Një numër gjithnjë në rritje i të rinjve nga Gen Z po marrin rolet drejtuese në punë, duke sjellë me vete një qasje të re ndaj lidershipit që vë theksin te fleksibiliteti, mirëqenia dhe komunikimi i hapur. Sipas të dhënave nga Glassdoor, tashmë 1 në 10 menaxherë i përket kësaj gjenerate, ndërsa parashikohet që shumë shpejt ata të tejkalojnë edhe menaxherët nga brezi i Baby Boomer-ave.
Kjo rritje e lidershipit të të rinjve po ndodh pavarësisht një perceptimi të përhapur që ata nuk dëshirojnë përgjegjësi të tilla. Termi “conscious un-bossing” është përdorur për të përshkruar tendencën e disa të rinjve për të shmangur drejtimin e ekipeve, por të dhënat tregojnë të kundërtën, shumë anëtarë të Gen Z e shohin menaxhimin si një mundësi për zhvillim profesional dhe financiar.
Shumë nga këta liderë të rinj, sidomos në sektorë si teknologjia dhe shërbimet, kanë përqafuar një stil udhëheqjeje më të përqendruar te njeriu, ku mbështetja, mirëkuptimi dhe balanca mes jetës dhe punës janë prioritete. Fleksibiliteti në vendin e punës është një element i rëndësishëm në këtë qasje të re , shembujt përfshijnë miratimin e pushimeve pa hezitim dhe lejimin e punës nga çdo vend, për sa kohë detyrat përmbushen me sukses.
Sipas ekspertëve, ndryshimet në mënyrën se si perceptohet lidershipi nuk lidhen vetëm me karakteristikat e brezit, por edhe me sfidat e kohës. Përballja me kriza globale si pandemia apo integrimi i inteligjencës artificiale në punë kërkon një set të ri aftësish, ku inteligjenca emocionale dhe ndjeshmëria janë gjithnjë e më të rëndësishme.
Ky ndryshim kulturor në lidership nënkupton edhe nevojën për të rikonceptuar mënyrën se si trajnohen menaxherët e rinj. Aftësitë tradicionale të menaxhimit mund të mos jenë më të mjaftueshme për të udhëhequr ekipe që kërkojnë më shumë përfshirje, fleksibilitet dhe zhvillim personal.
Në thelb, Gen Z nuk po shmang lidershipin, ajo po e rimendon atë. Dhe ky transformim mund të ketë ndikim afatgjatë në mënyrën si ndërtohen kulturat organizative në të ardhmen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto