rrjetet sociale dhe kanë nxitur reagime të shumta, ku përdoruesit kanë vënë në dyshim nëse përdorimi i AI-së, në vend të modeleve reale dhe fotografëve profesionistë, përputhet me pretendimin e markës se feston “krijimtarinë dhe mjeshtërinë artizanale italiane”. “Ditë të zymta kur Gucci nuk gjen dot një gjyshe të vërtetë milaneze për të veshur një veshje nga viti 1976,” shkruan një komentues, duke iu referuar një imazhi të krijuar nga AI i një gruaje italiane elegante me një veshje klasike Gucci.

Imazhet janë shënuar qartë si “të krijuara me AI”, por kritikët i kanë cilësuar si shembull i asaj që quhet “AI slop”, një term që përdoret për përmbajtjen e shumtë, shpesh me cilësi të ulët, të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që po mbush rrjetet sociale.

Të tjerë kanë ngritur pyetjen pse një markë e modës luksoze ka nevojë të përdorë teknologji që shihet si mjet për uljen e kostove në fushën e marketingut. Kjo vjen në një kohë kur drejtori kreativ i Gucci-t, Demna Gvasalia, përgatitet të prezantojë për herë të parë vizionin e tij në pasarelë në Milano këtë të premte. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Gucci përdor inteligjencën artificiale në fushatat e saj. Më parë, marka ka bashkëpunuar me artistë digjitalë për të krijuar vizuale, përfshirë imazhe të gjeneruara nga AI, të cilat janë shitur në ankand si NFT nga Christie’s. Në dhjetor, Gucci publikoi edhe një video të gjeneruar nga AI, ku një modele ecën në pasarelë, ndërsa fotografët pas saj rrëzohen duke u përpjekur ta fotografojnë.

Edhe marka të tjera të njohura dhe shitës me pakicë, përfshirë H&M, kanë eksperimentuar me përdorimin e AI-së në rrjetet sociale dhe reklama, duke e cilësuar shpesh si një ushtrim kreativ. Dr. Priscilla Chan, pedagoge në Institutin e Modës në Universitetin Metropolitan të Mançesterit, paralajmëron se përdorimi i teknologjisë në marketing sjell edhe rreziqe për markat.

Lexo edhe: Vizitorët e huaj në rënie gjatë janarit, shqetësim për turizmin

Sipas saj, disa risi teknologjike në të kaluarën kanë sjellë publicitet pozitiv falas, por rreziku me AI-në është që të prodhojë më shumë publicitet negativ sesa pozitiv. Ajo thekson se veçanërisht markat e modës luksoze duhet të tregohen të kujdesshme nëse teknologjitë e reja e përmirësojnë apo e dëmtojnë imazhin e tyre. Jo të gjithë reagimet në rrjetet sociale kanë qenë negative. Disa përdorues thonë se Gucci ka arritur të ruajë “shkëlqimin milanez” pa e humbur thelbin e vet. Fotografja Tati Bruening, e njohur në TikTok si illumitati dhe me 2.4 milionë ndjekës, i tha BBC News se AI ka vendin e vet në modë.

“Sipas meje, ka mënyra për ta përdorur AI-në pa dëmtuar ekosistemin kreativ dhe kjo nuk është problem,” u shpreh ajo, duke shtuar se përdorimi mund të kufizohet në retushime, korrigjime të vogla apo krijimin e moodboard-eve. “Ka një dallim të madh mes përmirësimit të detajeve me AI dhe krijimit të imazheve tërësisht nga e para,” shtoi ajo.

Megjithatë, ajo nuk e përjashtoi mundësinë që Gucci ta ketë bërë qëllimisht këtë fushatë për të nxitur debat mbi atë se çfarë përfaqëson moda e luksit në epokën e inteligjencës artificiale. “Nuk më duket se kjo fushatë është krijuar domosdoshmërisht për të reflektuar luksin, por për të hapur një diskutim mbi atë se çfarë është luksi sot,” përfundoi ajo.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
1
My Cart

Subtotal: 1,000.00L

View cartCheckout

1