Gra që frymëzojnë bëhen bashkë në Dhomën Ekonomike të Gruas - Business Magazine Albania

Gra që frymëzojnë bëhen bashkë në Dhomën Ekonomike të Gruas

Gra që frymëzojnë

Pasi kanë zhvilluar disa takime me grupe interesi dhe sipërmarrje, themelueset e Dhomës Ekonomike të Gruas janë edhe më të bindura për nismën e tyre. Mbështetja dhe fuqizimi i gruas sipërmarrëse është objektiv i Dhomës më të re ekonomike në vend.  

7 gratë në Bordin e Dhomës dhe Drejtorja Ekzekutive kanë një vizion të përbashkët: 

Fuqizimi i gruas sipërmarrëse mundëson fuqizimin e familjes dhe shoqërisë. 

Ndaj ato theksojnë se në këtë drejtim do të orientohet e gjithë përpjekja e Dhomës.

Antonela Hako, Kryetar e WECA (Women Economic Chamber of Albania) thotë se, Dhoma në vetvete nuk është një nismë gjinore dhe nuk synon të jetë feministe.  Nisma e lindur tërësisht nga sipërmarrëse dhe konsulente, synon të fuqizojë më tej gratë në biznes dhe në profesione, përmes monitorimit, konsulencës, mbështetjes dhe lobimit për sipërmarrjet.

Artikulli u publikua më parë në faqen 30 të numrit 24 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Znj. Hako thekson se lobimi do të ketë në fokus sipërmarrjet e mëdha, në mënyrë që ato të mund të zgjerojnë tregjet në nivel ndërkombëtar. Për sipërmarrjet e nivelit të mesëm, konsulenca dhe politikat favorizuese financiare do të jenë prioritet. Ndërsa për sipërmarrjet e vogla dhe startup-et, objektiv do të jetë fuqizimi i tyre përmes informimit, trajnimit, mentorimit dhe lidhjes së tyre me kompani të mëdha. 

Ky është një organizim konstruktiv, me qasje pozitive dhe objektiv zhvillimin e gruas, sipas Valbona Begollit, nënkryetare e Dhomës. Prej më shumë se 10 vitesh në biznes, znj. Begolli drejton tashmë një grup kompanish. Me themelimin e zhvillimin e Dhomës, ajo synon të japë një kontribut në shoqërinë sipërmarrëse. “Standardizimi i shërbimit, mënyrës së të bërit biznes do të siguronte një mundësi për progres”, thotë ajo, duke theksuar, se, “sipërmarrjet kanë nevojë për një konkurrencë të ndershme në treg dhe të operojnë në një treg sa më të formalizuar”.

Lexo: Gratë sipërmarrëse, tashmë me një përfaqësi zyrtare Hako: bëhuni pjesë e Dhomës të mbështesim njëra-tjetrën dhe sipërmarrjet e reja

Dhoma Ekonomike e Gruas është një nismë vullnetare, nga gra që kërkojnë më shumë nga vetja dhe duan jo vetëm të ndajnë mundësi me të tjerët, por edhe të krijojnë mundësi për to. Për këtë arsye vlen si një model frymëzimi, për çdo sipërmarrje dhe mbi të gjitha për vajzat e gratë që duan t’i bashkohen sipërmarrjes. 

Albana Muçaj, që nga Marsi i vitit 2016 është themeluese dhe drejtuese e qendrës Multifunksionale Kallz, një sipërmarrje e fokusuar në shërbimet për fëmijët, prindërit, familjen. Krahas programit pas shkolle, kurseve dhe programeve verore dhe dimërore për fëmijë e të rritur, Albana vjen edhe me një media dedikuar prindërve dhe fëmijëve, Revista Kallz.

Albana ka një përvojë të gjatë në fushën e gazetarisë dhe komunikimit. Pas diplomimit në Gazetari, ajo zhvendoset në Itali për të studiuar për Shkenca Juridike, ku punoi edhe si përkthyese për çështje të rëndësishme të drejtësisë italiane.

Prej vitit 2000 Albana ka punuar si gazetare, fillimisht në Agjensinë Telegrafike Shqiptare dhe më tej tek revista ekonomike Monitor. Gazetare e çështjeve ekonomike, ajo ka përvojë në media të ndryshme, përfshirë gazetarinë televizive, me 5 vite përvojë në ABC News dhe drejtimin e medias si kryeredaktore e Businessmag.al.

Krahas drejtimit të biznesit dhe kontributit të herëpashershëm në gazetari, Albana është angazhuar së fundi edhe si konsulente në fushën e komunikimit dhe content writing për disa kompani e institucione.

Ndërmarrje të vogla dhe të mesme e njohin, por edhe organizata rajonale e ndërkombëtare. Alida Kondi, e diplomuar në fushën e ekonomisë në manaxhim turizmi dhe administrim publik, ka një përvojë 30 vjeçare në zhvillimin e SME-ve, politikave të SME-ve, zhvillimit të turizmit, organizatave të biznesit dhe konsulencës.

Prej 9 vitesh, Alida është drejtore themeluese dhe financuese e organizatës jo-fitimrurëse “Qendra për Promovimin e Konkurrueshmërisë”, me fokus  zhvillimin e SME-ve, sipërmarrjes dhe zhvillimit të biznesit social dhe shoqërisë civile. 

Alida është ekspert senior në fushën e planifikimit, shkrimit, zhvillimit, manaxhimit dhe vlerësimit të projekteve. Ajo ka një numër punimesh, studime, tekste mësimore, raporte për tregun e punës, biznesin dhe investimet, mbi ndërmarrjet sociale në Shqipëri, etj. Ajo ka eksperiencë në hartimin e programeve për ngritjen e kapaciteteve dhe ofrim trajnimesh për biznese, organizata dhe institucione publike dhe raportuese për zbatimin e politikave të SME-ve. 

Alida punon edhe si eksperte ndërkombëtare për projekte apo institucione publike.

Rrugëtimi i saj pasqyron udhëzimet më të mira për të zhvilluar karrierë. Pas përfundimit të studimeve në Fakuletin Ekonomik në Financë në vitin 1988 në universitetin e Tiranës, Antonela Hako punon për dy vite si ekonomiste në Laç, në Ndërrmarjen e Ndërtimeve Industriale.

Në vitin 1990 angazhohet me punë pranë qendrës së informatikës ekonomike në Tiranë. Por, me ndryshimet që ndodhën në Shqipëri ajo vendos të emigrojë në dhjetor të po këtij viti në Greqi. Ndryshe nga shumë emigrantë të tjerë, vendimi për t’u rikthyer është më i shpejtë. Familja e saj rikthehet katër vite më vonë, duke hapur biznesin e parë, një dyqan mishi pranë gjimnazit “Partizani”.

Vetëm një vit më vonë, në 1995 Hako kalon në një pikë më të madhe te Pazari i Ri. Këtu fillon prodhimi i parë me makineri të vogla e të thjeshta të qofteve dhe mishit të grirë të paketuar. Pas një viti ndërmerret një tjetër hap zgjerimi. Zhvendosje në rrugën Mihal Grameno dhe zgjerim me makineri të përdorura dhe dhoma frigoriferike. Të punësuarit arrijnë në 15.

Në një vit të trazuar si ai i ’97-ës, Antonela Hako kalon me sipërmarrjen e saj në Laprakë, në ambientet e ish uzinës Tirana. Edhe aty investohet në makineri shtesë dhe një linjë të vogël për prodhimin e sallamerisë dhe proshutave.

Stabilimenti i sotëm në autostradë, i përket 2004-ës. Linja teknologjike u zëvendësua me makineri të reja prodhimi dhe paketimi. U rrit numri i të punësuarve, gama e produkteve. U krijua flota e transportit dhe filloi shpërndarja në të gjithë vendin.

Në gjithë këtë rrugëtim, Antonela angazhohet me financat e kompanisë dhe më pas me shitjen dhe marketingun. Ndërsa, ishte edhe pjesë e vendimarrjes për politikat dhe mënyrën e të sjellurit të kompanisë në treg.

Sot, Antonela Hako dhe familja e saj, kanë mbi 200 të punësuar, duke mbuluar me shërbime të gjithë territorin e vendit, ndërsa kanë nisur projektin e zhvillimit edhe në Kosovë.

Antoneta Ndreka është bashkëthemeluese e LUFRA sh.p.k. dhe ujit Dukat. 

Antoneta ka mbajtur me sukses për më shumë se 27 vite pozicionin e Drejtores së Prodhimit dhe Planifikimit. Në krye të kontrollit të cilësisë dhe të gjithë procesit të prodhimit, ajo ka përgjegjësinë për hartimin, përditësimin dhe zbatimin e të gjitha procedurave e standardeve më të larta në lidhje me çdo produkt të prodhuar.

Studimet klasike i përmbyll në fushën e shëndetësisë dhe infermierisë, në Vlorë, për të vijuar me formime teknike në fushën e biznesit. 

Ajo bëhet pjesë e disa moduleve trajnimi të marra në punë nga Chr. Hansen Holding A /S Danimarkë, në probiotikë, kulturë, etj. 

Antoneta ka ndjekur kurse për teknika dhe procese të ndryshme të prodhimit të qumështit UHT, të marra në disa module në Itali në grupin Parmalat.

Përmes USAID / Partnerët, ajo bëhet pjesë e disa programeve kualifikimi fokusuar tek drejtuesit e industrisë së qumështit.

Irena Toçi, prej 10 vitesh drejton Shtëpinë Botuese Toena në Tiranë, një nga shtëpitë botuese më të mëdha në vend, me një aktivitet të spikatur në fushën e botimit dhe të promovimit kulturor.

Ajo është vlerësuar ndër vite nga institucione të ndryshme për kontributin e saj në këtë fushë. Në tetor të vitit të kaluar, Unesco e Greqisë (Dega e Pireut dhe e ishujve) e vlerësoi me Medalje të Artë për veprimtarinë e saj në promovimin e vlerave më të mira kulturore të rajonit.

Me Medaljen e Artë të Vergjinës është vlerësuar veprimtaria e saj në promovimin e vlerave kulturore nga Shoqata Kulturore Ndërkombëtare “To kafenio ton idheon” në Salaminë të Greqisë, në fund të vitit 2018.

Irena është vlerësuar me diploma mirënjohjeje nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi në vitin 2016; e zgjedhur dhe e vlerësuar me “Albania Excellence” nga shoqata me të njëjtin emër; Nga Komuna e Gucisë në Malin e Zi; nga Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria; Nga Fondacioni kulturor “Harpa”; Nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë etj.

Përkthyese e mjaft librave për fëmijë, nga gjuha greke, italiane dhe angleze.

Irena Toçi ka një eksperiencë 26 vjeçare në fushën e botimeve dhe ♪7shtë e specializuar edhe në fushën e menaxhimit dhe të marketingut.  

Klodiana Ajazi është ndër sipërmarrëset e reja në vendin tonë, por me një vizion dhe këmbëngulje të fortë. Si shembull i shumë grave dhe vajzave të reja në vend, të cilat synojnë të kontribuojnë në vendin e tyre, Klodiana nga viti 2017 ka themeluar dhe drejton kompaninë Inovest, e cila është dedikuar në ofrim shërbimi në sektorin e ndërtimit. Një sektor i vështirë për gra në një mjedis si Shqipëria, por Klodiana zgjodhi të punojë në ndërtim me shërbimet e rikonstruksionit. Ajo solli dhe një model të ri të të bërit biznes në ndërtim; menaxhimin e projekteve me fokus shitjen duke kontribuar në strukturimin e procedurave për kompanitë ndërtuese dhe duke sjellë një shërbim më cilësor për klientët.

Gjatë këtyre pak viteve Klodiana diversifikoi shërbimet duke themeluar edhe kompaninë Novus Marketing and Consulting, një agjenci marketing, e cila ofron shërbime për bizneset duke pasur në fokus dhe pikë të fortë zhvillimin e strategjive marketing dhe implementimin e projekteve risi për tregun vendas. 

Valbona Begolli është sot themeluese e grupit të përbërë nga tri kompani, Albpastrim, Albacademy dhe Albsolution, ndërsa drejton Albacademy. Prej më shumë se 10 vite në sipërmarrje, Valbona ka zgjeruar në mënyrë progresive sipërmarrjet e saj, duke zhvilluar modele biznesi të qëndrueshme me impakt në tregun e punës dhe në sektorët ku shërben. Krahas zhvillimit dhe menaxhimit të suksesshëm, ajo është mentore e stafit dhe ekipit drejtues të kompanive të saj, por edhe e organizatave dhe sipërmarrjeve me të cilat punon. 

Sipërmarrjen e ka nisur në Greqi, ku jetonte me familjen, por zgjodhi ta zhvillojë atë në vendin e saj. E diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës, Valbona ka zhvilluar më tej aftësitë e saj menaxhuese.

Ajo ka zhvilluar fillimisht trajnime për llogari të kompanisë së saj ndërsa prej pak vitesh është angazhuar në trajnime të segmente të ndryshme të shërbimit dhe zhvillimit të biznesit, përmes Albacademy. 

Valbona ka zhvilluar aftësi në koordinim dhe shërbim përmes trajnimeve të marra ndër vite. 

Begolli ka bashkëpunuar me organizata lokale për rritjen e kapaciteteve, fuqizimin e burimeve njerëzore dhe rritjen e aftësive të tyre. Ajo është konsulente pranë BERZH për zhvillim biznesi. 

Përmes Albacademy, Begolli është angazhuar në identifikimin e nevojave të formimit dhe zhvillimin e moduleve të trajnimit sipas standardeve ndërkombëtare për zhvillimin e biznesit.

Ylldise Brahimaj, është Drejtore Ekzekutive e VRDA Foundation. Ajo është eksperte në Menaxhimin e Projekteve dhe Zhvillimin e SME-ve, eksperte në zhvillimin e SME-ve në:  EU-SME project, EBRD,USAID,UNDP,GIZ  WEB4YES. Kualifikimet e saj janë në menaxhimin dhe ekspertizën e SME-ve, /Trajnim/coaching /Mentorim, e specializuar në disa fusha të biznesit. 

Brahimaj është eksperte e jashtme pranë Delegacionit Europian në Shqipëri, për “Konkurrueshmëri, biznes, inovacion dhe tregti”. 

Përvojat e saj lidhen me: konsulenca në zhvillimin ekonomik të SME-ve (strategji dhe analizë për nevojat e formimit), sipërmarrje, Konkurrueshmëri, Inovacion, Zhvillim Rajonal dhe Lokal. Ajo ka ofruar trajnim dhe mentorim për SME-të shqiptare gratë vendase dhe sipërmarrësit e rinj të programit IDEA. Ka dizenjuar dhe përgatitur programe trajnimi.

Artikulli u publikua më parë në faqen 30 të numrit 24 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 24 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0