Mjetet e programimit të fuqizuara nga inteligjenca artificiale janë kthyer në trendin më të nxehtë të momentit në industrinë e teknologjisë. Pothuajse çdo kompani e madhe po i përdor ose po zhvillon mjetet e saj të personalizuara. Në këtë valë, mjetet e ashtuquajtura “vibe-coding”, që lejojnë krijimin e aplikacioneve përmes udhëzimeve me tekst, janë bërë shumë të kërkuara. Startupe si Lovable dhe Cursor tashmë po përballen me interes të lartë nga investitorë dhe blerës që synojnë të përfitojnë nga ky trend i ri.
Së fundmi, Google është bashkuar me këtë prirje duke testuar një mjet të ri të quajtur Opal, i cili është i aksesueshëm për përdoruesit në SHBA përmes Google Labs, një platformë eksperimentale për teknologji të reja.
Opal u mundëson përdoruesve të krijojnë mini-aplikacione web duke përdorur vetëm përshkrime me tekst. Gjithashtu, ata mund të modifikojnë aplikacionet ekzistuese të paraqitura në një galeri të dedikuar. Mjafton të jepet një përshkrim i aplikacionit që dëshiron të krijosh, dhe mjeti do të përdorë modele të ndryshme të zhvilluara nga Google për ta realizuar atë.
Pasi aplikacioni është krijuar, përdoruesit mund të hyjnë në një panel editori vizual ku shfaqet rrjedha e punës, nga input-i në output dhe deri te hapat e gjenerimit. Çdo hap i këtij procesi mund të modifikohet, duke ndryshuar prompt-in përkatës ose duke shtuar elementë të rinj nga shiriti i veglave të Opal.
Një veçori tjetër interesante është se aplikacionet e krijuara mund të publikohen në internet dhe të shpërndahen me të tjerët, të cilët mund t’i testojnë përmes llogarive të tyre Google.
Ndërkohë që Google AI Studio tashmë ofron mundësinë për të ndërtuar aplikacione përmes prompt-eve, qasja vizuale e Opal sugjeron se kompania synon të zgjerojë audiencën dhe ta bëjë krijimin e aplikacioneve më të qasshëm për përdoruesit pa eksperiencë teknike.
Me këtë nismë, Google i bashkohet një liste gjithnjë në rritje konkurrentësh si Canva, Figma dhe Replit, të cilët kanë zhvilluar mjete për të fuqizuar individët jo-teknikë në krijimin e prototipeve të aplikacioneve, pa pasur nevojë për kodim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.